Korrik 3, 2024 | Wednesday

“Lequ Zemër” 

Nga Dardan Hoti

Duke kuptuar thellësisht ndikimin që gazetaria mund të ketë në shoqërinë tonë, dhe duke parë që shpeshherë, përvojat dhe perspektivat LGBTIQ+ anashkalohen ose keqinterpretohen në media, ne si Institut Sekhmet, kemi krijuar një emision radiofonik që synon të ofrojë një dritare të freskët dhe informuese mbi jetën e personave queer në Kosovë.

Mbështetur nga zyra e GIZ në Kosovë përmes programit SustainMedia të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, “Lequ Zemër”, ka një vit që po transmetohet në Glam Radio, një herë në dy javë, çdo të mërkurë dhe është një emision dedikuar të drejtave dhe jetëve të personave LGBTIQ+.

Emri “Lequ Zemër” reflekton jo vetëm zemrën tonë qëndruese në vlerat e barabarta dhe respektin për të gjithë, por edhe përkushtimin tonë për të sjellë zërat dhe historitë që shpesh janë në hije në media tradicionale.

Në emisionin “Lequ Zemër”, kemi diskutuar rolin e gazetarisë në çështjet LGBTIQ+ dhe përgjegjësinë e gazetarëve në promovimin e mirëkuptimit dhe pranimit të personave LGBTIQ+ përmes raportimeve të tyre. 

Gjithashtu, kemi trajtuar aspektin gjuhësor të përemrave neutralë gjinorë, me një fokus të veçantë në gjuhën shqipen, e cila tradicionalisht ka një strukturë binare.

“Lequ Zemër” për një vit është bërë adresë e zërave që s`kanë zë. Është dëgjuar zëri i një çifti lezbikësh, një personi transeksual, e një personi biseksual dhe aseksual. 

Jemi krenar që për herë të parë kemi ofruar një rrefim personal të një personi Interseks,

një karakteristike seksuale që nuk i përshtaten nocioneve tipike binare të trupave meshkuj apo femra. 

Përmes 20 episodëve të emisionit “Lequ Zemër” çdo dy javë, kemi ofruar informacione për të promovuar një trajtim të barabartë për të gjithë personat LGBTIQ+ në Kosovë. 

Kemi folur edhe për hapësirat e sigurta në Prishtinë, hapjen e barit të vetëm queer Bubble Pub, artin queer dhe kinematografinë queer.  

Jemi të lumtur që krejt këto emisione i kemi sjellë përmes bashkëpunimit me Glam Radio, një radio që është themeluar me besimin se të gjithë dëgjuesit, pavarësisht se ku jetojnë, përkatësisë etnike, moshës, gjinisë dhe orientimit seksual, prejardhjes kulturore ose gjuhës, duhet të kenë mundësinë të dëgjojnë programe me cilësi të lartë.

Së bashku me dëgjuesit, Glam Radio po sjell në jetë një radio në kuptimin e plotë të fjalës, duke inkurajuar diversitetin e mendimit, zhvillimit, perspektivës dhe argëtimit.

Në mënyrë që të gjitha këto përpjekje tonat për diversifikim të hapësirës së medieve tradicionale me tregime të zërave të lënë në margjina, të dokumentohen, e të jenë të qasshme për personat që duan të mësojnë më shumë, përpos transmetimit në Glam Radio, emisioni “Lequ Zemër” arkivohet edhe në platforma tjera, si ajo në Spotify.