Korrik 30, 2025 | Wednesday

Çfarë është e ardhmja? ANIBAR 2025!

Çdo verë, diçka magjike ndodh në qytetin e Pejës. Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, organizata ANIBAR, që qëndron pas festivalit të vetëm ndërkombëtar të animacionit në Kosovë, i jep jetë qytetit përmes shprehjes së animuar, reflektimit qytetar dhe eksperimentit artistik. 

Tashmë në edicionin e 16-të, ANIBAR është bërë më shumë sesa thjesht një festival. Është një platformë dialogu, rezistence dhe gëzimi; një hapësirë ku krijuesit vendas dhe ndërkombëtarë mblidhen për ta rimenduar botën përmes imazheve në lëvizje dhe angazhimit me komunitetin.

Për 16 vjet, ANIBAR ka përdorur animacionin si një mjet të fuqishëm për të trajtuar çështje shoqërore, për të ndërtuar ura bashkëpunimi përtej kufijve dhe për të nxitur biseda kuptimplote. Nga Peja në botë, festivali vazhdon t’i japë zë mesazheve të fuqishme shoqërore përmes gjuhës universale të artit. 

Festivali i vetëm ndërkombëtar i animacionit në Kosovë çdo vit zhvillohet rreth një teme të ndryshme. I organizuar nën temën “WTF” (shkurt nga gjuha angleze për What’s the Future, në gjuhën shqipe Çfarë është e ardhmja), edicioni i sivjetmë, i mbajtur nga 14 deri më 20 korrik, mblodhi artistë në Pejë për të vënë në pikëpyetje të ardhmen. Përmes filmave të animuar që trajtojnë tema nga kolapsi klimatik deri te politikat e identitetit, ANIBAR 2025 ftoi audiencën e vet jo vetëm të reflektojë për botën përreth, por edhe ta vërë në pikëpyetje atë dhe të guxojë ta imagjinojë ndryshe, më mirë. “WTF?!” nuk është një temë konceptuale; është një reagim i sinqertë dhe emocional ndaj asaj që po ndodh përreth nesh. “Gjendja e përgjithshme në botë – pasiguria, tensionet, polarizimi, luftërat – ka ndikuar thellësisht në mënyrën si e përjetojmë realitetin’”, tha drejtorja e festivalit, znj. Arba Hatashi, duke e shpalosur temën e këtij viti. “Ky edicion shënon një kthesë drejt spontanitetit dhe eksperimentimit. Po ndërtojmë lidhje me komunitetet. Nuk po ndajmë vetëm artin, por edhe mënyrën se si arti mund të lidhet me njerëzit në mënyrë të thellë dhe të mirëfilltë. Animacioni ka fuqinë të krijojë realitete të reja, pa iu bindur logjikës tradicionale. Është zëri i atyre që nuk dëgjohen, formë e ndjenjave, armë e ideve.” 

Duke e vendosur animacionin në qendër, jo si argëtim, por si mjet shprehës që kapërcen kufijtë, përtej shfaqjes së filmave, këtë vit, ANIBAR e përqendroi energjinë në edukim, komponent të mbështetur me krenari nga BE përmes dy projekteve të ndryshme të implementuara nga ANIBAR. 

Tri punëtori të udhëhequra nga tre ekspertë/e të njohur/a nga Kosova dhe Serbia, aktivitete të projektit “Nxitja e partneriteteve dhe dialogut të qëndrueshëm: Bashkëpunimi i në art dhe kulturë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”  të financuar nga BE dhe të implementuar nga ANIBAR, u dhanë mundësi të rinjve të mësonin teknika të teatrit të shpellës, si dhe të ilustrimit dhe rrëfimit të historive. 

Nga ana tjetër, Eko-Foleja (Eco-Nest), implementuar si pjesë e projektit Horizontet e Gjelbra (Green Horizons)  të financuar nga BE, shpalosi përpjekjen e përbashkët nga BE dhe ANIBAR për ta përfshirë ndërgjegjësimin mjedisor në hapësirat kulturore publike.

Punëtoria e shkrimit, drejtuar nga Uresa Ahmeti

Së pari, ndiej mirënjohje të thellë që më është dhënë rasti të punoj me një grup kaq të larmishëm. Nga mosha dhe prejardhja etnike, te seksualiteti dhe gjinia, ky rreth i vogël dhe i ngushtë bën bashkë njerëz me përvoja dhe këndvështrime të ndryshme jetësore. Është pikërisht kjo pasuri që po e thellon procesin. Gjatë sesioneve, kemi trajtuar tema personale dhe lidhjen e tyre me sisteme dhe kuriozitete më të mëdha shoqërore, politike dhe kulturore. Kjo përbën gjithashtu zgjerim dhe pasurim të programit të festivalit ANIBAR, si dhe temës së këtij viti, WTF.

Temat kanë përfshirë gamë të gjerë, nga maskuliniteti toksik, dylberizmi apo identiteti queer dhe hareja queer, dhuna me bazë gjinore, konfliktet e identitetit etnik nga këndvështrimi i diasporës, krimet e urrejtjes të bazuara në identitet, e deri te dashuria”, tha Uresa Ahmeti, aktiviste, shkrimtare dhe artiste performuese nga Kosova, e cila udhëhoqi punëtorinë e shkrimit në kuadër të këtij edicioni të ANIBAR.


Falë kësaj punëtorie, gjatë një periudhe shtatëditore, pjesëmarrësit patën mundësinë të zhvillonin tekste që trajtonin drejtësinë, identitetin dhe rezistencën, duke punuar në grupe dhe duke reflektuar përmes udhëzimeve të strukturuara. Ata mësuan ta përdorin shkrimin si mjet për të ndikuar diskursin publik. Për disa prej tyre, kjo ishte hera e parë që merrnin pjesë në një punëtori shkrimi, dhe shprehën falënderimin e tyre ndaj BE-së për mundësinë që të shkruajnë në një hapësirë të sigurt dhe përfshirëse. 

Punëtoria e ilustrimit, drejtuar nga Marko Dješka 

Artisti kroat i komikëve dhe regjisori i animacionit, Marko Dješka, u rikthye në ANIBAR me edicionin e dytë të punëtorisë për realizimin e fanzinës komike të stilit “bëje vetë” apo DIY (shkurt nga gjuha angleze për Do It Yourself) për ANIBAR-in. Këtë herë, punëtoria ishte më energjike, më bashkëpunuese dhe më ambicioze.

Këtë vit, punëtoria e dytë për fanzinën komike DIY për ANIBAR-in është edhe më produktive se ajo e vitit të kaluar, që vetë ishte jashtëzakonisht e suksesshme! Duke marrë parasysh gamën e talentit të këtij grupi të të rinjve që kanë shfaqur interesim të madh për të mësuar një medium të ri dhe për të përdorur softuerë për redaktimin dhe përgatitjen e zinës për shtyp, padyshim që edicioni #2 i fanzinës për ANIBAR-in dhe më pas revista e re e festivalit ANIBAR, do të jenë një shtesë e shkëlqyer në rezultatet e njërit prej festivaleve më tërheqëse të animacionit në botë, ANIBAR në Kosovë”, tha Dješka për punën që po bëjnë gjatë kësaj punëtorie. 

Shkrimet që do të dalin nga punëtoria me Uresa Ahmetin dhe ilustrimet nga punëtoria me Marko Dješka do të jenë pjesë e fanzinës së ANIBAR. 

Punëtoria e teatrit të shpellës, drejtuar nga Ana Pinter

E frymëzuar nga arti parahistorik në shpella dhe performancat me hije, punëtoria e drejtuar nga regjisorja serbe e teatrit Ana Pinter ftoi fëmijët dhe të rinjtë të krijonin një pjesë teatrale duke përdorur vetëm shkumës, dritë, lëvizje dhe mit.

“Nuk është hera e parë që vij në festivalin ANIBAR. Dy vitet e fundit kam qenë pjesë e publikut dhe me kohë jam bërë adhuruese e programit dhe kam krijuar lidhje të thella dhe miqësi me organizatorët, koordinatorët dhe vullnetarët e mrekullueshëm dhe bujarë të festivalit ANIBAR. Ky vit është i veçantë, sepse jam gjithashtu pjesë e programit si drejtuese punëtorie. Doja t’ua prezantoja konceptin e teatrit të shpellës më të rinjve të komunitetit vendas, pasi e shoh atë si një version të lashtë analog me artin e animacionit. Për të krijuar këtë formë arti, mjafton të jesh kureshtar dhe lozonjar, si dhe të kesh një mur të zi, shkumës, llambë, imagjinatë dhe grup miqsh. Pak a shumë, për mua, kjo është ajo që përfaqëson ANIBAR”, tha Ana Pinter për përvojën e saj në edicionin e këtij viti të festivalit si lehtësuese punëtorie. 

Në punëtorinë e teatrit të shpellës, pjesëmarrësit zhvilluan, projektuan dhe interpretuan një pjesë teatrale të bazuar në një legjendë popullore shqiptare. Procesi krijues u përqendrua në artin vizual dhe muzikor, në lojën e dritës dhe hijes. Në një përvojë kolektive, argëtuese, krijuese dhe me zero mbetje, pjesëmarrësit evokuan ndjesi arketipash dhe atmosferë ritualesh. 

Eko-Foleja (Eco-Nest): Aty ku arti takohet me tranzicionin e gjelbër

Në kuadër të përpjekjeve më të gjera të festivalit ANIBAR për të integruar ndërgjegjësimin mjedisor në hapësirat publike kulturore, këtë vit Eco-Nest u konceptua si një mjedis i hapur, i qasshëm dhe krijues ku anëtarët e komunitetit, artistët dhe vizitorët e festivalit patën rastin të përfshihen drejtpërdrejt në temat e qëndrueshmërisë, ekonomisë qarkore, riciklimit dhe jetesës së gjelbër,  përmes instalimeve artistike dhe pjesëmarrëse. 

Qëllimi i Eco-Nest ishte të prezantojë temat mjedisore në një format shumë vizual dhe interaktiv, duke nxitur të mësuarit përmes përvojës. Në vend të ligjëratave apo prezantimeve tradicionale, Eco-Nest përdori artin, lojën dhe aktivitetet praktike për të lidhur publikun e të gjitha moshave me idetë e ripërdorimit, riciklimit dhe praktikave të qëndrueshme në mënyrë lozonjare, të kapshme dhe të drejtuar nga komuniteti. 

Hapësira e Eco-Nest ishte plotësisht e hapur për publikun dhe dizajni i instalimeve siguroi përfshirjen e njerëzve të moshave, aftësive dhe prejardhjeve të ndryshme.