Janar 28, 2026 | Wednesday

“Qëllimi i kërkimit shkencor nuk është të mbetet në laborator, por të ndikojë në jetën e njerëzve”

Intervistë me Prof.Dr. Arbnor Pajaziti

Prof.Dr. Arbnor Pajaziti është inxhinier dhe profesor i rregullt në Fakultetin e Inxhinierisë, Departamenti i Inxhinierisë Makinerike në Universitetin e Prishtinës si dhe hulumtues i shpërblyer. Në kohën e krizës globale shëndetësore që erdhi me shpërndarjen e virusit COVID-19, ai së bashku me kolegë dhe studentë dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian nëpërmjet projektit EU4TECH, u angazhua për shpijken e pajisjes “ventilatori mekanik me lidhje rivepruese të rregullimit”  e cila së fundmi është patentuar dhe njohur zyrtarisht. Europe House Kosovo ka biseduar me Prof. Dr. Pajazitin për rëndësinë e pajisjes si dhe në përgjithësi për procesin e shpikjes së saj e rëndësinë e përkthimit të punës kërkimore akademike në zgjidhje konkrete që drejtpërdrejt përmirësojnë mirëqenien e njerëzve dhe shoqërisë. 

Europe House Kosovo: Profesor Pajaziti, si do ta përshkruanit rrugëtimin tuaj profesional dhe çfarë ju ka motivuar të qëndroni aktiv në kërkimin shkencor dhe inovacion?

Arbnor Pajaziti: Rrugëtimi im profesional ka qenë i lidhur ngusht me Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës si dhe me përkushtimin ndaj kërkimit shkencor në fushat e mekatronikës, robotikës dhe inovacionit teknik. Ajo që më ka motivuar vazhdimisht është ndjenja e përgjegjësisë për të kontribuar me zgjidhje të dobishme për shoqërinë, sidomos në situata sfiduese si pandemia COVID-19. Besoj fort se universiteti duhet të jetë motor i zhvillimit teknologjik, prandaj jam munduar që idetë kërkimore t’i shndërroj në rezultate konkrete, siç është edhe patenta e ventilatorit mekanik.

Europe House Kosovo: Sa e rëndësishme është për ju që puna akademike të ketë ndikim real e praktik në shoqëri dhe në jetën e njerëzve?

Arbnor Pajaziti: Për mua, puna akademike merr vlerë të plotë vetëm kur kthehet në kontribut real për shoqërinë. Qëllimi i kërkimit shkencor nuk është të mbetet në laborator, por të ndikojë në jetën e njerëzve – qoftë përmes teknologjive të reja, qoftë përmes zgjidhjeve praktike që përmirësojnë shërbimet për nevoja të njerëzimit. Inovacionet si ventilatori mekanik me lidhje rivepruese janë shembull se si ide akademike mund të shndërrohen në pajisje të dobishme që i shërbejnë komunitetit, sidomos në kohë krizash.

Europe House Kosovo: Si e shihni rolin e universitetit publik në nxitjen e ideve inovative në Kosovë?

Arbnor Pajaziti: Universiteti publik ka një rol thelbësor në nxitjen e inovacionit në Kosovë. Ai duhet të jetë qendra ku lindin idetë e reja, ku stafi akademik dhe studentët mbështeten për t’i kthyer konceptet kërkimore në zgjidhje praktike, përmes laboratorëve, projekteve aplikative dhe bashkëpunimeve me industrinë. Universiteti publik mund të krijojë një ekosistem të qëndrueshëm inovacioni. Patenta e ventilatorit mekanik është një shembull konkret se si potenciali i brendshëm i universitetit mund të materializohet në arritje që i shërbejnë vendit.

Europe House Kosovo: Zhvillimi ventilatorit mekanik është i mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes projektit EU4TECH dhe Universiteti i Prishtinës. Si e shihni rëndësinë e mbështetjes financiare nga BE-ja për kërkimin akademik brenda Universitetit? 

Arbnor Pajaziti: Mbështetja financiare nga Universiteti i Prishtinës dhe Bashkimi Evropian është thelbësore për kërkimin akademik brenda universitetit. Ajo mundëson që idetë të kthehen në projekte konkrete, të pajisura me resurset e nevojshme për zhvillim dhe testim. Për më tepër, kjo mbështetje rrit bashkëpunimin ndërkombëtar, fuqizon kapacitetet tona kërkimore dhe tregon se universitetet kosovare mund të jenë pjesë e rrjetit global të inovacionit.

Europe House Kosovo: Ideja për ndërtimin e ventilatorit mekanik lindi gjatë pandemisë së COVID-19. çfarë ju shtyu ta ktheni një nevojë urgjente në një projekt konkret?

Arbnor Pajaziti: Pandemia e COVID-19 ishte një periudhë sfiduese për të gjithë, sidomos për sistemin shëndetësor. Mungesa globale e pajisjeve të ventilimit krijoi një nevojë urgjente për zgjidhje të reja. Si inxhinier dhe profesor, ndjeva detyrimin profesional dhe moral të kontribuoja me atë që dija më mirë: zhvillimin e një pajisjeje funksionale, të thjeshtë për t’u prodhuar dhe të besueshme në përdorim. Kjo situatë më shtyu që idenë ta kthej menjëherë në projekt konkret, duke punuar intensivisht së bashku me profesorë, asistentë dhe studentë që koncepti të realizohej në një prototip të plotë, e më pas në një inovacion të patentuar.

Europe House Kosovo: Cili është funksioni konkret dhe ndikimi i pajisjes në praktikë?

Arbnor Pajaziti: Ventilatori mekanik me lidhje rivepruese të rregullimit është projektuar për të siguruar frymëmarrje të kontrolluar për pacientët që nuk mund të marrin frymë vetë. Sistemi riveprues mundëson që pajisja të përshtasë parametrat e ventilimit në kohë reale, duke rritur sigurinë dhe efikasitetin e funksionimit. Në praktikë, kjo do të thotë një pajisje më e besueshme, më e lehtë për tu prodhuar dhe potencialisht më e përballueshme për institucionet shëndetësore, veçanërisht në situata emergjente ose në vende me burime të kufizuara.

Europe House Kosovo: Çfarë do të thotë për ju fakti që ky projekt u zhvillua në laboratorët e Universitetit të Prishtinës, në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me studentë?

Arbnor Pajaziti: Fakti që ky projekt u zhvillua në laboratorët e Universitetit të Prishtinës, së bashku me kolegë dhe studentë, ka një domethënie të veçantë për mua. Ai tregon se universiteti ynë ka potencial real për të prodhuar zgjidhje inovative dhe se studentët, kur përfshihen drejtpërdrejt në projekte praktike, shndërrohen në bashkëkrijues të dijes. Ky bashkëpunim i afërt është vlera më e madhe e projektit, sepse dëshmon se inovacioni mund të lindë edhe në kushte modeste, kur ka përkushtim, vizion dhe punë ekipore.

Europe House Kosovo: Sa rëndësi ka bashkëpunimi profesor–student në krijimin e zgjidhjeve që shkojnë përtej mureve të universitetit?

Arbnor Pajaziti: Bashkëpunimi profesor–student është thelbësor për krijimin e zgjidhjeve që dalin përtej mureve të universitetit. Kur përvoja akademike kombinohet me energjinë dhe kreativitetin e studentëve, idetë që lindin, mund të shndërrohen në produkte reale, të dobishme për industrinë dhe shoqërinë. Ky bashkëpunim jo vetëm i aftëson studentët për sfidat e profesionit, por edhe e forcon rolin e universitetit si burim innovacioni dhe zhvillimi.

Europe House Kosovo: Pajisja është e patentuar dhe e njohur zyrtarisht. Çfarë simbolizon kjo arritje për ju?

Arbnor Pajaziti: Njohja zyrtare e patentës simbolizon për mua vlerësimin e punës kërkimore dhe inovative që kam bërë. Ajo është dëshmi se një ide e lindur mund të shndërrohet në një zgjidhje konkrete dhe të dobishme për shoqërinë. Për më tepër, kjo arritje pasqyron nivelin profesional dhe shkencor të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe tregon se puna jonë ka ndikim të prekshëm në zhvillimin e inxhinierisë dhe industrisë në Kosovë.

Europe House Kosovo: A mendoni se patentimi i shpikjeve akademike mund të ndryshojë mënyrën se si e shohim rolin e universitetit në shoqëri dhe industri?

Arbnor Pajaziti: Patentimi i shpikjeve akademike e pozicionon universitetin si një aktor aktiv në inovacion dhe zhvillim ekonomik, duke treguar se puna akademike nuk është vetëm teori, por mund të kthehet në zgjidhje konkrete për sfidat reale. Ky proces nxit bashkëpunimin me industrinë, rrit kapacitetet teknologjike dhe frymëzon stafin akademik dhe studentët të jenë pjesë e krijimtarisë dhe transformimit të vendit.

Europe House Kosovo: Çfarë mesazhi përcjell ky projekt për të rinjtë që studiojnë inxhinieri apo fusha të ngjashme?

Arbnor Pajaziti: Ky projekt tregon se idetë e ndryshme mund të shndërrohen në zgjidhje reale që ndikojnë pozitivisht në shoqëri. Për të rinjtë që studiojnë inxhinieri, mesazhi është të jenë kuriozë, të punojnë me pasion dhe të mos e nënvlerësojnë fuqinë e bashkëpunimit me profesorët dhe kolegët. Inovacioni nuk lind vetëm në libra, por kur ekspertiza, kreativiteti dhe përkushtimi bashkohen për të adresuar nevoja reale. 

Europe House Kosovo: Cili është potenciali i Kosovës për zhvillimin e pajisjeve dhe zgjidhjeve teknologjike që mund të shërbejnë edhe përtej kufijve të saj?

Arbnor Pajaziti: Kosova ka potencial të madh për zhvillimin e pajisjeve dhe zgjidhjeve teknologjike që mund të shërbejnë edhe përtej kufijve. Universitetet, laboratorët kërkimorë dhe talenti i të rinjve krijojnë një mjedis ku inovacioni mund të lindë dhe të materializohet në produkte konkrete. Projekte si prototipi i ventilatorit mekanik tregojnë se edhe me burime të kufizuara mund të arrihen rezultate që janë të vlefshme në nivel ndërkombëtar, duke rritur kapacitetin tonë për të kontribuar në teknologji dhe industri globale.

Europe House Kosovo: Si e shihni të ardhmen e bashkëpunimit mes arsimit, kërkimit shkencor dhe nevojave reale të shoqërisë?

Arbnor Pajaziti: E ardhmja e bashkëpunimit mes arsimit, kërkimit shkencor dhe nevojave reale të shoqërisë është vendimtare për zhvillimin e vendit. Kur universitetet angazhohen në projekte që adresojnë sfida konkrete, akademiku dhe studenti bëhen pjesë e zgjidhjeve praktike, ndërsa industria dhe komuniteti përfitojnë nga rezultatet. Përmes këtij bashkëpunimi të ngushtë mund të ndërtojmë një ekosistem inovacioni ku njohuria shkencore kthehet në produkte dhe shërbime që ndikojnë direkt në përmirësimin e jetës së njerëzve.