Qershor 5, 2025 | Thursday

Evropa në Ekran në Gjilan: Festivali i Filmit Evropian në bashkëpunim me Varg e Vi 

Për herë të parë, qyteti i Gjilanit ishte nikoqir i Festivalit të Filmit Evropian (EUFF) nga 6 deri më 8 maj 2025, një ngjarje që synoi forcimin e lidhjeve kulturore midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian. I organizuar nga Shtëpia e Evropës në Kosovë në bashkëpunim me OJQ-në lokale Varg e Vi, Festivali i Filmit Evropian ishte pjesë e festimeve për Ditën e Evropës për vitin 2025. 

Në frymën e vërtetë të festimit të vlerave evropiane dhe afrimit të qytetarëve me to, në festival u shfaqën filma nga Gjermania, Italia, Belgjika, Luksemburgu, Greqia, Kroacia, Holanda, Austria dhe Sllovenia. Prania e përfaqësuesve të lartë diplomatikë në secilën mbrëmje dëshmoi rëndësinë e kinemasë si një urë lidhëse midis kombeve. 

Çdo vit, festiemt e Ditës së Evropës shtrihen në qytete të ndryshme anembanë Kosovës. Në këtë përpjekje, bashkëpunimi me akterët lokalë të shoqërisë civile është me rëndësi madhore. Vargu e Vi, pika e fokusit e këtij viti në Gjilan, u themelua në vitin 2011 dhe prej atëherë është kthyer në gurthemel të jetës kulturore në rajonin e Anamoravës. E konceptuar fillimisht si qendër për artin bashkëkohor, organizata është rritur për të përfshirë artet pamore, teatrin, poezinë, filmin, trashëgiminë dhe performancat—duke organizuar ekspozita, festivale, punëtori dhe bashkëpunime ndërkombëtare. 

Filmat evropianë në fokus

Festivali i Filmit Evropian që u zhvillua nga 6 deri më 8 maj në Gjilan, paraqiti produksione nga nëntë shtete të ndryshme evropiane. Në hapje morën pjesë zëvendës udhëheqësit e misioneve të Gjermanisë dhe Italisë në Kosovë, Matthias Conrad dhe Chiara Castaldo. 

Në fjalët e tyre hapëse, të dy përfaqësuesit folën për rëndësinë e bashkëpunimit në kinematografi midis vendeve të ndryshme të BE-së. 

Festivali u hap me shfaqjen e filmit Io Sto Bene (Mirë jam), një bashkëprodhim ndërmjet Italisë, Gjermanisë, Luksemburgut dhe Belgjikës, që paraqet historinë e Antonios, një emigrant italian i moshuar në Luksemburg, i cili takohet me Leon, një artist i ri italian që përpiqet të afirmohet jashtë vendit. Filmi është një reflektim mbi identitetin, zhvendosjen dhe përvojën ndër-brezore të migrimit. 

Përfaqësuesit e ambasadave greke dhe kroate iu bashkuan festivalit në Gjilan gjatë natës së dytë, e cila ishte rezervuar për shfaqjen e filmave nga Greqia, Kroacia dhe Italia. Kufijtë mes shëndetit mendor dhe çmendurisë bëhen të paqartë në filmin grek “Dodo”, i cili u shfaq në natën e dytë të festivalit dhe solli historinë e një familjeje në vështirësi, të cilëve teksa përgatiteshin për martesën e vajzës së tyre me djalin e një familje të pasur, papritmas iu shfaqet një dodo – një zog i zhdukur prej 300 vjetësh – duke ua trazuar punët. Në filmin “Murina” nga Kroacia, i cili u shfaq gjithashtu në natën e dytë të festivalit, eksplorohen temat e lirisë dhe ëndrrave për t’i ikur jetës së saj kufizuar që bën personazhi kryesor. Mbrëmja e dytë u mbyll me shfaqjen e filmit “Primadonna” nga Italia, që  tregon historinë e Lias, një grua e re siçiliane në vitet 1960-të, e cila, pasi iu nënshtrua një martese të detyruar pas një sulmi seksual, sfidon normat shoqërore duke kërkuar drejtësi, duke sfiduar traditën e martesës riparuese.


Mbrëmja e tretë e Festivalit të Filmit Evropian u rezervua për filmat Mitra (Holandë), Sirens Don’t Cry (Sirenat nuk qajnë) (Austri) dhe The Innocent Man (Burri i pafajshëm) (Slloveni), secili prej të cilëve përshkruan tema të fuqishme si trauma, identiteti, drejtësia dhe dëshira njerëzore për transformim dhe shpengim. Festivali mirëpriti përfaqësues të ambasadave holandeze, austriake dhe sllovene, për fjalën hapëse para shfaqjes së filmave.