Dhjetor 3, 2025 | Wednesday

NanoKos – një model i bashkëpunimit ndërkombëtar për forcimin e kapaciteteve shkencore të Kosovës

I financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Universiteti i Prishtinës në partneritet me Universitetin e Milanos, Universitetin e Parmës dhe King’s College London, Projekti NanoKos ka shënuar një hap të rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve kërkimore dhe shkencore të Kosovës në fushën e nanoteknologjisë, nanomedicinës dhe shëndetit mjedisor.

Duke përfaqësuar një nga iniciativat më ambicioze të financuara nga BE-ja në fushën e hulumtimit shkencor, qëllimi i projektit ishte forcimi i infrastrukturës laboratorike në Universitetin e Prishtinës, ngritja e kapaciteteve për pedagogët dhe studentët përmes mobilitetit ndërkombëtar, si dhe krijimi i një rrjeti të qëndrueshëm bashkëpunimi ndërmjet institucioneve studimore evropiane dhe atyre në Kosovë.

Laboratori i Mjekësisë së Aplikuar dhe Kërkimeve Nanobiologjike

Themelimi i Laboratorit të Mjekësisë së Aplikuar dhe Kërkimeve Nanobiologjike është një nga rezultatet më të prekshme dhe domethënëse të NanoKos. Është laboratori i parë i këtij lloji në Kosovë, i pajisur me teknologjinë më të avancuar për karakterizimin e nanopartikulave dhe kërkimet në fushën e biomedicinës. 

Fokusi i tij kërkimor përqendrohet tek nanomedicina dhe mjedisi. Qëllimi i punës kërkimore të laboratorit mbi nanomedicinën është përmirësimi i shëndetit publik në popullatën e përgjithshme të Kosovës përmes kujdesit parandalues, përmirësimit të diagnostikimit, trajtimeve terapeutike, si dhe zhvillimit dhe përdorimit të teknologjive të reja mjekësore. Nga ana tjetër, puna e tij kërkimore për mjedisin synon të gjejë zgjidhje për një nga risqet më të rëndësishme të shëndetit mjedisor në Kosovë, duke përdorur njohuritë e bazuara në hulumtime për të gjetur strategji për të reduktuar përdorimin e derivateve fosile, për të investuar në burime të ripërtërishme të energjisë, për të përmirësuar efiçiencën e energjisë, për të promovuar transportin publik, si dhe për të mbjellë pemë. 

Mobilitetet që sollën njohuri dhe mundësi të reja

Falë mbështetjes së BE-së, 34 studiues të rinj dhe 40 anëtarë të stafit akademik dhe administrativ të Universitetit të Prishtinës përfituan nga mundësitë e mobilitetit në universitetet partnere. 

Pas përfundimit të punës hulumtuese në Universitetin e Parmës, Dr. Liridon Sopaj, një nga përfituesit e mobilitetit, fitoi një bursë për studime të thelluara në Qendrën Max Delbrück në Berlin. Nga ana tjetër, pas vendosjes së saj në Universitetin e Milanos, Dr. Hygeta Berisha u pranua në programin e doktoraturës në të njëjtin institucion. Këto storje tregojnë ndikimin konkret që ka pasur mbështetja e BE-së në karrierat individuale dhe në ndërtimin e një gjenerate të re të shkencëtarëve kosovarë.

NanoKos ka forcuar lidhjet ndërmjet universiteteve të Kosovës dhe atyre evropiane, duke mbështetur transferimin e njohurive, praktikave laboratorike dhe metodologjive të avancuara të punës kërkimore. Për herë të parë, universitetet publike në Kosovë kanë pasur mundësinë të aplikojnë në thirrje të hapura konkurruese për grante për hulumtime në nanomedicinë, duke nxitur një kulturë të re të inovacionit dhe meritës.

Projekti gjithashtu ka mbështetur një fushatë vetëdijesimi të publikut për ndotjen e ajrit të shkaktuar nga nanopartikulat, duke përfshirë nxënës, mësimdhënës dhe publikun e gjerë në aktivitete edukative dhe vetëdijesuese në mbarë vendin.

Po ashtu, NanoKos ka marrë pjesë në një sërë konferencash ndërkombëtare, përfshirë NanoBalkan 2024 në Tiranë, ku organizoi një punëtori të dedikuar për nanoteknologjinë dhe kërkimin mjedisor në Kosovë. Aktualisht, projekti po përparon me përgatitjen e disa botimeve shkencore që do të paraqesin gjetjet e punës kërkimore të arritura në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Pas më shumë se dy vitesh punë, NanoKos ka krijuar një trashëgimi të qëndrueshme: një laborator modern që do t’u shërbejë brezave të ardhshëm të studiuesve, stafit të trajnuar sipas standardeve evropiane dhe ura të forta bashkëpunimi ndërmjet institucioneve studimore të Kosovës dhe BE-së.

Projekti ka treguar se kur bashkohen vizioni, mbështetja dhe përkushtimi, shkenca mund të arrijë rezultate me ndikim të madh edhe në vendet e vogla.