Korrik 10, 2025 | Thursday

Në dialog vizual: Altin Ibrahimi dhe Nonetaori 

Ekspozita e përbashkët e artistëve Altin Ibrahimi dhe Nonetaori u hap në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë më 17 qershor 2025. E titulluar “Në Tandem”, ekspozita bashkon dy artistë, botët e të cilëve janë të ndryshme, por që frymojnë shumë pranë njëri-tjetrit. Në vend që t’i krahasojmë, në intervistën e mëposhtme përpiqemi të kuptojmë si përplasen botët e tyre apo si komunikojnë me njëra-tjetrën, si dhe çka do të thotë ky bashkëpunim për përpjekjet e tyre të ardhshme artistike.

Vijon intervista me artistët.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: Cili ishte reagimi juaj i parë kur ju ftuan të ishit pjesë e “Në Tandem”?

Altin Ibrahimi: Hera e parë që ekspozova punimet e mia artistike ishte në Shtëpinë e Evropës, në një ekspozitë grupore me klasën e Prof. Zake Prelvukaj. Rikthimi në atë hapësirë​më zgjoi kujtime të mira, kështu që nuk hezitova aspak të isha pjesë e kësaj ekspozite. Edhe pse stili im dhe ai i Nonetaorit mund të duken të ndryshëm, po të ndalesh e dhe shikosh me shumë vëmendje, sheh që janë të lidhur përmes ndjenjës që frymëzojnë. Qoftë diçka absurde, diçka e brendshme, një ndjesi që mund të shprehet vetëm përmes një ilustrimi. Ishte vërtet bukur të bisedoja me Nderimin si për punimet e tij ashtu edhe të miat, dhe ta gjeja atë lidhje midis tyre.

Nonetaori: Ishte emocionuese sepse ishte hera e parë që merrja pjesë në një ekspozitë në Shtëpinë e Evropës. Kontrasti midis punimeve tona qëndron kryesisht në simbolikën e tyre. Punimet e mia flasin me një gjuhë më latente dhe janë gjysmë-realiste. Ndërsa punimet e Altinit janë më realiste, disi më të zhurmshme, më mbresëlënëse. 

Shtëpia e Evropës në Kosovë: A kishte ndonjë koncept apo temë kuratoriale që ndikoi në atë që zgjodhët të ekspozonit?

Altin Ibrahimi: Në një farë mënyre, koncepti kuratorial përputhej mirë me atë që veç e kam eksploruar në punën time. Në praktikën time artistike, shpesh eksploroj figurën njerëzore në prehje, të kapur në momente të qeta ose introspektive. Këto figura nuk veprojnë si personazhe, por si gjendje emocionale: të brishta, të përkohshme, ndonjëherë të turbullta si kujtime. Gjithmonë ka diçka të pathënë, diçka që qëndron nën sipërfaqe dhe mendoj se kjo lidhet drejtpërdrejt me idenë e ekspozitës “Në Tandem”. Figurat e mia shpesh duken të vetme, por ato ekzistojnë në lidhje me hapësirën përreth tyre, me shikuesin dhe ndonjëherë me një figurë ose prani tjetër që nuk është plotësisht e dukshme.

Fillimisht, dy punime në këtë ekspozitë mund të duket se nuk kanë asnjë lidhje, por pastaj fillojnë të rezonojnë sa më shumë që i vëzhgon, dhe aty shfaqet ndjesia e tandemit. Nuk ka lidhje me të qenurit të njëjtë, por me ndarjen e një ritmi të caktuar emocional. Ndonjëherë kjo lidhje është në atmosferë, në heshtje, apo edhe në strukturën e gjestit si një skenë e parë nga lart, ku objektet nuk preken, por krijojnë kuptim së bashku.

Nonetaori: Ishim të lirë të shfaqnim një larmi konceptesh, një miks të punimeve. Megjithatë, u vendosën në mënyrë të tillë që përfaqësonin një koncept. 

Shtëpia e Evropës në Kosovë: A ju shtyu ky proces i ekspozimit krah për krah që punimet tuaja t’i shihnit pak më ndryshe?

Altin Ibrahimi: Po, në një farë mënyre po. Vendosja e punime të mia time krah për krah atyre të një artisti tjetër më dha një këndvështrim të ri mbi emocionet dhe temat që eksploroj. Nxori në pah lidhjet dhe kontrastet që nuk i kisha vënë re plotësisht më parë, si munden stile të ndryshme të ndajnë një energji ose ndjenjë të ngjashme. Më bëri më të vetëdijshëm për dialogun e heshtur që mund të kenë punimet e mia jo vetëm me shikuesin, por edhe me punime të tjera. Përgjithësisht, ishte përvojë e vlefshme që më ndihmoi të reflektoja më thellë mbi atë që komunikon arti im.

Nonetaori: Po, dhe ishte ndjesi shumë e mirë dhe freskuese. Tregon se si mendjet e artistëve janë të ndryshme nga njëri-tjetri, duke kërkuar gjithmonë mundësi të reja, këndvështrime të ndryshme, unike.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: Si mendoni se e përjeton publiku “pikën e takimit” ndërmjet dy botëve tuaja vizuale?

Altin Ibrahimi: Besoj se e përjetojnë si një hapësirë tensioni të heshtur dhe lidhje. Edhe pse stilet dhe subjektet tona mund të ndryshojnë, fija emocionale që i lidh punimet është ajo ndjenjë e përbashkët e introspeksionit, misterit delikat ose cenueshmërisë që krijon një lloj dialogu që i fton shikuesit të ndalen dhe të reflektojnë, të ndiejnë atë që është e pathënë, por që ndihet thellë. Kontrasti midis qasjeve tona e bën lidhjen edhe më interesante, duke e inkurajuar audiencën të eksplorojë se si shprehjet e ndryshme mund të rezonojnë së bashku.

Nonetaori: Nga një pikëpamja personale, mund të shihja se kishte shumë njerëz që ishin thellësisht të interesuar për punimet dhe artin tonë, madje edhe të tronditur në disa momente. Isha atje për t’i shpjeguar disa nga punimet dhe mendoj se kjo e ndihmoi audiencën t’i kuptonte.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: Çfarë domethënie ka për ju fjala “tandem”, personalisht apo artistikisht, pas këtij bashkëpunimi?

Altin Ibrahimi: Duket si simbol i ekuilibrit dhe lidhjes midis dy energjive të ndryshme që lëvizin së bashku qëllimisht dhe me respekt. Artistikisht, përfaqëson si mund të bashkëjetojnë në harmoni zëra të dallueshëm, secili duke sjellë stilin dhe emocionin e vet, por duke gjetur terren të përbashkët përmes ndjenjës së përbashkët. Ma kujton se arti nuk ka të bëjë vetëm me shprehjen individuale, por me marrëdhëniet midis artistëve, punimeve dhe shikuesve që krijojnë diçka më të pasur kur bashkohen. Ky bashkëpunim më tregoi fuqinë e dialogut, edhe kur ndodh në heshtje, dhe se si kjo mund të hapë mënyra të reja për t’i parë punimet e mia.

Nonetaori: Për mua flet për bashkëpunimin midis mendjeve intelektuale dhe se si këto bashkëpunime e bëjnë kulturën dhe artin të ecin përpara. Kjo është ajo që e bën kulturën të ecë në një shtet. 

Shtëpia e Evropës në Kosovë: A keni marrë diçka nga ky bashkëpunim që mund të ndikojë në praktikën tuaj të ardhshme? 

Altin Ibrahimi: Po, më pëlqyen shumë punimet që eksploronin paganizmin. Është temë e lidhur me paraardhësit tanë, pasi që ne shpesh identifikohemi si ilirë. Edhe para këtij bashkëpunimi, kam menduar të punoj me histori të vjetra të bartura gojarisht, brez pas brezi, që nga kohërat e lashta. Origjina jonë si shqiptarë më ka bërë gjithmonë kureshtar dhe të etur për të eksploruar atë që mund të krijoj rreth kësaj teme. Ky bashkëpunim më ka frymëzuar të zhytem më thellë në ato histori dhe të shoh se ku mund ta çojnë ato artin tim në të ardhmen.

Nonetaori: Arti im nuk ndikohet shumë lehtë, por nga pikëpamja shoqërore jam shumë i frymëzuar të bashkëpunoj me artistë si Altini në të ardhmen. 

“Ekuilibri mes lëvizjes dhe qetësisë” 

Praktika artistike e Altin Ibrahimit 

Shtëpia e Evropës në Kosovë: Figurat tuaja shpesh shfaqen në lëvizje ose në tranzicion – çka ju tërheq që t’i kapni këto momente fluturuese?

Altin Ibrahimi: Ajo që më tërheq është kompleksiteti psikologjik i ndjenjave dhe tensioneve që nuk i shohim gjithmonë. Dua të eksploroj ato gjendje të pasigurta dhe të brishta brenda nesh. Në punën time, figura njerëzore shpesh duket sikur lëviz ose ndryshon, por ajo që ka vërtet rëndësi për mua është hapësirë e ndërmjetme​emocionale. Këto momente duken të gjalla dhe plot ndjenja – jo të fiksuara, por në lëvizje – duke treguar thellësinë e përvojës njerëzore. Në atë vend ku lëvizja takon prehjen, shfaqet një histori e heshtur, duke e ftuar shikuesin të lidhet më thellë.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: A bazoheni tek jeta, kujtesa apo imagjinata kur krijoni portretet dhe studimet tuaja të trupit?

Altin Ibrahimi: Zakonisht filloj me referenca, por vetëm deri në një pikë ku nuk kam më nevojë për to. Gjithashtu punoj shumë nga kujtesa, imagjinata dhe ndonjëherë edhe nga ëndrrat. Kur bëj portrete dhe studime të trupit, më pëlqen të përziej elementë nga moda për t’i bërë personazhet të ndihen më unikë dhe personalë. Ndonjëherë përdor foto nga miqtë ose modele si referenca, por kryesisht ua lejoj ideve dhe kujtimeve të mia që ta udhëheqin procesin.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: Ka një ndjesi energjie të pezulluar në punimet tuaja – si e arrini këtë ndjesi vizualisht?

Altin Ibrahimi: Kjo ndjesi vjen nga përqendrimi në momente që nuk janë plotësisht në prehje, por as plotësisht në lëvizje, si një pauzë në kohë. Përpiqem të kap gjeste dhe shprehje që ndihen në mes, ndryshime delikate që sugjerojnë diçka që është gati të ndodhë ose të zhduket. Përdorimi i skajeve të buta, teksturave të shtresuara dhe ndriçimit të kujdesshëm, ndihmon në krijimin e atij tensioni të heshtur. Bëhet fjalë për balancimin e lëvizjes dhe prehjes për të mbajtur një hapësirë ku emocioni qëndron pa qenë i zhurmshëm.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: Çfarë roli luan emocioni ose psikologjia në përshkrimin tuaj të formës njerëzore?

Altin Ibrahimi: Emocioni dhe psikologjia janë thelbi i mënyrës si e përshkruaj formën njerëzore. Nuk jam i interesuar vetëm për pamjen fizike, por edhe për kapjen e botës së brendshme, ndjenjave, tensioneve dhe historive të heshtura që trupi mund të shprehë. Figura njerëzore kthehet në enë për emocione që nuk thuhen gjithmonë, por ndihen thellë, dhe përmes gjesteve dhe shprehjeve delikate, përpiqem ta zbuloj atë jetë të brendshme. Synoj të tregoj kompleksitetin nën sipërfaqe, momentet e qeta që na lidhin me veten dhe të tjerët.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: A ka ndryshuar teknika ose qasja juaj ndaj vizatimit dhe pikturës me kalimin e kohës, dhe nëse po, si?

Altin Ibrahimi: Teknika ime ka ndryshuar shumë me kalimin e kohës sepse ndiej se jam përmirësuar në teorinë e ngjyrave dhe në mënyrën se si i vizatoj figurat dhe portretet. Prej se fillova të vizatoj, gjithmonë më ka pëlqyer të vizatoj njerëz dhe kjo është diçka që nuk ka ndryshuar shumë. Por krahas kësaj, kam edhe një anë tjetër ku punoj me akuarele. Kam bërë akuarele për vite me radhë dhe më duket si fazë e veçantë në praktikën time. Kur pikturoj me akuarele, e lë mendjen të relaksohet dhe punoj më lirshëm në mënyrë abstrakte. Nuk mendoj shumë, thjesht i lë ngjyrat dhe format të rrjedhin, duke krijuar diçka që duket spontane, por prapëseprapë e plotë. Me akuarelet, përpiqem të eksploroj ide më abstrakte, duke u përqendruar më shumë tek gjendja shpirtërore dhe shtresat sesa në realizëm të rreptë, si koncepti i përzierjes së realitetit me imagjinatën.

Kohët e fundit, kam punuar shumë edhe me pikturën digjitale, veçanërisht në animacion, ilustrim dhe art konceptual. Kjo më ka ndihmuar ta çoj artin tim në një nivel të ri duke kombinuar shkathtësitë e mia tradicionale me teknika dhe mënyra të reja të të treguarit të historive.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: A i shihni ilustrimet tuaja si të ndara nga pikturat tuaja, apo janë pjesë e të njëjtës gjuhë vizuale?

Altin Ibrahimi: Ilustrimet dhe pikturat e mia i shoh si pjesë të së njëjtës gjuhë vizuale, por ato shërbejnë për qëllime të ndryshme në praktikën time. Piktura më lejon të eksploroj gjendjen shpirtërore, emocionet dhe idetë më abstrakte, shpesh me një proces më të ngadaltë dhe më intuitiv. Nga ana tjetër, ilustrimet priren të jenë më të drejtpërdrejta dhe të orientuara drejt rrëfimit, ku unë përqendrohem në rrëfimin e historive dhe komunikimin e qartë. Edhe pse kanë ndjesi të ndryshme, të dyja vijnë nga i njëjti vend: interesi im për shprehjen njerëzore dhe emocionet delikate nën sipërfaqe.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: Çka i frymëzon gjestet, qëndrimet ose shprehjet e fytyrës së subjekteve tuaja?

Altin Ibrahimi: Ato shpesh frymëzohen nga emocione të heshtura, momente të prehjes dhe reflektimit. Ndonjëherë ato vijnë nga njerëz që kam vëzhguar, kujtime, apo edhe nga mënyra si ndihem në një moment të caktuar. Nuk po përpiqem të tregoj diçka dramatike, por diçka delikate që bart peshë, sikur një vështrim i zgjatur ose një dorë ngurruese. Dua që figurat të ndihen reale, por edhe të largëta, si diçka që mund ta keni parë në ëndërr ose ta keni kujtuar pa e ditur saktësisht se kur. Për shembull, mënyra si i vizatoj flokët, një gjymtyrë ose një pjesë të fytyrës si hunda ose sytë, shpesh ndikohet nga vëzhgimet e përditshme: njerëzit që shoh në shëtitje, stili i tyre, hija e tyre.

 Këto detaje të vogla shpesh më japin ndjesinë që kërkoj dhe bëhen pjesë e figurës. Jo gjithmonë, por shumicën e kohës, figura ndërtohet nga fragmente kujtimesh të ruajtura, të ndjera ose të vërejtura kalimthi.

Midis botëve të sajuara dhe rrëfimit vizual

Praktika artistike e Nonetaorit 

Shtëpia e Evropës në Kosovë: Punimet tuaja duket se ekzistojnë midis kujtesës dhe imagjinatës – si i ndërtoni këto skena narrative?

Nonetaori: Falë formave surreale dhe gjysmë-realiste, unë ndërtoj peizazhin ose botën mbi bazën e fizikës, në mënyrë që ta bëj më bindëse për shikuesin. Që ndjenjat të marrin formë apo trup, nevojitet një dialog midis estetikës dhe realitetit, kjo është rruga për të hyrë në zhanrin e realizmit magjik.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: Çka i frymëzon imazhet fantastike ose surreale në rrëfimin tuaj vizual?

Nonetaori: Rrëfimi im vizual është i frymëzuar nga dëshira ime për të folur një gjuhë të koduar simbolesh dhe dëshira ime për t’u dhënë jetë botëve dhe krijesave të shpikura, dëshira ime për ta befasuar veten dhe të tjerët dhe për të përcjellë një mesazh pa e thënë atë, duke lënë një hapësirë​për hulumtim… Jam i përkushtuar t’u jap punimeve të mia thellësi, filozofi dhe identitet.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: Si e vendosni nëse një ide bëhet ilustrim, vizatim apo animacion i shkurtër?

Nonetaori: Kur peshon shumë mundësi, pasioni është euforik, ndjenja është rrëqethëse, kuptimi dhe mesazhi janë të thellë. Më shtyn një dëshirë e zjarrtë për eksperimentim.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: A ka mite, kujtime fëmijërie apo libra të veçantë që ndikojnë në ndërtimin e botës suaj?

Nonetaori: Bota që unë ndërtoj është e ndikuar nga mitologjia shqiptare (paganizmi shqiptar), literatura fantastiko-shkencor nga botime të ilustruara evropiane dhe amerikane, librat gotikë dhe filozofikë, si dhe kujtimet nga fëmijëria ime, frikërat, ëndrrat, traumat, rebelimi, nostalgjia, etj.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: Si e përdorni ngjyrën, kompozimin ose teksturën për të ngjallur një ndjesi ëndrre ose nostalgjie?

Nonetaori: Varet nga gjendja shpirtërore e një punimi; kjo përcakton nëse diçka duket më magjike – ngjyrat do të jenë më të ndritshme, më shpresëdhënëse, më magjepsëse. Nëse kemi një botë më serioze, përdoret metoda me dy ngjyra, me ngjyra të zbehta ose edhe dramatike. Kompozimi është pjesa më e rëndësishme në krijimin e një ilustrimi – duke vendosur nëse personazhi apo objekti vendoset në sfond, në qendër, në hije apo në dritë – kjo e tregon të gjithë historinë e skenës. Ëndrrat luajnë rol shumë të madh në procesin kreativ. Shumë punime janë fjalë për fjalë krijim i imazheve të ëndrrave. Disa ëndrra janë më simbolike, ndërsa të tjerat shndërrohen në rrëfime ose tregime fantastiko-shkencore.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: A e shihni veten më shumë si narrator apo artist vizual – apo nuk ka ndarje për ju?

Nonetaori: Të dy rolet. Unë flas shumë dhe flas përmes punimeve, përmes imazheve. Pa narrator, imazhet janë të vdekura, dhe pa imazhe, narratori nuk mund të dëgjohet.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: Si do të donit të ndihen njerëzit kur takohen me botët tuaja të imagjinuara?

Nonetaori: Dua të ndiejnë diçka të fuqishme, diçka që i prek artistikisht – qoftë nostalgji, melankoli apo ndjenja të tjera si shpresa, dëshira për ndryshim, frymëzime të reja, dashuria për artin, dashuria për kulturën, dashuria për shkencën, dijen, arsimin, imagjinatën dhe lirinë.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: Për fundi, por jo për nga rëndësia, pse emri Nonetaori? 

Nonetaori: Nonetaori është emër që e kam shpikur kur isha fëmijë. Tingëllonte italisht, japonisht dhe shqip në të njëjtën kohë. E përdorja si emër sekret kudo që shkruaja ose skicoja. Çuditërisht, nëse e përkthen në latinisht si “nonet aori”, do të thotë “nuk dëgjon”, gjë që ka shumë kuptim për personalitet si timin.