Korrik 4, 2025 | Friday

Ndryshimi i paradigmës për shëndetin mendor në Kosovë: Storja e QIPS-it 

E themeluar në vitin 2016, QIPS-i është OJQ e ngritur përmes organizimit në nivel bazë dhe mbështetjes së kolegëve, e gatshme për të trajtuar problemet në lidhje me shëndetin mendor dhe vetëvrasjet në Kosovë. Përmes solidaritetit dhe bashkëpunimit, QIPS-i e ka ngritur veten nga themelet, duke u bërë e vetmja organizatë që lufton për të drejtat e pacientëve të shëndetit mendor, parandalon vetëvrasjet dhe angazhohet në politikëbërje – duke qëndruar e palëkundur në vlerat e veta të komunitetit, gjithëpërfshirjes dhe transparencës.

Linja e Jetës – Parandalimi i vetëvrasjes telefonatë pas telefonate

Më 17 nëntor 2019, QIPS-i themeloi Linjën e Jetës – e vetmja linjë telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve në Kosovë – duke krijuar një hapësirë ku individët me mendime për vetëvrasje mund të kërkojnë ndihmë, të ndajnë përvojat e tyre dhe të ndihen të mbështetur pa e kompromentuar veten. Falë anonimitetit që ofron linja telefonike, telefonuesit janë në gjendje t’i shprehin situatat e tyre – potencialisht për herë të parë në jetë – pa frikë nga stigmatizimi ose institucionalizimi.

Me mbështetjen e BE-së, Linja e Jetës i zgjeroi operacionet e veta duke e zgjatur orarin e funksionimit dhe duke shtuar një funksion të ri për chat (bisedë online) për individët që nuk janë në gjendje të telefonojnë drejtpërdrejt, duke e bërë shërbimin më të qasshëm. Qytetarët e Kosovës po i drejtohen gjithnjë e më shumë për mbështetje Linjës së Jetës, ku kryhet të paktën një kontakt çdo ditë.

Nëse keni nevojë për ndihmë, mund të kontaktoni Linjën e Jetës falas në 0800 12345, ose përmes chat-it në https://chat.linja-e-jetes.org.

Terapia e Artit – Kombinimi i shëndetit mendor dhe shprehjes artistike

Çdo vit, gjatë Javës Evropiane të Vetëdijesimit për Shëndetin Mendor, QIPS-i organizon Festivalin e Terapisë së Artit, ku artistë, ekspertë dhe individë me përvojë të jetuar ftohen në hapësira të sigurta për të diskutuar rrugëtimet e tyre, për të shkëmbyer ide dhe për të shfaqur punimet e tyre. Festivali përfshin aktivitete si recitale poezie, koncerte, punëtori dhe diskutime, si dhe është i hapur për publikun.

Këtë vit, QIPS-i u fokusua në përfshirjen e individëve me përvojë të jetuar. Festivali ofroi diskutime të fuqishme me të mbijetuar të vetëvrasjes, persona me autizëm, si dhe një revistë të botuar bashkërisht me Kahmos Çkamos, ku përcillen përvojat e pacientëve të shëndetit mendor.

Sidoqoftë, çka e bën festivalin me ndikim është bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile që organizojnë vullnetarisht aktivitete për promovimin e shëndetit mendor gjatë kësaj jave, duke ia kushtuar kohën dhe resurset e tyre festivalit për të siguruar suksesin e tij.

Hulumtimet dhe Raportet – Mbrojtja e të drejtave të pacientëve të shëndetit mendor

Prej vitit 2023, QIPS-i publikon një raport vjetor për të drejtat e pacientëve të shëndetit mendor në Kosovë. Raporti mbulon trajtimin që pacientët marrin brenda institucioneve, përvojat e tyre të margjinalizimit, si dhe nivelin aktual të mbështetjes së disponueshme.

Raportet e QIPS-it zbulojnë një realitet të zymtë për pacientët e shëndetit mendor, duke theksuar nivele të larta të institucionalizimit dhe nivele të ulëta të rehabilitimit. Kjo shënon herën e parë në Kosovë që trajtimi i shëndetit mendor po shqyrtohet nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut, duke hapur hapësirë për avokim që sjell zërat e individëve që jetojnë në margjinat e shoqërisë – shumë shpesh të fshehur nga institucionet.

Politikëbërja – Përfshirja e përvojave të jetuara në politika

Në vitin 2024, QIPS-i lansoi një peticion për projektligjin për parandalimin e vetëvrasjeve, duke synuar krijimin e një kornize ligjore për mbështetjen institucionale për individët me mendime vetëvrasëse. Së bashku me 17 organizata të tjera dhe mbështetjen e shumë vullnetarëve, mbi 10,000 nënshkrime u mblodhën në vetëm katër muaj – duke sjellë në Kuvend, për herë të parë, një kërkesë formale për të adresuar vetëvrasjen përmes legjislacionit.

Me mbështetje të gjerë, peticioni u formalizua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe tani pret veprim nga Kuvendi i ardhshëm i Kosovës. Ligji do të përcaktojë: Shërbimet për parandalimin e vetëvrasjeve; Integrimin e parandalimit të vetëvrasjeve në objektivat institucionale; Mekanizmat për të promovuar profesionalizmin dhe kujdesin në raportimin mediatik për vetëvrasje; Shërbime dhe mbështetje joklinike; Mekanizmat për të reduktuar qasjen në mjete për vetëdëmtim; Programe specifike për komunitetet joshumicë; Mekanizmat për mbledhjen e të dhënave për vetëvrasjet.

Përtej peticionit, QIPS-i po i përcjell nga afër zhvillimet në legjislacionin për shëndetin mendor, siç është projektligji për shëndetin mendor. QIPS-i është e përkushtuar të sigurojë që zërat e pacientëve të përfshihen në ligj – një këndvështrim i munguar historikisht – për të siguruar që këto politika të jenë të drejta dhe që vërtet i adresojnë nevojat e individëve për të cilët shkruhen.