Qershor 5, 2025 | Thursday

Shënimi i 80 vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore

Më 8 maj, bota shënoi 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, një moment për të reflektuar për koston njerëzore të konfliktit më vdekjeprurës në histori dhe mbi të gjitha për rëndësinë e paqes dhe qëndrueshmërisë.

Ambasada Gjermane, në bashkëpunim me Shtëpinë e Evropës, organizoi një shfaqje filmi me këtë rast. Trümmermädchen [Gjermania Viti Zero] tërhoqi një audiencë të madhe në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë.  

Në fjalën e tij hapëse në këtë aktivitet, ambasadori gjerman në Kosovë, Rhode, theksoi përgjegjësinë për të nderuar çdo viktimë të Luftës së Dytë Botërore, duke pranuar jo vetëm vuajtjet nën terrorin nazist, por edhe sfidat që pasuan pas tij. Më shumë sesa thjesht një datë historike, fundi i luftës në vitin 1945 formësoi themelet e botës moderne: çoi në krijimin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe në procesin e integrimit evropian. Në këto kohë të rishfaqjes së tensioneve globale dhe autoritarizmit në rritje, 80-vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore shërben si përkujtesë se paqja është një zgjedhje që duhet ta bëjmë dhe ta mbrojmë çdo ditë. 

Në fjalën e saj hapëse, Eva Palatova, Zëvendës Udhëheqëse e Zyrës së BE-së, theksoi rëndësinë e këtij përvjetori, i cili sipas saj, “jo vetëm shënoi përfundimin e një konflikti shkatërrues global, por gjithashtu hodhi themelet për një vizion të ri evropian të bazuar në paqe, bashkëpunim dhe unitet. Përkujtimi nuk lidhet vetëm me kthimin e syve pas. Ai na i kujton koston e ndarjes, brishtësinë e paqes dhe forcën që gjendet në pajtim. Kujtesa mbetet gurthemeli i vlerave tona të përbashkëta evropiane”, përfundoi znj. Palatova.

Filmi i vlerësuar ndërkombëtarisht “Trümmermädchen” ndjek historinë e Charlotte Schumann, një gruaje të re shtatzënë nga Ludwig, një ushtar që kthehet në shtëpi dhe refuzon ta gruan ose fëmijën e tyre të palindur. Në një përpjekje për ta rifituar jetën dhe dinjitetin e saj, Charlotte regjistrohet në një kurs për gra (Fräuleinkurs) të udhëhequr nga Gloria Deven, një ish-aktore e ndaluar të performojë për shkak të përfshirjes së saj në filma propagandistikë fashistë. Ndërkohë që kursi në dukje u mëson grave si ta fitojnë mbështetjen e burrave, qëllimi i vërtetë i Glorias është të zgjojë tek pjesëmarrëset aftësinë së tyre për të vepruar, duke sfiduar rolet tradicionale gjinore dhe duke inkurajuar emancipimin. Gjatë seancave intensive, gratë përballen me trauma personale dhe pritjet shoqërore, duke kërkuar në fund të fundit të ripërcaktojnë identitetin e tyre në një komb të shkatërruar. 

Duke e përqendruar historinë te Lotte Schumann – një grua shtatzënë e braktisur nga i dashuri i saj dhe e cila kërkon lirinë të veprojë në një shoqëri patriarkale – filmi përballet me pasojat e luftës jo vetëm përmes rrënojave, por edhe përmes jetës komplekse të brendshme të grave që përballen me mbijetesën, traumën dhe fuqizimin.

Filmi me të cilin regjisori dhe skenaristi Oliver Kracht u vlerësua me Çmimin Thomas Strittmatter në Berlinale 2019, shkon përtej përkujtimit të fundit të konfliktit dhe shqyrton pasojat sociale dhe seksuale për gratë, historitë e të cilave janë margjinalizuar prej kohësh. Filmi e sfidon audiencën të reflektojë rreth trashëgimisë gjinore të luftës dhe udhëtimit kompleks dhe të dhimbshëm nga viktimizimi në vetë-përcaktim.