Dhjetor 23, 2025 | Tuesday

Harmony Talks 2.0: Shndërrimi i dialogut në praktikë të përditshme

Prej kohësh, rajoni i Mitrovicës bart peshën e ndarjes. “Duke punuar çdo ditë në kryqëzimin e drejtësisë, dialogut dhe besimit të komunitetit, i shoh si sfidat ashtu edhe fuqinë e heshtur që ekziston nga të gjitha anët”, thotë Jellena Iliq, përfaqësuese e Qendrës për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve (ADRC). Projekti Biseda Harmonizuese 2.0 i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga ADRC në partneritet me Reconciliation Empowering Communities, synon ta kultivojë më tej këtë fuqi. Këtë herë jo si një iniciativë e njëhershme, por si një praktikë në rritje dhe e përbashkët.

Projekti Biseda Harmonizuese 2.0 mbështetet në përvojën e fazës së parë të këtij projekti të financuar nga BE-ja dhe hedh një hap më tej duke u fokusuar jo vetëm në shkëmbim, por në krijimin e hapësirave të qëndrueshme të dialogut, pajisjen e të rinjve me shkathtësi për zgjidhjen e konflikteve dhe ngulitjen e pajtimit në shkolla, universitete dhe jetën e komunitetit.

Forumet e Dialogut në Komunitet – dy prej të cilëve veç janë zhvilluar – janë shtyllë kyçe e projektit Biseda Harmonizuese, duke bërë bashkë përfaqësues të institucioneve lokale, shoqërisë civile, të rinj/reja dhe grupe të komunitetit në Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut.

Forumi i parë u zhvillua në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicë të Veriut me temë “Hapësirat e Përbashkëta Publike: Bashkëpunimi në komunitet dhe vullnetarizmi që kanë rëndësi”. Diskutimi kaloi shpejt nga teoria në praktikat e jetës reale. Pjesëmarrësit folën hapur për parqet, shkollat, fushat sportive dhe lagjet si hapësira të përbashkëta që bashkojnë komunitetet.

Kultura dhe Sporti si Ura: Mësimnxënia dhe bashkëpunimi ishin tema e forumit të dytë të organizuar në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicë të Veriut me reflektime që treguan se forma të ndryshme të shprehjes kulturore: muzika, arti dhe sporti ofrojnë një gjuhë bashkëpunimi, veçanërisht për të rinjtë që përndryshe mund të hezitojnë të angazhohen në dialog formal. Mesazhi i qartë i forumit ishte se kur të rinjtë takohen në terren, në skenë ose në punëtori, barrierat zbuten shpejt dhe gjuha dhe përkatësia etnike nuk kanë më rëndësi kur qëllimi është më i madh dhe i shërben qytetit dhe komunitetit më të gjerë.

Ndërlidhja e dialogut me praktikën është pika më e fortë e Bisedave Harmonizuese 2.0. Përtej simbolikës, secili prej këtyre forumeve është dizajnuar për të udhëhequr drejt veprimeve të vogla të përbashkëta dhe bashkëpunimit afatgjatë. Biseda Harmonizuese 2.0 ofron një hapësirë për komunitetet për t’u takuar, për të shprehur shqetësimet, për t’u përballur me ide dhe për të eksploruar zgjidhje të mundshme për të mirën e përbashkët. Dhe kur njerëzit takohen në hapësira të besuara, ata ndihen përgjegjës për të nisur veprime konkrete për pajtim afatgjatë dhe bashkëpunim ndëretnik.

Përmes Biseda Harmonizuese 2.0, bëhet i dukshëm në mënyra konkrete “misioni i thjeshtë por i vështirë i ADRC-së për të lehtësuar komunikimin, mirëkuptimin e ndërsjellë dhe zgjidhjen e drejtë”, siç thotë Iliq. Pjesëmarrësit e rinj fillojnë ta shohin konfliktin jo si mur, por si proces që mund të menaxhohet. Institucionet lokale bëhen më të hapura ndaj bashkëpunimit ndëretnik. Shkollat dhe qendrat rinore fitojnë mjete për ta vazhduar dialogun përtej projektit. Në një rast, dy grupe rinore që u takuan gjatë forumit të dytë veç kanë filluar të planifikojnë një event të përbashkët kulturor. Këto janë hapa të vegjël, por janë me peshë.

“Për ADRC-në, Biseda Harmonizuese 2.0 është gjithashtu një përkujtesë se pajtimi nuk ndërtohet vetëm përmes dokumenteve, por përmes takimeve të përsëritura dhe të sinqerta”, shton Iliq. Mbështetja e Bashkimit Evropian bën të mundur krijimin e këtyre takimeve në një mënyrë të strukturuar, të sigurt dhe të qëndrueshme.