Janar 28, 2026 | Wednesday

Intervistë me Zana Tabakun – “Nga një ekran magjik te inteligjenca artificiale: udhëtimi im në teknologji”

Zana Tabaku është një nga zërat më frymëzues në fushën e teknologjisë në Kosovë. Me një rrugëtim që fillon nga periudha e pas-konfliktit në Kosovë, nga kontaktet e para me kompjuterin, deri te drejtimi i një kompanie inovative dhe përkushtimi në zhvillimin e inteligjencës artificiale, Zana ka qenë një ndër gratë pioniere në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK). Në këtë intervistë, ajo ndan përvojat e saj të para, sfidat, sukseset dhe vizionin për të ardhmen.

Kjo intervistë është pjesë e publikimit të Europe House Kosovo “Nga vizioni tek inovacioni: Udhët frymëzuese të grave në teknologji”.

Europe House Kosovo: Kur ke parë kompjuter për herë të parë dhe çfarë ndikimi pati tek ti?

Zana Tabaku: Kompjuterin e kam parë për herë të parë pas luftës në Kosovë, kur isha 13 vjeç. Në atë kohë, kompjuterët ishin të rrallë dhe shumë të shtrenjtë – një luks që pak familje mund ta përballonin. Kur pashë një ekran që reagonte ndaj komandave të mia, më dukej si magji.

Për një vajzë adoleshente që sapo po njihte botën pas luftës, ishte një përvojë transformuese. E kujtoj qartë: nga një realitet me libra, letra dhe kaseta, papritur u gjenda në një botë që fliste në gjuhën e kodeve. Aty filloi lidhja ime me teknologjinë – një lidhje që vazhdon edhe sot.

Europe House Kosovo: Kur dhe si fillove ta eksplorosh botën e teknologjisë së informacionit?

Zana Tabaku: Kureshtja ime filloi pas asaj përvoje të parë. Edhe pse studioja Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Prishtinës, pasioni për teknologjinë ishte shumë i fortë për t’u injoruar. Vendosa të ndjek një drejtim të ri dhe u regjistrova në një akademi programimi – një vendim që ndryshoi jetën time.

Isha e vetmja vajzë në grup dhe një nga të paktat në Kosovë në atë kohë që ndiqnin këtë rrugë. Mësova kodim, ndërtova aplikacione dhe krijova zgjidhje funksionale – ndihesha sikur po ndërtoja një botë të re me duart e mia.

Sot, kur punoj me inteligjencën artificiale, e shoh si vazhdim logjik të atij fillimi: nga udhëzimi i thjeshtë, te kompjuteri që mëson vetë. Ky evolucion më fascionon çdo ditë.

Europe House Kosovo: Si kanë qenë përvojat e tua të para në fushën e teknologjisë?

Zana Tabaku: Kanë qenë sfiduese, por edhe jashtëzakonisht frymëzuese. Në atë kohë mungonin burimet, mentorët dhe modelet vendore. Çdo gjë duhej mësuar vetë – net të tëra duke kërkuar, eksperimentuar, bërë gabime dhe mësuar prej tyre.

Në moshën 23-vjeçare, bashkëthemelova kompaninë Appdec, duke u bërë një nga gratë e para që themeloi kompani TIK-u në Kosovë. Ishte një hap i guximshëm, që kërkonte punë dhe besim, por edhe një akt i vetëbesimit se gratë mund të jenë udhëheqëse në këtë fushë.

Kur e shoh sot rrugëtimin tim – nga disketat dhe dial-up-i deri te inteligjenca artificiale më duket si një epokë e re që më ka gjetur si pjesë të saj.

Europe House Kosovo: Cili është kontributi juaj më i madh në këtë fushë, përmes Appdec dhe përtej saj?

Zana Tabaku: Për më shumë se 16 vite në Appdec, kemi zhvilluar zgjidhje digjitale që adresojnë nevoja reale të shoqërisë: nga punësimi, dhuna në familje, migrimi, deri te përmirësimi i arsimit dhe shëndetësisë. Por përtej projekteve, kontributi më i thellë për mua janë njerëzit.

Për shembull, programi Junior Geeks, që filluam me kolegë, ka përgatitur mbi 500 nxënës të shkollave të mesme në fusha si TIK, mendim kritik dhe inovacion. Mbi 80% e tyre kanë vazhduar studimet në fusha të ngjashme dhe shumë prej tyre sot punojnë në kompani vendore e ndërkombëtare apo kanë themeluar startup-et e tyre.

Gjithashtu, shumë prej ish-kolegëve të Appdec sot janë profesionistë të suksesshëm, drejtojnë kompani teknologjike, janë mentorë apo kontribuojnë në ndërtimin e një ekosistemi më të fortë. Kjo është trashëgimia që më frymëzon më shumë.

Europe House Kosovo: A ke ndonjë përvojë personale që të ka mbetur në mend si grua në një fushë të dominuar nga burrat?

Zana Tabaku: Kur fillova, çdo hap profesional më duhej ta dëshmoja dyfish. Çdo klasë, projekt apo takim ishte i dominuar nga burra. Por unë këtë nuk e mora si pengesë, por si motivim.

Me kalimin e viteve, u bëra mentore për startupe dhe profesioniste të reja, ndava njohuri teknike dhe besimin se po – gratë kanë vendin e tyre në teknologji.

Kam parë me krenari si shumë nga vajzat dhe djemtë që kam mentoruar janë bërë zhvillues, menaxherë projektesh, inxhinierë sistemi në kompani të suksesshme. Ky është zinxhiri i ndikimit që më jep energji çdo ditë.

Europe House Kosovo: Çfarë planifikon për të ardhmen?

Zana Tabaku: Dua të vazhdoj të ndërtoj një ekosistem digjital gjithëpërfshirës, ku teknologjia është jo vetëm mjet për zhvillim ekonomik, por edhe për drejtësi sociale dhe barazi.

Do të fokusohem në inovacion përmes inteligjencës artificiale, një fushë që më pasionon thellësisht. E shoh AI si mënyrën më të avancuar për të kuptuar botën, për të lehtësuar punën dhe për të ndërtuar shërbime që “mendojnë me ne, jo për ne”.

Njëkohësisht, dua të vazhdoj të mentoroj dhe frymëzoj brezin e ri, veçanërisht vajzat, që të ndjekin këtë fushë me guxim. Sepse vetëm kur të gjithë marrim pjesë në mënyrë të barabartë në ndërtimin e së ardhmes digjitale, teknologjia bëhet vërtet transformuese.