Gusht 7, 2025 | Thursday
Me synim të qartë dhe ambicioz në thelbin e vet, për t’i pajisur të rinjtë dhe të rejat me njohuritë, shkathtësitë dhe motivimin për të vepruar në mbrojtje të mjedisit dhe për të kontribuar në mënyrë kuptimplote në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ), si dhe me mbështetjen e BE-së, projekti “Të Rinjtë për një të Ardhme të Qëndrueshme” i ka fuqizuar të rinjtë dhe të rejat nga Bashkia Lushnjë (Shqipëri) dhe Komuna e Fushë Kosovës (Kosovë).
Kjo iniciativë ndërkufitare u zbatua nga Milieukontakt Albania dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në Kosovë. Edhe pse zyrtarisht u zhvillua nga janari deri në nëntor 2024, tek përfituesit aktivitetet e zbatuara gjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit kanë pasur ndikim të qëndrueshëm dhe afatgjatë, i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Përmes vetëdijesimit mjedisor, edukimit qytetar dhe shkëmbimit ndërkombëtar rinor, projekti “Të Rinjtë për një të Ardhme të Qëndrueshme” ka shërbyer si model praktik për përfshirjen e rinisë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe si shembull i fuqishëm i forcimit të bashkëpunimit rajonal përmes vlerave dhe veprimeve të përbashkëta.
Me përfshirjen e mirëfilltë dhe praktike në aktivitete të bazuara në komunitet që e përmirësuan drejtpërdrejt mjedisin që këta të rinj e të reja e quajnë vendlindje përmes intervenimeve afatgjatë dhe me fokus të veçantë në OZHQ 6 (ujë i pastër dhe kanalizime), OZHQ 11 (qytete të qëndrueshme), OZHQ 13 (veprim klimatik) dhe OZHQ 15 (jeta në tokë), gjatë gjithë vitit, pjesëmarrësit morën pjesë në një gamë të larmishme aktivitetesh të dizajnuara për të zhvilluar si kompetencat mjedisore ashtu edhe angazhimin qytetar.
Aktivitetet përfshinë pastrimin e zonave të ndotura, mbjelljen e drunjve në oborret e shkollave dhe hapësirat publike, instalimin e kantave për ndarje të mbeturinave dhe organizimin e sesioneve të hapura informuese që përfshinë më shumë se 600 nxënës. Të rinjtë e të rejat morën pjesë gjithashtu në vizita edukative në kompani të riciklimit, krijuan ekspozita duke përdorur materiale të ricikluara, si dhe morën pjesë në një kamp veror ndërkufitar të mbajtur në Lushnjë. Këto përvoja u ndihmuan të zhvillojnë kapacitete konkrete për aktivizëm mjedisor, duke rritur gjithashtu vetëdijesimin e tyre për rolin e fuqishëm që mund të luajnë në komunitetet e tyre si krijues ndryshimi.
Ajo që e bëri këtë projekt të dallohej ishte qasja e tij gjithëpërfshirëse dhe interaktive. Ai krijoi një ndjenjë të fortë pronësie dhe përgjegjësie mes pjesëmarrësve të rinj. Qoftë nga organizimi i pastrimeve të lagjeve, mbjellja e drunjve apo krijimi i artit nga materiale të ripërdorura, të rinjtë e të rejat arritën të kuptonin, përmes veprimit të drejtpërdrejtë, lidhjen jetësore midis shëndetit mjedisor dhe mirëqenies së komunitetit. Mësimnxënia përmes veprimit rezultoi të ishte një nga elementët më të suksesshëm të iniciativës, me efekte afatgjata në mënyrën si mendojnë dhe reagojnë të rinjtë e të rejat ndaj çështjeve mjedisore.
Një komponent veçanërisht me ndikim i projektit ishte kampi veror ndërkufitar. Për tri ditë, të rinj e të reja nga Shqipëria dhe Kosova u bënë bashkë për një program angazhues që përfshinte punëtori me temë OZHQ-të, lojëra edukative, vizita kulturore dhe aktivitete komunitare. Përtej mësimnxënies dhe ndarjes së njohurive, ky shkëmbim ndihmoi në ndërtimin e një identiteti të përbashkët rajonal të rrënjosur në qëndrueshmëri. Përmes ndërveprimit të drejtpërdrejtë, të rinjtë e të rejat nga të dy vendet forcuan lidhjet e solidaritetit, empatisë dhe bashkëpunimit për çështje që i tejkalojnë kufijtë.
Mbështetja e Bashkimit Evropian ishte themelore, jo vetëm në ekzekutimin teknik të projektit, por edhe në zgjerimin e ndikimit të tij si në nivel lokal ashtu edhe në atë rajonal. Përtej ofrimit të resurseve financiare, përfshirja e BE-së i dha besueshmëri dhe dukshmëri projektit në sytë e komunitetit lokal dhe institucioneve publike. Prania dhe angazhimi i përfaqësuesve komunalë në aktivitete të ndryshme, nga pastrimet e lagjeve deri te ekspozitat kreative, pasqyroi mbështetjen e gjerë institucionale dhe qytetare që fitoi projekti. Për më tepër, iniciativa ndihmoi në forcimin e bashkëpunimit midis organizatave të shoqërisë civile dhe autoriteteve lokale, një element krucial për ndërtimin e politikave të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Në një kohë kur sfidat mjedisore dhe sociale janë gjithnjë e më të ndërlidhura, Projekti “Të Rinjtë për një të Ardhme të Qëndrueshme” paraqet një shembull të suksesshëm si mund të nxiten vetëdijesimi mjedisor dhe solidariteti rajonal përmes angazhimit aktiv të të rinjve e të rejave. Projekti i dha të rinjve e të rejave një zë të vërtetë në formësimin e ardhmërisë së komuniteteve të tyre – dhe tregoi se kur fuqizohen, ata nuk janë vetëm pjesëmarrës në zhvillim, por edhe udhëheqës të tij.