Qershor 5, 2025 | Thursday
Tregimi i BONEVET
Për kremtimet e Ditës së Evropës 2025, ndër shumë akterë të shoqërisë civile me të cilët bashkëpunuam, ishte edhe BONEVET Kosova. Me BONEVET organizuam punëtorinë nëntë ditore, ku fëmijët mësuan praktika të ndryshme të modelimit 3D, duke shprehur kreativitetin e tyre përmes mjeteve teknologjike. Ky seminar u përmbyll me ekspozitën e “Evropa në Miniaturë” në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë.
Përpos këtij programi, BONEVET ofron programe të ndryshme të edukimit për fëmijë e të rritur. Më poshtë Flatra Thaqi, Drejtore Menaxhuese e BONEVET Prishtina na ofron një profil të partnerit afatgjatë të BE-së në Kosovë, për të mësuar më shumë për mënyrat si ju apo fëmijët tuaj mund të bëheni pjesë e programeve të tyre.
Flatra Thaqi, Drejtore Menaxhuese e BONEVET Prishtina
Përmes lojës dhe teknologjisë, BONEVET inkurajon fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit të identifikojnë dhe zhvillojnë talentet dhe aftësitë e veta. Si institucion i edukimit joformal, BONEVET filloi në vitin 2014 në Gjakovë, kur Fondacioni UNË E DU KOSOVËN themeloi qendrën e parë si përgjigje ndaj mungesës së një qasjeje praktike dhe krijuese në sistemin arsimor në Kosovë. Rrethanat e atëhershme përkonin me ritme të shpejta të zhvillimit teknologjik të cilat nuk po ndiqeshin nga arsimi tradicional dhe ky boshllëk htyu krijimin e një hapësire ku fëmijët dhe të rinjtë të mësonin ndryshe, përmes përvojës, krijimtarisë dhe bashkëpunimit.
BONEVET u rrit mbi vlerat vlerat e zhvillimit personal, nxitjes së mendimit kritik dhe imagjinatës kreative.
BONEVET u shndërrua shpejt në një lëvizje të fuqishme edukative e cila sot është e pranishme në gjashtë qytete të Kosovës (Prishtinë, Kamenicë, Kaçanik, Mitrovicë dhe Pejë) dhe me praninë e vet ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e mbi 15,000 fëmijëve dhe të rinjve, duke u bërë një ndër nismat më të qëndrueshme dhe me ndikim në fushën e edukimit joformal në vend.
Qasja e BONEVET është e ndërtuar mbi filozofinë “hands-on”, ku fëmijët dhe të rinjtë mësojnë përmes lojës, në fushat STEAM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Art dhe Matematikë).
Programet kryesore të BONEVET janë të organizuara në dy shtylla themelore: BONEVET Edukimi dhe BONEVET Makerspace.
BONEVET Edukimi
Në kuadër të BONEVET Edukimi ofrohen klasat STEAM dy mujore për moshat 5 deri në 15 vjeç, të cilat nxisin kreativitetin dhe zhvillojnë aftësi të mendimit kritik përmes projekteve praktike dhe punës në grup. Gjithashtu, organizohen kampet verore për fëmijë të moshave 5 deri në 11 vjeç, që janë përvoja pesëditore ku argëtimi dhe mësimi kombinohen në një mjedis dinamik dhe inspirues. Ndërkohë, për të rinjtë mbi 15 vjeç ofrohen trajnime profesionale të fokusuara në aftësi teknike si mekanikë, programim, dizajn dhe elektronikë, të dizajnuara posaçërisht për t’i përshtatur me nevojat e tregut të punës.
BONEVET Makerspace
Në anën tjetër, BONEVET Makerspace përfshin Akademinë e Krijuesve, një program intensiv 10-mujor për të rinjtë e moshës 16 deri në 29 vjeç, ku ata fitojnë njohuri të thelluara në dizajn digjital, prodhim me makina CNC, elektronikë dhe programim. Krahas këtij programi, ofrohet edhe modeli i anëtarësimit vjetor për moshat 12 e lart, i cili u mundëson pjesëmarrësve të eksplorojnë teknologjinë në mënyrë të pavarur, përmes përdorimit të pajisjeve të avancuara dhe me mbështetjen e mentorëve të përkushtuar.
Rruga e zhvillimit të BONEVET është ndërtuar mbi përkushtim dhe inovacion. Fillimisht me dhjetëra nxënës në klasat e para, organizata u rrit në qindra pjesëmarrës në secilën periudhë dy-mujore dhe tani mirëpret mijëra fëmijë dhe të rinj brenda vitit. Përmes përvojave të larmishme, përfshirë klasat STEAM, punëtoritë komunitare e bashkëpunimet ndërkombëtare, BONEVET ka ndërtuar një kulturë të re edukimi në Kosovë. Partneritetet e qëndrueshme me shkolla, universitete, institucione publike dhe kompani private, janë pjesë qendrore e punës sonë, me qëllim ndërtimin e urave të bashkëpunimit që rrisin ndikimin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të misionit tonë.
Në vitin 2018, si pjesë e angazhimit për përhapjen e edukimit teknologjik në shkolla, BONEVET themeloi Kosova Makers League. Kjo nismë u shndërrua në garën më të madhe të robotikës në Kosovë. Përmes kësaj lige, mijëra nxënës nga shkollat publike anembanë vendit janë përfshirë në gara të robotikës dhe aktivitete që nxisin të menduarit kritik, punën ekipore dhe aftësitë praktike në teknologji, duke kthyer kështu mësimin në një përvojë kreative dhe inspiruese për brezat e rinj.
Për të ardhmen, BONEVET mbetet e përkushtuar ndaj misionit të vet për të fuqizuar gjeneratat e reja përmes edukimit inovativ. Në një botë që ndryshon me ritme të shpejta, vizioni ynë është të mbetemi përherë përpara nevojave të shoqërisë duke integruar tanimë inteligjencën artificiale në programet edukative, për t’i përgatitur të rinjtë për tregun e punës.
Besojmë se e ardhmja ndërtohet nga brezat që guxojnë të ëndërrojnë dhe të krijojnë. Prandaj, do të vazhdojmë t’i mbështesim fëmijët dhe të rinjtë që të zbulojnë talentet e tyre dhe t’i zhvillojnë ato me pasion, dashuri dhe përgjegjësi. Me një qasje të qëndrueshme dhe vizion afatgjatë, BONEVET do të vazhdojë të jetë një nga shtyllat më të forta të edukimit joformal në Kosovë.