Dhjetor 24, 2025 | Wednesday

Intervistë me prof.dr. Jelena Đokić: Inxhinieria nuk është vetëm për burra

Prof. dr. Jelena Đokić është një emër i njohur në fushën e inxhinierisë së teknologjisë. E lindur dhe rritur në një qytet të minierave dhe metalurgjisë, ajo ka ndjekur një rrugë profesionale që jo vetëm që ka sfiduar stereotipet gjinore, por edhe ka frymëzuar breza të rinjsh – sidomos vajza – të ndjekin ëndrrat e tyre në shkencë dhe teknologji.

Kjo intervistë është pjesë e publikimit të Europe House “Nga vizioni tek inovacioni: Udhët frymëzuese të grave në teknologji”.

Europe House Kosovo: Për fillim, a mund të na tregoni pak rreth fillimeve tuaja, si vendosët të merreni me teknologji e inxhinieri?

Jelena Đokić: Që kur kam lindur në një qytet të njohur për industrinë e minierave dhe metalurgjisë, ku të dy gjyshërit e mi punonin në Trepçë, lidhja ime me industrinë, kiminë dhe teknologjinë filloi shumë herët. Kështu, kur erdhi koha për të vendosur se çfarë do të studioja, ishte krejt natyrshëm të vazhdoja trashëgiminë familjare dhe të kontribuoja për komunitetin përmes profesioneve në inxhinieri dhe teknologji.

Europe House Kosovo: Si reagoi familja juaj kur morët këtë vendim?

Jelena Đokić: Fillimisht, familja ime u ndje disi e zhgënjyer. Ata mendonin se inxhinieria ishte shumë e vështirë për një grua dhe më rekomanduan ekonomi apo gjuhë si fusha “më të përshtatshme për vajza”. Por në fund, respektuan dëshirën time. Të them të drejtën, komentet e tyre vetëm më bënë edhe më të vendosur për të treguar se jam po aq e aftë sa çdo student mashkull.

Europe House Kosovo: A keni hasur sfida në fillim të karrierës suaj, veçanërisht për shkak të gjinisë?

Jelena Đokić: Po, në fillim të karrierës më është dashur të dëshmoj përkushtimin dhe kompetencat e mia para kolegëve meshkuj. Me kalimin e kohës, ndërtova një reputacion si ndër kolegë ashtu edhe ndër studentë. Nuk kam vënë re ndonjë hezitim nga studentët meshkuj për të ndjekur ligjëratat e mia vetëm pse jam grua.

Europe House Kosovo: Si e shihni përfaqësimin e grave në fushën e teknologjisë sot krahasuar me të kaluarën?

Jelena Đokić: Gjatë viteve kam vërejtur një trend interesant: aktualisht shumë vajza studiojnë inxhinieri teknologjike dhe në shumicën e rasteve, ato performojnë më mirë – investojnë më shumë përpjekje dhe përkushtim. Rreth 20 vjet më parë, vura re se vajzat fillonin studimet me shumë entuziazëm, por pas diplomës së parë, numri i tyre zvogëlohej në nivelet më të larta të studimeve. Sot, kjo ka ndryshuar. Më shumë vajza regjistrohen në studime të doktoratës dhe unë kam mentoruar një numër të barabartë kandidatësh femra dhe meshkuj në PhD.

Europe House Kosovo: Cilat janë sfidat që i prekin vajzat dhe gratë në avancimin e tyre akademik dhe profesional në STEM?

Jelena Đokić: Nga përvoja ime, studenteve femra shpeshherë u nevojitet mbështetje nga familja dhe universiteti – sidomos në formën e orareve fleksibile – për të balancuar përgjegjësitë familjare me kërkimet shkencore. Të gjitha nismat mbështetëse janë të mirëseardhura. Gratë nuk duhet të detyrohen të zgjedhin midis karrierës në STEM dhe krijimit të një familjeje.

Europe House Kosovo: Çfarë mesazhi do t’u jepnit vajzave të reja që mendojnë të ndjekin një karrierë në teknologji apo inxhinieri?

Jelena Đokić: Do t’i ftoja të gjitha vajzat e reja të synojnë dije, të jenë këmbëngulëse dhe të durueshme, të kenë besim në vetvete dhe guxim për të përballuar sfidën e teknologjisë.