Maj 2, 2025 | Friday
“Totemët e mi e kanë fuqinë e vet të plotë vetëm kur janë bashkë”
Më 29 prill në Europe House Kosovo në Prishtinë u hap ekspozita “Totemët” e Genc Rodiqit. Veprat e tij frymëzohen nga një periudhë e errët e shoqërisë së botës. Ato janë punuar gjatë pandemisë COVID_19. Megjithatë, në vete përmbajnë shumë ngjyrë, gjallëri. Jemi ulur për të biseduar me Gencin për shëtitjet e tij nëpër krejt këto vjet, të cilat e sollën deri tek “Totemët”. Në intervistën e mëposhtme, Genci shpalos mendime për raportin e tij me botën, artin dhe thellësitë e shpirtit.
Europe House Kosovo: Keni shëtitur nëpër profesione të ndryshme dhe atë të gjithë tejet të ndryshëm nga njëri-tjetri, prandaj, raporti juaj me artin nuk është konvencional. A mund të na flisni për këtë rrugëtim?
Genc Rodiqi: E vërtetë, gjatë jetës jam marrë me gjëra dhe punë të ndryshme. Jeta do të më dukej shumë monotone nëse do të merresha vetëm me një gjë. Nuk jam konvencional në këtë aspekt, kam nevojë për liri. Nuk mund të lidhem vetëm për një profesioni apo pune të caktuar.
Ekziston një filozofi jetësore të cilën e kam planifikuar qysh prej moshës së re dhe në të cilën jam bindur edhe më shumë pas leximit të librave të autorit anglez Charles Handy. Qysh para shumë vjetësh, Handy argumentonte se shoqëria po ndryshon, se nuk ka më ‘job for life’ [punë jetësore] siç e kanë pasur për shembull prindërit tanë dhe se njerëzit për të mbijetuar duhet të kenë një ‘portfolio of skills’ [portfolio aftësish]. Mua si karakter më është përshtatur kjo filozofi jetësore.
Shpesh, me humor, kur njerëzit me pyesin se me çka merrem, ju them se jam ‘dembel me shumë zanate’ apo siç thuhet në anglisht “Jack of all trades, master of none.” Kam shëtitur nëpër punë dhe profesione të ndryshme, prej të qenit pastrues këpucësh në një diskotekë në Londër deri tek drejtor ekzekutiv i tri ndërmarrjeve. Puna më ka lidhur me brendet më të njohura botërore mediatike siç janë: The Economist, The Neë York Times, The Ëall Street Journal, e shumë të tjera, si dhe me personazhe të njohura të botës së politikës dhe ekonomisë evropiane.
Meqenëse kam punuar dhe vazhdoj të punoj në industri të ndryshme dhe me njerëz të profileve të ndryshme shoqërore, mendoj se kam pasur fatin të krijoj një përvojë më ndryshe se njerëzit të cilët bëjnë vetëm një punë dhe kalojnë kohë në një rreth të vetëm shoqëror. Kjo qasje ndaj jetës për shumë njerëz është e pa imagjinueshme dhe shumë e rrezikshme, por këto ndryshime të mëdha dhe përshtatja në ambiente të ndryshme janë të mirëseardhura për një artist. Kjo përvojë jetësore më ka ndihmuar shumë në krijimtari artistike.
Europe House Kosovo: Si u realizua seria “Totems”? A ishte vendim i qëllimshëm nisja e kësaj serie apo thjesht rrodhi sikur raporti juaj me artin?
Genc Rodiqi: Në nëntor dhe dhjetor të vitit 2018, kur isha 52 vjeç, me nismën e shokëve dhe disa familjarëve të cilët pëlqenin veprat e mia, fillova t’i publikoj ato nëpër rrjete sociale. Njëkohësisht, atëbotë për herë të parë fillova të pikturoj në pëlhurë. Në fillim të vitit 2019, pata mundësinë që këto vepra t’i ekspozoj në galerinë “Gallery at the Club” në Zvicër. Ishin vepra të një fillestari në këtë fushë. Kështu, vendosa ta avancoj punën time artistike me një vepër më domethënëse dhe “Totems” janë rezultat i kësaj.
Europe House Kosovo: Pse vendosët të punoni mbi paketat e cigareve? Çfarë simbolike kanë për ju?
Genc Rodiqi: Ideja më erdhi nga një shprehi e vjetër. Kishte kohë që pas konsumimit të një pakoje duhan, e hapja atë dhe pikturoja në anën e pasme të pakos e cila është e bardhë. Vizatoja edhe nëpër gjësende të tjera që i kisha nëpër duar, kartpeceta, paketime të cokollatave e të ngjashme. Shumë prej këtyre veprave më kanë humbur ndërkohë.
Gjatë periudhës së pandemisë, duke qenë se isha në kërkim të një ideje të re për një vepër artistike më kuptimplotë, teksa isha duke i shikuar pakot e duhanit, m’u kujtua se transformimi i tyre nga një objekt që përceptohet si diçka negative, siç është konsumi i duhanit, në një objekt të bukur, është metaforë në vetvete që do ta shpjegonte vetvetiu konceptin kryesor të kësaj vepre i cili është se me pak punë dhe me pak vullnet, njerëzit mund ta transformojnë vetveten, familjen, shoqërinë dhe botën, për të mirë.
Nëse mund ta transformojmë një pako duhani, e cila simbolizon një ves mjaft të keq, në një objekt të bukur, atëherë gjithçka është e mundur. Njerëzit me pak punë dhe vullnet mund të transformojnë jetët e tyre për të mirë dhe duke e transformuar veten në qenie më të mira dhe më të kujdesshme, mund të ndikojnë në familje e në shoqëri në përgjithësi.
Kështu u ndërlidhën gjërat. Pakoja e hapur kishte formën e totemëve indianë. Prej kësaj rrodhi edhe emri i ciklit të veprave. Dihet se totemët janë objekte shpirtërore në shumë kultura botërore. Argumenti tjetër imi ishte, sidomos gjatë kohës së pandemisë kur u pa që bota nuk ishte e gatshme për një krizë të atillë, se botës i duhen njerëz të mençur për ta udhëhequr, njerëz që do të kujdesen për natyrën dhe anën shpirtërore të shoqërisë së botës. Pra, ne kemi nevojë për ‘udhëheqës shpirtërorë’, ishte argumenti tjetër. Këtë nuk e them në kuptimin religjioz të fjalës, por se bota na përket të gjithëve dhe nuk duhet ta injorojmë e ta shkatërrojmë.
Pastaj mendova, çka nëse dokumentoj në mënyrë kronologjike një vit të jetës sime gjatë pandemisë? Ashtu lindën 365 vepra miniaturale, secila prej të cilave paraqet nga një punë arti apo disponimin tim gjatë atyre ditëve.
Disa nga keto punime jane me porosi te dukshme, disa jane abstracte mirepo te gjitha jane te ndikuara prej realitetit te jetes sime, histories sime, meditimeve te mija, mendimeve, kujtimeve, lajmeve ditore, ngjarjeve etj
Disa prej këtyre veprave kanë porosi të qarta, disa janë abstrakte, mirëpo të gjitha janë të ndikuara nga realiteti i jetës sime.
Europe House Kosovo: A janë këto paketa vetëm një medium praktik, apo bartin një kuptim më të thellë për ju?
Genc Rodiqi: Sa i përket pyetjes se a është ky medium i përshtatshëm për të punuar në të dhe për të krijuar vepër arti, mendoj se nuk është. Kartoni e thith ngjyrën menjëherë dhe nuk të lë mundësi për ndonjë intervenim të mëvonshëm, për ndonjë përmirësim apo ndryshim.
Në anën tjetër janë edhe kufizimet sipërfaqësore, sepse e ke vetëm një dimension të caktuar dhe relativisht një sipërfaqe të vogël për të realizuar idenë.
Paketat e cigareve, në rastin e këtij punimi artistik, e kanë kryer punën e tyre. Në vetvete nuk kanë asnjë simbolikë përpos anës praktike që t’i mbajnë 20 cigare në një vend.
Europe House Kosovo: Puna juaj shpesh trajton tema si krizat klimatike, situatat politike dhe sociale. Sa e rëndësishme është për ju që arti të flasë për realitetin?
Genc Rodiqi: Preokupimi im kryesor në jetë si dhe në artin tim është njeriu i thjeshtë/i rëndomtë si qenie biologjike dhe shoqërore, dhe se si këto ndryshime të mëdha shoqërore, klimatike, politike, sociale, ndikojnë në mirëqenien e tij mendore dhe materiale.
Unë jam idhtar i demokracisë dhe i tregut të lirë ekonomik, mirëpo qysh në rini i kam vërejtur defektet e sistemit kapitalist i cili në shumë vende të botës është tepër i vrazhdë.
Kam shpresuar se njerëzimi do ta gjejë një sistem më të përshtatshëm shoqëror për të gjithë, por as që e kam paramenduar se do të arrij të jetoj në një sistem post-demokratik (i cili sot mbizotëron në botë), atë të udhëheqjes së botës nga oligarkët. Pra, jeta për njerëzit e rëndomtë në vend se të bëhet më e lehtë, është duke u vështirësuar.
Për mua është tepër e rëndësishme që artistët të trajtojnë tema nga realiteti shoqëror dhe nga mjedisi ku jetojnë. Mund të jenë ato edhe tema globale, sepse në fund të fundit jemi edhe banorë të këtij rruzulli tokësor, por të jenë të freskëta, të jenë origjinale, tema të cilat burojnë prej mendimeve dhe observimit të tyre, e jo përsëritje apo kopje të temave të cilat i kanë trajtuar artistët tjerë para tyre.
Europe House Kosovo: Veprat tuaja janë të gjalla, të mbushura me jetë e ngjyra, ndonëse janë krijuar në një kohë të vështirë për botën. A është kjo mënyra juaj e rezistencës?
Genc Rodiqi: Sa i përket “Totemëve”, është e vërtetë që ato janë bërë me shumë ngjyra të gjalla, plot jetë, shpesh edhe me ngjyra fluroshente. Koha e pandemisë ishte e tillë; njerëzit kishin nevojë për ngjyra pozitive, të cilat lartësojnë shpirtin e japin shpresë. Kjo nuk do të thotë se në të ardhmen do të përdor të njëjtin kolorit.
Duhet kuptuar edhe një gjë – si artist i vetëformuar (self-taught), liria ime e shprehjes është absolute. Nuk kam asnjë kufizim prej askujt dhe nuk kam asnjë frikë prej askujt, sepse nuk i përkas botës akademike të artit, nuk kam nevojë të dëshmohem tek askush.
Punoj në mënyrë spontane dhe kam refuzuar të marr kurse prej piktorëve të tjerë apo të mësoj prej rrjeteve sociale. Qëllimi im është që arti im të mbetet 100% i pa ndikuar prej askujt.
Nuk ka gjë më të shenjtë për mua sesa t’i shoh njerëzit rreth meje të lumtur, të buzëqeshur, të relaksuar, pozitivë dhe me ambicie dhe vullnet për jetë – ambicie për të bërë gjëra të cilat do të na çojnë përpara, në një shoqëri më të mirë për të gjithë.
Pra, nëse spontaniteti im në art, naiviteti, eksperimentimi, humori, sarkazmi, kontribuojnë sado pak në këtë drejtim dhe i rezistojnë fenomeneve negative në shoqëri, unë jam i lumtur.
Europe House Kosovo: Në një intervistë keni thënë se dashuria është motivimi juaj kryesor për të krijuar. Si manifestohet kjo dashuri në artin tuaj?
Genc Rodiqi: Do të mundohem të jap përgjigje në këtë pyetje vetëm me dy shembuj praktikë, edhe pse ka shumë më tepër raste dhe shembuj ku dashuria ime për njerëzit manifestohet përmes artit.
Gjatë pandemisë, sidomos gjatë kohës kur ishim të ngujuar, unë i ofroja publikut çdo ditë nga një vepër të vogël arti për t’ua tërhequr vëmendjen nga situata shumë e pafavorshme e krijuar dhe për t’ju dhënë shpresë se kohë më të mira do të vijnë. Isha plotësisht i vetëdijshëm se gjysma e popullatës do të ishte e lumtur t’i shihte ato, kurse gjysma tjetër do të më shante, kritikonte e ndoshta edhe përqeshte.
Nëse veprat e mia të kishin vëmendjen e qoftë vetëm një njeriu gjatë pandemisë, qoftë për një minutë, unë do ta kisha arritur qëllimin tim.
Fatmirësisht, dhe për gëzimin tim të madh, Totemët u mirëpritën nga një armatë e tërë njerëzish, jo vetëm nga Kosova por nga i gjithë rruzulli tokësor. Statistikat e shikueshmërisë (kohës së kaluar duke i parë punimet e mia) në rrjetet sociale tregojnë një shifër shumë të madhe – me mijëra orë.
Nëse këtij fakti ia shtojmë edhe kohën që njerëzit e kanë shpenzuar për të diskutuar për veprat e mia (pa marrë parasysh nëse kanë mendim pozitiv apo negativ për to) në shtëpi, nëpër kafene dhe kuloare të ndryshme, i bie që me punën time kam arritur një sukses të madh.
Një shembull tjetër është se me punën time u kam ndihmuar shumë njerëzve të brezit tim të gjejnë kurajon dhe t’i shpalosin e publikojnë veprat e tyre, të cilat i kanë mbajtur të mbyllura brenda vetes për vjet me radhë. Populli ynë është shumë i talentuar. Nuk e keni idenë sa njerëz më kanë kontaktuar duke më treguar për poezitë, pikturat, këngët që i kanë krijuar gjatë jetës së tyre, por që nuk kanë pasur kurrë kurajo t’i publikojnë.
Duhet ta thyejmë tabunë e moshës në shoqërinë tonë, dhe besoj që me punën time kam arritur ta zbus sado pak këtë situatë.
Europe House Kosovo: Si ndiheni kur shihni gjithë ciklin “Totemët” të përfunduar – 365 vepra – të shpërfaqura si një tërësi?
Genc Rodiqi: Së pari ndihem shumë i lumtur që e kam bërë këtë cikël, e së dyti ndihem shumë i lehtësuar që e kam përfunduar. Ka pasur sfida të ndryshme gjatë punës 17-mujore, por ja dola më në fund.
Ndjehem i lumtur që e kam bërë këtë punë, sepse shpresoj që së paku një njeriu do t’i hyjë në punë porosia e veprës.
Gjithashtu ndihem i lumtur që e kam përfunduar këtë cikël, sepse me përfundimin e këtij cikli përfundon edhe një etapë e jetës time. Shkarkimi i gjithë atyre mendimeve dhe emocioneve, të cilat ishin grumbulluar me vite e vite, ishte terapi edhe për mua.
Duhet ta kuptojmë se ka shumë njerëz në botë të cilët nuk janë në gjendje t’i shprehin emocionet e tyre qartë përmes komunikimit. Njerëzit mbajnë në vete ndjenja të ndryshme: kujtime, përjetime, suksese, disfata, gëzime, trauma, hidhërime. Arti është një mënyrë e mirë për t’u shprehur, për t’i nxjerrë nga organizmi i tyre këto ndjenja.
Totemët e mi e kanë fuqinë e vet të plotë vetëm kur janë bashkë. Unë i shoh si ushtarë të një ushtrie, andaj shpresoj se në të ardhmen, kudo që të përfundojnë në botë, të jenë gjithmonë së bashku.
Është një ndjenjë e veçantë kur i shoh të gjitha punimet në një vend.
Europe House Kosovo: Ju jeni gjithashtu i apasionuar pas muzikës? A mendoni se ekziston një lidhje mes ngjyrës dhe tingullit? A i përjetoni ato në mënyrë të ndërthurur?
Genc Rodiqi: Unë besoj se në univers të gjitha gjërat janë të ndërlidhura në mes vete. Prandaj, përgjigja ime në këtë pyetje është: po.
Se si unë i përjetoj këto gjëra është pak më ndryshe.
Nëse më lejohet që ngjyrën ta asocioj me artin vizual, kurse tingullin me muzikën, unë i jap përparësi muzikës. Në kuptimin se tingulli apo muzika është diçka më hyjnore se ngjyra – diçka që nuk ka kufi.
Ngjyrat, në anën tjetër, dhe arti vizual, edhe pse edhe ato janë pjesë e universit, janë të krijuara prej njeriut dhe, sipas meje, e kanë një kufi.
Shumë shpesh e pyes veten: cila prej këtyre dyjave është oqeani, e cila gjithësia?
Besoj se ngjyra/arti vizual (për të cilin shkenca thotë se nuk ekziston, por është vetëm manifestim/prodhim i trurit të njeriut) është oqeani – në kuptimin se oqeani ka një kufi, ka një përkufizim, edhe pse është i përbërë prej triliona pikave të ujit.
Kurse muzika është diçka hyjnore, e pashpjegueshme deri tani, dhe është pa kufi.