Dhjetor 17, 2013 | Tuesday

Arsimi në Kosovë dhe integrimi evropian – Dukagjin Pupovci

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, rreth gjysmë milioni të qytetarëve të Kosovës të moshës 6-29 vjeç ndjekin ndonjë formë të arsimimit formal, nga shkolla fillore deri te studimet e doktoratës. Jo rastësisht, arsimi është një ndër shërbimet që konsumohet më së shumti në shoqëri, sepse mirëqenia në shoqëri varet drejtpërdrejt nga shkalla e arsimimit të popullsisë.

Në botë ka shtete që jetojnë në mirëqenie, përkundër faktit se niveli arsimor nuk është i kënaqshëm, por ato ia detyrojnë këtë gjendje burimeve natyrore ose pozitës strategjike që kanë. Ndërkaq, është shumë vështirë të gjindet një shtet me njerëz të arsimuar mirë që është i varfër.

Prandaj, kur dikush thotë se Kosova ka një sistem cilësor arsimi, unë i them se është shteti më i varfër në Evropë (me përjashtim të Moldovës dhe Ukrainës), që d.m.th. se të gjitha shtetet tjera i kanë punët më mirë me arsim. Edhe faktori tjetër krahasues, indeksi i zhvillimit njerëzor i UNDP, e radhit Kosovën nga fundi i tabelës evropiane,  përsëri diç më mirë se Moldova, por më keq se Ukraina.

Kosova nuk ka shumë burime natyrore dhe as ndonjë pozitë atraktive gjeo-startegjike, por ka popullsinë më të re në Evropë dhe, njëkohësisht, papunësinë më të lartë në Evropë. Kjo flet se Kosova duhet ta ketë një sistem arsimi që është aq cilësor, sa, jo vetëm,mundëson punësimin e të rinjve në vend, por edhe jashtë vendit.

Një i ri evropian në kohën e sotme, përveç gjuhës amtare duhet të njoh edhe të paktë dy gjuhë të huaja, duhet të jetë i shkathtë në punë me kompjuter, të jetë ndërmarrës, si dhe të posedojë shkathtësi të tjera që i mundësojnë të mësojë gjatë gjithë jetës, si lexim-shkrimi, njohuritë matematikore dhe ato teknologjike.

Megjithëse kosovarët e shfrytëzojnë interneti po aq sa qytetarët e disa vendeve të Bashkimit Evropian, testet e zhvilluara me nxënës të klasave të ulta të shkollave fillore në Kosovë flasin për probleme serioze me lexim-shkrim dhe matematikë, të cilat më vonë barten në klasat më të larta dhe bëjnë që niveli arsimor i atyre që mbarojnë shkollën të mos jetë i kënaqshëm.

Kështu, përkundër papunësisë së madhe, punëdhënësit në Kosovë ankohen se nuk mund të gjejnë staf të kualifikuar dhe se duhet të investojnë shumë në zhvillimin e tij. E, cili investitor serioz do të investojë në shtetin ku nuk mund të gjej fuqi punëtore të kualifikuar?

Mënyra më e keqe për adresimin e problemeve evidente në arsim është fshehja e problemeve. Nëse vazhdojmë të themi se e kemi tejkaluar Ballkanin dhe po e synojmë Evropën, atëherë do të mbetemi këtu ku jemi, sepse nuk do t’i bëjmë hapat e duhur për t’i arritur shtetet tjera të Ballkanit.

Cilësia vazhdon të jetë problemi kryesor i arsimit në Kosovë dhe duhet ta kemi të qartë se, derisa ne avancojmë në cilësi, të tjerët nuk vendnumërojnë, por, po ashtu, avancojnë. Për këtë arsye, ne duhet të avancojmë me hapa edhe më të shpejtë që Kosova të mos veçohet edhe një herë në procesin e intgrimit evropian nga vendet e tjera të Ballkanit, si u veçua me rastin e liberalizimit të vizave.