Tetor 8, 2025 | Wednesday

 Pse Young Cell Scheme? 

Intervistë me Besart Kastratin, përfitues i bursës master (rundit XV) Young Cell Scheme të mbështetur nga BE-ja në Kosovë dhe Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës. 

1. Cila ka qenë shtytja për të aplikuar për programin Young Cell Scheme?

Programi Young Cell Scheme (YCS) është një ndër skemat më prestigjioze të bursave në Kosovë, dhe si i tillë ka qenë një objektiv i rëndësishëm për të avancuar profilin tim akademik dhe profesional. Si një individ i përkushtuar ndaj edukimit të vazhdueshëm dhe zhvillimit personal e profesional, YCS më është dukur mundësia ideale për të përmbushur ambiciet e mia në karrierë. Programi jo vetëm që ofron një platformë unike për të thelluar dijet dhe përvojën, por gjithashtu përkon në mënyrë të përsosur me synimet e mia për të kontribuar në ndërtimin e kapaciteteve dhe përfaqësimin e Kosovës në nivel ndërkombëtar. Motivimi im kryesor ka qenë mundësia për të fituar njohuri të specializuara dhe për të krijuar një rrjet profesional ndërkombëtar, të cilat do të më ndihmojnë të jap një kontribut të rëndësishëm në shërbimin publik të Kosovës.

2. Çfarë studime themelore keni përfunduar dhe cilat kanë qenë ambiciet tuaja profesionale e akademike para pranimit të bursës së programit YCS?

Kam përfunduar studimet themelore në Rochester Institute of Technology (RIT) në Kosovë, me një diplomë në Ekonomi dhe Statistikë, me fokus shtesë në Menaxhim dhe Politika Publike. Këto studime më kanë pajisur me një bazë të fortë teorike dhe praktike, duke më mundësuar të zhvilloj aftësi analitike dhe strategjike të nevojshme për të adresuar çështje komplekse. Para pranimit në YCS, ambicia ime kryesore ka qenë të specializohem në fushën e diplomacisë, me një interes të veçantë për politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Kur aplikimi për YCS u nda në kategori, zgjodha diplomacinë si fushën ku dëshiroja të thelloja njohuritë dhe të zgjeroja horizontin tim profesional. Pjesëmarrja në YCS ka qenë një hap natyral dhe vendimtar për të realizuar këto ambicie, duke më ofruar mundësinë për të mësuar nga ekspertë ndërkombëtarë dhe për të kontribuar në forcimin e pozicionit të Kosovës në arenën globale.

3. A mund të na tregosh më shumë për programin tënd të studimeve? Cilat kanë qenë universitetet në të cilat ke ndjekur shkollimin, si ka qenë programi si dhe në përgjithësi përvojat në universitet/e?

Programi im i studimeve në kuadër të YCS ka qenë në drejtimin e Tregtisë dhe Diplomacisë për Klimën në Bashkimin Evropian, i ofruar nga LUISS School of Government në Itali – një ndër institucionet më prestigjioze për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Itali – në bashkëpunim me CIFE (Centre International de Formation Européenne) në Francë, një institucion i njohur për qasjen e tij inovative dhe ligjërues nga fusha të ndryshme globale. 

Programi ka kombinuar një qasje teorike dhe praktike, duke u fokusuar në çështje kyçe si politika tregtare e BE-së, diplomacia klimatike dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Përvoja akademike është pasuruar nga ligjërues të shquar dhe liderë të fushës, të cilët kanë ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre, duke krijuar një mjedis stimulues për të mësuar dhe për të ndërtuar një rrjet profesional ndërkombëtar.

Programi është zhvilluar në tre shtete të ndryshme, duke ofruar një përvojë unike kulturore dhe akademike. Filluam në Romë, Itali, ku energjia vibrante e qytetit, trashëgimia e pasur kulturore dhe atmosfera mikpritëse krijuan një sfond të mrekullueshëm për studimet tona. Më pas, vazhduam në Berlin, Gjermani, ku pavarësisht klimës më të ftohtë, ngrohtësia e njerëzve dhe dinamika e qytetit modern e bënë përvojën të paharrueshme.

Pjesa e fundit e programit u zhvillua në Rivierën Franceze, me qendër në Nice, një nga destinacionet më magjepsëse të Evropës. Bukuria e brigjeve të Côte d’Azur, nga plazhet elegante të Nice-s dhe Cannes-it deri te shkëlqimi i Monacos, krijoi një sfond të jashtëzakonshëm për përmbylljen e programit. 

Këto qytete jo vetëm që ofruan një mjedis të pasur kulturor, por edhe mundësi për të krijuar lidhje të forta me kolegë dhe profesionistë nga e gjithë bota. Kjo përvojë ka qenë një kombinim i rrallë i rritjes akademike, profesionale dhe personale, dhe mbetet një nga aventurat më të bukura të jetës sime.

4. Si e sheh programin YCS dhe ndërlidhjen e tij me kontributin në shërbimin civil?

Programi Young Cell Scheme luan një rol të pazëvendësueshëm në forcimin e kapaciteteve të shërbimit civil në Kosovë. YCS jo vetëm që mbush boshllëqet në fusha të ndryshme të administratës publike, por sjell edhe një energji të re, qasje inovative dhe përvojë ndërkombëtare. 

Si alumni të YCS, ne sjellim një bagazh të pasur akademik dhe profesional, i cili jo vetëm që plotëson kujtesën institucionale, por edhe e pasuron atë me ide të reja dhe praktika më të mira ndërkombëtare. 

Programi ndihmon në ndërtimin e një brezi të ri profesionistësh të aftë për të adresuar sfidat aktuale dhe të ardhshme të Kosovës, duke kontribuar në zhvillimin e institucioneve tona dhe në përparimin e agjendës euroatlantike të vendit. 

YCS është një investim strategjik në kapitalin njerëzor, i cili siguron që shërbimi civil të jetë i pajisur me njohuri, energji dhe vizion për të përballuar dinamikat e një bote gjithnjë e më komplekse.

5. Në cilin institucion publik të Kosovës je i angazhuar tashmë, dhe si e sheh tash pas kthimit nga studimet kontributin tënd në institucionin përkatës publik?

Pas kthimit nga programi, jam angazhuar në shërbimin diplomatik të Kosovës, konkretisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në Departamentin për Amerikën. Përvojat e para në këtë rol kanë qenë jashtëzakonisht pozitive dhe kanë forcuar bindjen time për rëndësinë e përfaqësimit të denjë të Kosovës në arenën ndërkombëtare. 

Pas kthimit nga studimet, kontributi im në ministri fokusohet në avancimin e politikës së jashtme të Kosovës, duke u mbështetur në njohuritë dhe përvojën e fituar gjatë YCS. Synimi im është të kontribuoj në forcimin e marrëdhënieve bilaterale, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, duke promovuar vlerat tona të përbashkëta dhe duke punuar për thellimin e bashkëpunimit euroatlantik. Të qenit pjesë e MPJD është një nder dhe privilegj, por gjithashtu një përgjegjësi e madhe për të përfaqësuar shtetin dhe kombin tonë me përkushtim, si dhe për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi në skenën globale.

6. Pse do ta rekomandonit programin YCS për të rinjtë dhe të rejat nga Kosova? Cilat i konsideroni si përfitimet më të çmuara nga programi?

Programi Young Cell Scheme është një mundësi e jashtëzakonshme për të rinjtë dhe të rejat nga Kosova që synojnë të avancojnë dijet dhe karrierën e tyre në një mjedis ndërkombëtar. 

Unë do ta rekomandoja këtë program për shkak të vlerës së jashtëzakonshme që ofron në zhvillimin akademik, profesional dhe personal. YCS u mundëson përfituesve të ndjekin studime në universitete elitare të Bashkimit Evropian, ku përfitojnë njohuri të thelluara dhe një qasje praktike në fusha strategjike duke i përgatitur ata për të përballuar sfidat globale. 

Për më tepër, programi ofron mundësinë për të krijuar një rrjet të vlefshëm profesional përmes lidhjeve me ekspertë dhe kolegë nga e gjithë bota, i cili shërben si një aset i rëndësishëm për karrierën e ardhshme.

Përvoja kulturore është një tjetër aspekt unik, pasi studimet zhvillohen në qytete të mrekullueshme, ku pasuria historike dhe kulturore e bën çdo moment një udhëtim të paharrueshëm jetësor. Së fundmi, jam shumë i bindur që YCS përgatit profesionistë të aftë për të sjellë ndryshime pozitive në shërbimin civil të Kosovës dhe për të përfaqësuar vendin me dinjitet në çdo fushë, duke kontribuar kështu në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për Kosovën. Për të gjithë ata që duan të realizojnë potencialin e tyre dhe të lënë gjurmë në shoqëri, YCS është një adresë e pazëvendësueshme.