Prill 28, 2025 | Monday
“Kujtimi i viktimave është një hap drejt rikthimit të dinjitetit”
Nga Bekim Blakaj, drejtues i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq hartoi listën e parë të personave të zhdukur si pasojë e konfliktit. Në maj të vitit 2000, kjo listë përmbante rreth 4,500 emra. Gjatë viteve të para pas luftës, ky numër filloi të zvogëlohej ndjeshëm për shkak të hapjes së varrezave masive në Serbi dhe identifikimit të trupave të viktimave. Megjithatë, familjarët e të zhdukurve vazhduan, me të drejtë, të kërkojnë që Kosova të kishte një ditë kombëtare kushtuar personave të zhdukur.
Më 27 prill 2006, me vendim të Qeverisë së Kosovës, kjo ditë nisi të shënohet zyrtarisht si Dita Kombëtare e Personave të Zhdukur. Në atë kohë, lista përmbante rreth 2.400 emra. Data 27 prill është zgjedhur për shkak të masakrës së kryer nga forcat serbe me 27 prill të vitit 1999 në fshatrat Mejë dhe Korenicë të komunës së Gjakovës, ku u vranë 374 civilë. Trupat e shumicës së tyre u bartën në varrezat masive në Serbi ndërsa në Kosovë ata u raportuan si të zhdukur. Kjo ditë është caktuar për të kujtuar dhe nderuar të gjithë ata që ende konsiderohen të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë (1998–2000). Aktivitetet përfshijnë homazhe, ngjarje për ngritjen e vetëdijes, si dhe thirrje për drejtësi dhe zbardhje të fatit të tyre.
Sot, 26 vjet pas luftës, ende figurojnë rreth 1,600 persona të zhdukur. Fatkeqësisht, në vitet e fundit nuk ka pasur përparim të dukshëm në gjetjen dhe identifikimin e mbetjeve mortore. Sfida kryesore mbetet lokalizimi i varrezave masive dhe atyre individuale, për shkak të mungesës së informatave të besueshme. Edhe pse është arritur një marrëveshje në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe është lëshuar një deklaratë e përbashkët nga Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, z. Aleksandar Vuçiq, në të cilën janë zotuar se do ta trajtojnë këtë çështje si humanitare dhe jo politike, në praktikë kjo nuk ka ndodhur. Ende nuk janë zbatuar masat e parashikuara në deklaratë – siç janë hapja e arkivave dhe takimet e rregullta të komisionit të përbashkët – madje nuk ka ndodhur as takimi i parë i këtij komisioni. Në këto rrethana, Bashkimi Evropian duhet të jetë më proaktiv dhe të bëjë gjithçka brenda mandatit të vet për të garantuar zbatimin e marrëveshjes.
Që nga viti 2000, i jam bashkuar Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), duke u angazhuar në intervistimin e familjarëve të të zhdukurve dhe të vrarëve me qëllim të dokumentimit të çdo jete të humbur. FDH dhe FDH Kosovë kanë kryer mbi 20.000 intervista me familjarët dhe dëshmitarët okularë, si dhe kanë mbledhur prova dhe dokumente të ndryshme – nga burime primare si institucionet shtetërore, arkivat, gjykatat vendore dhe ndërkombëtare, por edhe nga burime sekondare si raportet e OJQ-ve, media, botime dhe libra.
Kjo punë ka vazhduar për më shumë se 25 vite dhe ka rezultuar në krijimin e një databaze ku janë përpunuar të gjitha këto të dhëna dhe është ndërtuar një dosje për secilin person të zhdukur apo të vrarë gjatë luftës. Dosjet përmbajnë informacione mbi viktimat dhe rrethanat e zhdukjes apo vrasjes së tyre.
Në korrik të vitit të kaluar, FDH dhe FDH Kosovë publikuan edicionin e dytë të Librit të Kujtimit të Kosovës, me titull “Dinjitet për të Zhdukurit”, ku janë përfshirë narracione të sakta mbi zhdukjen e 1.636 personave gjatë periudhës 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Deri më tani, disa prej këtyre personave janë identifikuar dhe numri aktual i të zhdukurve është ulur në rreth 1.600.
Krijimi i një kujtese kolektive të bazuar në fakte dhe dëshmi është thelbësor në disa rrafshe. Kujtimi i viktimave është një hap drejt rikthimit të dinjitetit për ta dhe familjet e tyre. Dokumentimi ndihmon në luftimin e mosndëshkueshmërisë dhe revizionizmit historik. E vërteta për të kaluarën e dhimbshme është kusht i domosdoshëm për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore dhe arritjen e pajtimit. Prandaj, ky është një obligim institucional dhe shoqëror, ku çdo zyrtar dhe qytetar duhet të japë kontributin e vet.
Tani është koha që si shoqëri të mos lejojmë që dhimbja e familjeve të personave të zhdukur të mbetet vetëm një kujtim i trishtë i së kaluarës. Duhet të vazhdojmë të kërkojmë të vërtetën me këmbëngulje, duke qëndruar pranë familjeve të viktimave në përpjekjen e tyre për drejtësi dhe dinjitet. Institucionet, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, kanë përgjegjësi morale dhe ligjore për të qenë transparente, për të hapur arkivat dhe për të bashkëpunuar me sinqeritet. Moszbatimi i marrëveshjeve dhe mungesa e veprimeve konkrete është një plagë që thellohet çdo ditë. Kërkimi për të vërtetën nuk është vetëm një detyrim ligjor, por një përgjegjësi njerëzore dhe shoqërore që na takon të gjithëve – për drejtësi, për paqe dhe për një të ardhme që nderon dinjitetin njerëzor.