Shtator 10, 2025 | Wednesday
Një intervistë me artistët
Dy fotografë të rinj, Festa Ramoja dhe Lum Hajrullahu, u bënë bashkë në një ekspozitë unike që u hap në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë më 20 gusht 2025.
E titulluar “Vështrime të Reja”, ekspozita bashkon zërat e tyre të ndryshëm vizualë, me secilin që eksploron vrullin e papërpunuar të perceptimit në fillimet e jetës. Përmes subjekteve dhe atmosferave të ndryshme, fotografitë e tyre shpërfaqin mënyrat si i mprehin emocionet, thellojnë kontrastet dhe e paraqesin botën në mënyra sa intime aq edhe të gjera.

Së bashku, këto fotografi flasin për dualitetin e vizionit rinor: njëri është i afërt, njerëzor dhe i prekshëm; tjetri është i largët, spektral dhe i gjerë. Të dy na e tregojnë se vështrimet rinore përcaktohen nga intensiteti me të cilin ndihet bota – qoftë në vrullin e prekjes apo në soditjen e qetë të asaj që shtrihet përtej të dukshmes.
Ne folëm me të dy artistët për të mësuar më shumë rreth praktikës së tyre, si e shohin fotografinë sot dhe çfarë e shtyn motivimin e tyre për të dokumentuar në formën e fotografisë.
Lexoni intervistat më poshtë.
“Fotografia ime është mënyra se si e shoh botën”
Intervistë me Festa Ramojan
Shtëpia e Evropës në Kosovë: Si u ndjetë kur e prezantuat punën tuaj krah për krah me një artist tjetër në këtë ekspozitë të përbashkët? Si dialogon puna juaj me punën e kolegut tuaj?
Festa Ramoja: Duke i parë punimet tona krah për krah, krijohet një dialog i bukur midis stileve tona, mendoj se kjo u jep edhe më shumë bukuri të dyja praktikave!
Shtëpia e Evropës në Kosovë: Kur shikoni fotografitë e njëri-tjetrit, ku vini re ngjashmëri ose ndryshime në mënyrën si e paraqisni botën? Çfarë ju bën përshtypje, që mendoni se duhet të kapet dhe dokumentohet përmes fotografisë? Si ju bën të reflektoni mbi praktikën tuaj fotografike kur i shihni punimet tuaja përballë punimeve të një fotografi tjetër?
Festa Ramoja: Lumi ka një stil shumë dokumentar dhe emocional, fotot e tij kapin njerëz, rrugë dhe momente reale të jetës. Fotot e mia ndoshta kanë më shumë ngjyra, dritë-hije, momente intime të njerëzve, diku midis natyrës dhe ndjeshmërisë intime. Vendosja e punimeve tona së bashku krijon një kontrast interesant dhe më bën të reflektoj shumë mbi mënyrën si i tregoj unë storjet.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: Çfarë e nxit zakonisht impulsin tënd për të shkrepur foto, çfarë lloj momentesh ose detajesh ta përshpejtojnë pulsin si fotografe?
Festa Ramoja: Zakonisht janë detaje të vogla dhe intime të njerëzve, një dritë, mosha në lëkurë, një shprehje kalimtare ose një moment i qetë i njerëzve të mi… në një farë mënyre një person vendoset në lidhje me kohën, trupin dhe vetminë.
Shtëpia e Evropës në Kosovë: Si do ta përshkruanit qasjen tuaj personale ndaj fotografisë, a e shihni më shumë si dokumentim të realitetit, apo si një formë të shprehjes personale?
Festa Ramoja: Fotografia ime është më shumë një shprehje personale e mënyrës si e shoh botën.
Shtëpia e Evropës në Kosovë: Çfarë roli luan fotografia në jetën tuaj të përditshme dhe në mënyrën si e kuptoni veten dhe shoqërinë përreth jush? A të bën kjo vëzhguese më kujdesshme?
Festa Ramoja: Fotografia më ndihmon të ngadalësohen, të shoh më shumë gjëra dhe të kuptoj. Është kthyer në një mënyrë për ta kuptuar veten dhe njerëzit përreth meje.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: Si artistë të rinj, si i përjetoni sfidat dhe mundësitë e punës me fotografinë sot?
Festa Ramoja: Është e vështirë të fitosh vëmendje dhe resurse, por edhe emocionale në momentin kur krijon lidhje me të tjerët.
Shtëpia e Evropës në Kosovë: A mendoni se rritja e shpejtë e teknologjisë – telefonat inteligjentë, mjetet e inteligjencës artificiale, rrjetet sociale – e kërcënon apo pasuron vlerën e fotografisë si art?
Festa Ramoja: Mendoj se është një sfidë dhe kërkon shumë përpjekje për t’u dalluar si artist.
Shtëpia e Evropës në Kosovë: Çka do të thotë për ty të jesh fotografe e ri në Kosovë në këto kohë, cilat janë vështirësitë dhe frymëzimet unike që formësojnë rrugën tënde?
Festa Ramoja: Është shumë e rëndësishme për mua sepse po kap një vend dhe kulturë që po ndryshon, me sfida, por që më frymëzon edhe më shumë për të ndarë këndvështrimin tim.
“Për të qenë fotograf i mirë, duhet të bëhesh njësh me atë që po kap, të bëhesh pjesë e saj”
Intervistë me Lum Hajrullahun
Shtëpia e Evropës në Kosovë: Si u ndjetë kur e prezantuat punën tuaj krah për krah me një artist tjetër në këtë ekspozitë të përbashkët? Si dialogon puna juaj me punën e kolegut tuaj?
Lum Hajrullahu: Ndihem shumë mirë, sidomos kur veç e di me kë po ekspozon. E njoh Festën nga Fakulteti i Arteve, dhe meqenëse të dy ndajmë të njëjtin interes për fotografinë, bashkëpunimi u duk i natyrshëm dhe i lehtë. Nuk kam ndjerë kurrë se ka pasur ndonjë problem me dialogun midis punimeve tona. Edhe në këtë ekspozitë, procesi ka qenë i rrjedhshëm dhe frymëzues.
Shtëpia e Evropës në Kosovë: Kur shikoni fotografitë e njëri-tjetrit, ku vini re ngjashmëri ose ndryshime në mënyrën si e paraqisni botën? Çfarë ju bën përshtypje, që mendoni se duhet të kapet dhe dokumentohet përmes fotografisë? Si ju bën të reflektoni mbi praktikën tuaj fotografike kur i shihni punimet tuaja përballë punimeve të një fotografi tjetër?
Lum Hajrullahu: Edhe pse të dy jemi fotografë që punojmë në të njëjtin medium, qasjet tona janë shumë të ndryshme. Unë kam prirje të punoj kryesisht bardh e zi, duke u dhënë imazheve të mia një ndjesi nostalgjie. Njerëzit shpesh më pyesin nëse kam përdorur aparat fotografik analog, dhe kjo është pikërisht çka më pëlqen, që mund të krijoj fotografi në një mjedis modern, por prapëseprapë t’u jap atyre atë ndjesi të përjetshme.
Nga ana tjetër, sa herë që shoh fotografitë e Festës, ato më kujtojnë bukurinë e fotografisë me ngjyra. Ato më bëjnë të reflektoj në mënyrë më kritike mbi punën time. Më shtyjnë ta shoh fotografinë ndryshe, dhe e vlerësoj shumë atë dinamikë mes nesh.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: Çfarë e nxit zakonisht impulsin tënd për të shkrepur foto, çfarë lloj momentesh ose detajesh ta përshpejtojnë pulsin si fotografe?
Lum Hajrullahu: Për mua, është kaos, atë që unë do ta quaja kaos të organizuar. Sa herë që e shoh përmes objektivit, ndiej menjëherë një dëshirë të fortë të shkrep foto. Shpesh në fotografi, njerëzit përpiqen të kapin vetëm bukurinë duke e injoruar kaosin, ose e shikojnë me keqardhje. Unë bëj të kundërtën: Dua të kap papërpunueshmërinë e tij.
Mendoj se kjo vjen nga rritja në një mjedis dhe qytet kaotik. Shpesh kam parë fotografë që përpiqen ta portretizojnë Prishtinën si diçka që nuk është, duke i mbyllur sytë ndaj asaj që e quajnë anën e “shëmtuar”. Personalisht, nuk e gjej aspak të shëmtuar; gjej bukuri brenda saj. Siç thotë edhe shprehja, nuk duhet ta gjykosh një libër nga kopertina e tij.
Shtëpia e Evropës në Kosovë: Si do ta përshkruanit qasjen tuaj personale ndaj fotografisë, a e shihni më shumë si dokumentim të realitetit, apo si një formë të shprehjes personale?
Lum Hajrullahu: Unë e shoh si të dyja, dokumentimin e realitetit dhe njëkohësisht shprehjen e vetes. Fotografia, për mua, është një nga mjetet më të mira për shprehjen e vetvetes, sepse të lejon të marrësh diçka nga mjedisi përreth dhe ta kthesh atë në diçka personale. Ai ekuilibër midis realitetit dhe shprehjes është çka më duket më interesante.
Shtëpia e Evropës në Kosovë: Çfarë roli luan fotografia në jetën tuaj të përditshme dhe në mënyrën si e kuptoni veten dhe shoqërinë përreth jush? A të bën kjo vëzhguese më kujdesshme?
Lum Hajrullahu: Për të qenë fotograf i mirë, mendoj se duhet të bëhesh njësh me atë që po kap, të bëhesh pjesë e saj, jo thjesht vëzhgues nga jashtë. Kjo ka qenë gjithmonë e rëndësishme për mua.
Përmes fotografisë, kam fituar një kuptim më të thellë të njerëzve që dokumentoj. Shpesh, ndalem dhe flas me ta. Për shembull, një seri që bëra ishte për fëmijët romë në stacionin e trenit në Pejë. Nuk kisha planifikuar t’i takoja, isha atje vetëm për të fotografuar stacionin. Por rastësisht, përfundova duke folur me ta dhe duke mësuar rreth vështirësive të tyre. Ai moment e ndryshoi vërtet këndvështrimin tim për fotografinë.

Shtëpia e Evropës në Kosovë: Si artistë të rinj, si i përjetoni sfidat dhe mundësitë e punës me fotografinë sot?
Lum Hajrullahu: Sigurisht, fotografia ka sfidat e veta, edhe pse mund të duket e thjeshtë sepse është kaq e qasshme sot. Ka sfida të lidhura me mjediset që zgjedhim për të fotografuar. Për mua, protestat janë gjithmonë sfiduese. I kam fotografuar që kur isha 14 vjeç, dhe ndërkohë që gjithmonë më kanë tërhequr, tensioni që sjellin mund të jetë mbytës.
Një tjetër sfidë e madhe ka qenë hapësira, të kesh një vend për të krijuar dhe eksploruar. Kam qenë me fat që e kam Termokiss-in si hapësirë për të punuar, por e di që shumë fotografë të rinj nuk e kanë këtë mundësi deri në universitet.
Sa i përket mundësive, vetë fotografia është njëra prej tyre. Gjithmonë hap dyer, krijon mundësi dhe të lejon ta çosh punën tënde në drejtime të ndryshme.
Shtëpia e Evropës në Kosovë: A mendoni se rritja e shpejtë e teknologjisë – telefonat inteligjentë, mjetet e inteligjencës artificiale, rrjetet sociale – e kërcënon apo pasuron vlerën e fotografisë si art?
Lum Hajrullahu: Në disa mënyra, e pasuron fotografinë, por në mënyra të tjera, e kërcënon atë.
Telefonat inteligjentë janë gjë e mirë sepse e bëjnë fotografinë të qasshme për të gjithë. Kushdo mund të fillojë si fotograf vetëm me një telefon dhe ndoshta më vonë të kalojë te një aparat fotografik.
Por inteligjenca artificiale është kërcënim. Ajo e rrezikon fotografinë në të njëjtën mënyrë që i rrezikon format e tjera të artit, kryesisht për shkak të mënyrës si përdoren fotografitë për të gjeneruar imazhe me anë të inteligjencës artificiale. Në shumë raste, ndihet si një formë plagjiature.
Shtëpia e Evropës në Kosovë: Çka do të thotë për ty të jesh fotografe e ri në Kosovë në këto kohë, cilat janë vështirësitë dhe frymëzimet unike që formësojnë rrugën tënde?
Lum Hajrullahu: Siç themi në Kosovë, n’ lule të rinisë, ndihesh mrekullisht. Të rritesh në të njëjtën kohë me vendin tënd dhe të kesh mundësinë ta dokumentosh atë, të mirën, të keqen dhe të shëmtuarën, është vërtet frymëzuese.
Por kjo vjen edhe me vështirësi. Të jetosh në një vend me vështirësi të vazhdueshme socio-ekonomike e bën të vështirë ndjekjen e kësaj fushe. Shpesh, detyrohesh të zgjedhësh midis të qenurit fotograf dokumentues apo një pune zyre. Kjo kufizon lirinë dhe krijimin tënd artistik, sepse nuk ke më kohë të bësh atë që do. Fatkeqësisht, ky është realiteti.