Qershor 9, 2025 | Monday

Festimi i Ditës së Evropës 2025

Nën sloganin “Festojmë Evropën”, Dita e Evropës 2025 në Kosovë u shënua me një program gjithëpërfshirës që u zhvillua nga prilli deri në mesin e majit, duke sjellë aktivitete në dhjetë komuna përreth Kosovës dhe duke përfshirë më shumë se 5,000 qytetarë. Programi synoi të promovojë vlerat themelore të Bashkimit Evropian si: paqja, solidariteti, barazia dhe bashkëpunimi, përmes artit, edukimit, kulturës dhe inovacionit.

Vizitat e ekipit të Evropës në shkolla

Festimet nisën në fund të muajit prill me një seri vizitash në shkollat fillore në Vushtrri, Kamenicë, Malishevë dhe Prishtinë. Nxënësit u angazhuan në diskutime me përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së dhe të EULEX-it, për të diskutuar rreth vlerave themelore të Bashkimit Evropian si paqja, demokracia dhe të drejtat e njeriut. Aktivitetet u shoqëruan me lojëra edukative dhe dhurimin e librit të ilustruar për fëmijë “Mbrojtësit e Planetit”.



Masterklasa dhe murali në Mitrovicë të Veriut

Më 6 maj, në Europe House Mitrovicë veriore u mbajt masterklasa “Udhëtari endacak” me muralistin Vuk Gjuriq (Endo) që ndërthuri artin mural, fotografinë dhe dizajnin grafik, ku pjesëmarrësit mësuan se si të zotërojnë tregimin vizual dhe të përforcojnë bashkëpunimin  përmes artit.

Ndërsa më 9 maj 2025, Vuk Gjuriq dhe Stefan Boshkoçeviq transformuan një ndërtesë në Mitrovicën veriore me një mural të jashtëzakonshëm që promovon vlerat e BE-së.
Festivali Evropian i Filmit në Gjilan
Nga 6 deri më 8 maj, Teatri i qytetit në Gjilan mirëpriti Festivalin Evropian të Filmit (EFF), ku u shfaqën filma nga vende të ndryshme si Italia, Kroacia, Austria, Holanda, Sllovenia, Greqia e shtetet tjera të BE-së. Mbrëmjeve iu bashkuan përfaqësues diplomatikë nga ambasadat pjesëmarrëse, ndërsa audienca pati mundësi të përjetonte reflektime të thella përmes tregimeve kinematografike.

Koncerti i hapjes së Chopin Piano Fest në Prishtinë
Më 7 maj, në bashkëpunim me Chopin Piano Fest, u mbajt koncerti hapës në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, me pianisten e njohur polake Maria Gabris-Hejke. Koncerti solli muzikën klasike evropiane në zemër të qytetit, që tashmë është bërë një koncert tradicional i Ditës së Evropës.

Karvani i fëmijëve për Ditën e Evropës
Në datat 7–9 maj, Karvani i Fëmijëve ndaloi në Fushë Kosovë, Pejë dhe Prishtinë me aktivitete edukative, punëtori krijuese dhe lojëra që promovuan bashkëpunimin, imagjinatën dhe solidaritetin tek më të vegjlit. Aktivitetet u zhvilluan në sheshe publike dhe shkolla, duke angazhuar qindra fëmijë dhe prindër.

Ekspozita “Evropa në miniaturë” me BONEVET
Më 9 maj, në Europe House Prishtinë u hap ekspozita “Evropa në miniaturë” në bashkëpunim me BONEVET, ku fëmijët prezantuan monumente evropiane të modeluara 3D, të realizuara përmes teknologjisë së prerjes së drurit me laser dhe kreativitetit të tyre.

Programi i Ditës së Evropës në Prishtinë 

Më 9 maj, Sheshi Zahir Pajaziti në Prishtinë u shndërrua në një hapësirë festive që mirëpriti mijëra qytetarë. Programi përfshiu:

  • Panairin e Team Europe, me pjesëmarrjen e ambasadave të shteteve anëtare.
  • Intonimi i himnit të Bashkimit Evropian nga Orkestra e shkollës Faik Sylka dhe programi muzikor për fëmijë nga Kori Okarina.
  • Koncertin e mbrëmjes me artistët Yll Matoshi, Diana Mehmetaj & Band, Majlinda Cikaqi & Band dhe Capital T, që sollën energji dhe atmosferë festive.

 Koncerti në Mitrovicë të Veriut
Në mbrëmjen e 9 majit, në Mitrovica Rock School Pub u organizua koncertin festiv me bendet The Bad Week dhe Something Went Wrong, duke përfshirë të rinj dhe dashamirë të muzikës alternative në një mbrëmje plot energji.


Startup Europe Week 2025
Nga data 12–16 maj, në bashkëpunim me ICK, u zhvillua Java Evropiane e Startup-eve me sesione mbi AI dhe sigurinë kibernetike, mentorim, rrjetëzim dhe prezantime nga përfitues të fondeve të BE-së. Pjesëmarrësit patën rastin të eksplorojnë mundësitë për bashkëpunim dhe zhvillim përmes rrjeteve si EEN dhe EYE. Ngjarja përmbylli aktivitetet e këtij muaji duke fuqizuar komunitetin inovativ dhe sipërmarrës në Kosovë.