Prill 30, 2025 | Wednesday
Më 2 prill, me praninë e Ambasadorit Orav dhe Presidentes Osmani, BIRN Kosovë lansoi raportin “Gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi gjatë zgjedhjeve të vitit 2025 në Kosovë.”
I lansuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kontrollit të Fakteve, raporti i financuar nga BE-ja paraqet gjetje që tregojnë përdorim të gjerë të gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit gjatë gjithë periudhës zgjedhore. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i gjeti partitë politike përgjegjëse për gjuhën e urrejtjes në 30 raste individuale dhe ka shqiptuar gjoba deri në 35,000 euro. Megjithatë, disa përmbajtje të gjuhës së urrejtjes të shënuara nga PZAP-i mbeten të qasshme në ueb faqet e partive dhe platforma digjitale edhe sot e kësaj dite. Vetëm në ditën e zgjedhjeve, verifikuesit e fakteve identifikuan të paktën 100 raste të dezinformimit.
“Luftimi i dezinformimit nuk është përgjegjësi vetëm e një institucioni – kjo kërkon një përpjekje kolektive nga të gjithë ne: politikëbërësit, gazetarët, kontrolluesit e fakteve dhe shoqëria civile. Ne duhet të punojmë së bashku”, tha Ambasadori Orav në ngjarjen e lansimit, duke theksuar përkushtimin e BE-së për të mbështetur nismat që punojnë për të krijuar një mjedis mediatik që është transparent, llogaridhënës dhe rezilient ndaj manipulimit.
Presidentja Osmani, në fjalimin e saj, tha se, “E vërteta është arma më e fortë e demokracisë – kur sulmohet e vërteta, sulmohet vetë liria”, duke theksuar edhe një herë përkushtimin e institucioneve të Kosovës për ta udhëhequr betejën drejt një diskursi publik më të informuar, më të respektueshëm dhe demokratik, veçanërisht në momente kritike si fushatat zgjedhore, kur gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi kërcënojnë vetë themelet e angazhimit demokratik.
Me autorë Kreshnik Gashin dhe Visar Prebezën, me kontribute nga Adelina Ahmeti, Rudinë Jakupi, Vesë Kelmendi dhe Ivana Nikolić, raporti thekson shtrirjen e çështjeve të gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit në zgjedhjet e vitit 2025, duke treguar si kontribuan akterët vendas dhe të huaj për krijimin e një mjedisi toksik elektoral.
Raporti gjithashtu vë në pah një retorikë dehumanizuese që u përdor gjatë fushatës zgjedhore, domethënë, kundërshtarët politikë e etiketonin njëri-tjetrin si kafshë, të paaftë mendërisht ose spiunë. Një diskurs i tillë nga persona me ndikim e platformë, jo vetëm që shkel dinjitetin e individëve në fjalë, por gjithashtu nxit një mjedis ku normalizohet gjuha e urrejtjes dhe bullizmi në përgjithësi.
Edhe roli i medias është kritik në këtë kontekst, siç theksohet edhe nga raporti. Gjetjet tregojnë për faktin se shumë media, për të krijuar përmbajtje për klikime, u dhanë hapësirë burimeve të paverifikuara me pretendime të pabaza ndaj kandidatëve për deputetë.
Për më tepër, gjetjet e raportit zbulojnë një tjetër të vërtetë alarmante në lidhje me njohuritë mediatike mes figurave politike, me 20% të politikanëve të anketuar që nuk arritën t’i identifikonin lajmet e fabrikuara si të rreme.
Raporti, të cilin e gjeni këtu për lexim të mëtejshëm, përmbyllet me dy grupe të rekomandimeve, njëri drejtuar institucioneve dhe partive politike të Kosovës dhe tjetri drejtuar mediave dhe organeve rregullatore të mediave.