Dhjetor 23, 2025 | Tuesday
“Mbështetja e Bashkimit Evropian përmes grantit aktual ka ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e kapaciteteve tona gazetareske dhe institucionale. Së pari, financimi na mundëson të punësojmë profesionistë të rinj dhe ta zgjerojmë redaksinë tonë, duke rritur kështu cilësinë, diversitetin dhe kapacitetin analitik të punës sonë”, thotë Jeta Berisha nga Habitat. Si kompania e parë në Kosovë e orientuar plotësisht drejt qëndrueshmërisë dhe teknologjisë klimatike, Habitat është një prej përfituesve të granteve të vogla për produksion mediatik nga projekti SMS – Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor, i financuar nga BE-ja, duke e përdorur grantin për themelimin e Platforma360 si gazetë e gjelbër.
Me një buxhet të BE-së prej 1.3 milionë eurosh, SMS (Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor) po kontribuon në mbështetjen për lirinë e medias, pluralizmin dhe ngritjen e kapaciteteve në rajon. Zbatuar nga Kosovo 2.0 në Kosovë, qëllimi kryesor i projektit është krijimi i një mjedisi të favorshëm dhe ofrimi i mbështetjes strukturore për mediat profesionale. Objektivi i tij është gjithashtu të forcojë kapacitetet e mediave lokale, organizatave mediatike dhe gazetarëve për të ushtruar të drejtën e tyre për lirinë e shprehjes, qasjen në informacion dhe promovimin e pluralizmit mediatik.

Gjatë zbatimit të teknologjisë klimatike të Habitat, ekipi vuri re një mungesë të dukshme të informacionit në gjuhën shqipe për temat mjedisore dhe politikat e tranzicionit të gjelbër. Themelimi i Platforma 360 ishte një përgjigje ndaj këtij hendeku, duke e bërë atë mediumin e parë të gjelbër të vendit që synon të edukojë publikun dhe të rrisë vetëdijesimin për ndryshimet klimatike, terminologjinë profesionale dhe praktikat e qëndrueshme. Bazuar në vlerat e komunitetit dhe qasjen publike në njohuri, qëllimi është që Platforma360 të mbetet një iniciativë jo-komerciale, duke pasqyruar filozofinë institucionale të Habitat se informacioni mjedisor duhet të jetë i qasshëm për të gjithë.
Duke theksuar reziliencën si element të rëndësishëm të iniciativave të tilla në luftën e tyre për të depërtuar, Berisha shton se: “Rasti ynë tregon se tranzicioni i gjelbër nuk është vetëm i mundur, por edhe i qëndrueshëm brenda realitetit socio-ekonomik të Kosovës. Ne filluam pa kapital fillestar, grante ose investime, duke u mbështetur në parimet progresive operacionale, integritetin profesional dhe angazhimin e vazhdueshëm të komunitetit. Rezultatet tona tregojnë se publiku është i interesuar dhe i gatshëm të përqafojë qasje të reja që sfidojnë praktikat konvencionale”.
Një tjetër përfitues i Projektit SMS Facility të financuar nga BE-ja është Smart Media me bazë në Kllokot. Nën udhëheqjen e redaktorit të vet Fatos Hetemi, përmes projektit Zëra të Barabartë, Raportim Investigativ Dygjuhësh për Komunën me shumicë serbe të Kllokotit, Smart Media fokusohet në forcimin e gazetarisë investigative dhe bashkëjetesës ndëretnike në komunat e Vitisë dhe Kllokotit.
Projekti i përgjigjet sfidave të kahershme në komunën me shumicë serbe të Kllokotit, duke përfshirë transparencën e kufizuar institucionale, barrierat gjuhësore midis komuniteteve dhe mungesën e raportimit kritik për qeverisjen lokale.
Një komponent kyç i projektit është punësimi dhe trajnimi i planifikuar i një gazetari nga komuniteti serb i Kosovës, i cili do të integrohet në redaksinë e Smart Media. Duke iu përgjigjur mungesës së prodhimit të përmbajtjes në gjuhën serbe para marrjes së grantit, intervenimi i financuar nga BE-ja synon të adresojë nevojën për informacion të qasshëm për komunitetin serbishtfolës në Kllokot. Teksa presioni politik deri më tani e ka bërë rekrutimin sfidues, Hetemi mbetet i bindur se një profesionist i kualifikuar do t’i bashkohet ekipit, duke e forcuar më tej raportimin dygjuhësh dhe ndërtimin e besimit midis komuniteteve.
Duke reflektuar rreth ndikimit të grantit, Hetemi thotë se “mbështetja e BE-së ka qenë esenciale jo vetëm për forcimin e kapaciteteve gazetareske, por edhe për përmirësimin e funksionimit të përgjithshëm institucional të Smart Media. Përveç zgjerimit të burimeve njerëzore dhe përmirësimit të cilësisë së raportimit, mbështetja financiare na ka mundësuar të zhvillojmë një infrastrukturë teknike dygjuhëshe, duke e rritur ndjeshëm arrtishmërinë tek publiku”.
Përmes iniciativave të tilla si SMS, BE-ja vazhdon të demonstrojë se mbështetja e targetuar mund t’u ndihmojë mediave lokale të kapërcejnë barrierat strukturore, të promovojnë transparencën dhe të kontribuojnë në mënyrë domethënëse për shoqëri të informuara dhe demokratike.