Gusht 18, 2023 | Friday

Fuqizimi i Ndërmarrësve: Jakova Innovation Center

Në zemër të Gjakovës, Kosovë, gjendet një qendër dinamike e inovacionit dhe ndërmarrësisë — Jakova Innovation Center (JIC). E themeluar përmes bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës dhe Komunës së Gjakovës, që prej hapjes së saj kjo organizatë jofitimprurëse ka bërë të pamundurën që të nxisë rritjen e kompanive të reja dhe mbështesë ndërmarrës të rinj .

Si inkubator i përkushtuar biznesi, JIC luan rol vendimtar në pajisjen e ndërmarrësve aspirues me mjetet e nevojshme për t’i kthyer idetë e tyre në ndërmarrje që lulëzojnë. Me mbështetjen shtesë të BE-së, JIC po e forcon më tej potencialin e punësimit të të rinjve, grave dhe grupeve të pafavorizuara.

Ne biseduam me Fatos Axhemin, Drejtor Ekzekutiv në Jakova Innovation Center, për t’u thelluar në rrugëtimin me ndikim të organizatës ndër vite.

EH: Si i identifikon dhe përzgjedh Jakova Innovation Center ndërmarrësit e rinj për programet e veta?

FA: Zakonisht, startup-et ose pjesëmarrësit në programet tona regjistrohen përmes thirrjeve të hapura ose fushatave promovuese që targetojnë grupe ose institucione specifike, si shkolla dhe rrjete. Veç kësaj, ne i pranojmë të gjitha palët e interesuara në programet tona, me kusht që ata të kenë një ide valide biznesi ose një plan zhvillimi personal që përputhet me ofertat tona.

EH: A mund të na jepni shembuj të bizneseve që janë lansuar dhe janë rritur me sukses përmes mbështetjes nga Jakova Innovation Center?

FA: Një numër startup-esh të suksesshëm janë rritur dhe zhvilluar përmes programeve tona. Disa biznese të dalluara janë: Luna Pictures and Films — kompani e prodhimit të fotografive dhe videove; Partners in Diet — startup për menaxhim të shëndetit personal; Lotamania — startup për prodhimin e frutave të thata dhe ushqimeve të shëndetshme; YKLLA — shitore për veshje të modës dhe të ricikluara; Nature’s Pride — prodhues artizanal i uthullës së mollës; Glass Tech recycling — përpunues i qelqit të ricikluar; Mind World Clinic — klinikë për terapi të të folurit.

EH: Çfarë shërbimesh specifike trajnimi dhe këshillimi u ofron qendra ndërmarrësve të rinj?

FA: Programet tona të trajnimit përfshijnë një sërë trajnimesh për shkathtësitë bazë të biznesit, të shoqëruara me shkathtësitë e komunikimit dhe jetësore. Gjithashtu, shkathtësitë digjitale janë paketë tjetër trajnimi që u ofrohet përfituesve tanë.

Në lidhje me shërbimet e konsulencës, ne ofrojmë konsulencë për menaxhimin e biznesit para dhe pas inkubacionit, si dhe mentorim, të përshtatur për nevojat specifike të startup-eve.

EH: Si arrin JIC që të vazhdojë të posedojë njohuri të avancuara të biznesit, veçanërisht në fushat kyçe si financa, marketingu dhe hulumtimi i tregut?

FA: Ne i kushtojmë vëmendje peisazhit të gjerë dhe në ndryshim të shpejtë në ato fusha kyçe, duke përfshirë trendet e reja të teknologjisë, si dhe e motivojmë ekipin tonë, përfituesit dhe partnerët tanë që të regjistrohen në trajnime specifike që lidhen me trendet e reja dhe ndarjen e njohurive. Po ashtu, ne i përditësojmë programet tona zhvillimore bazuar në zhvillimet dhe lëvizjet e industrisë

EH: Me çfarë sfidash është përballur qendra në lehtësimin e hyrjes së kompanive të reja në tregun ndërkombëtar dhe si janë adresuar ato?

FA: Një nga programet tona të trajnimit është për Shitjet dhe Kanalet e Marketingut Digjital. Kjo është një mënyrë përmes së cilës ne ofrojmë ekspertizën tonë për bizneset lokale, në përpjekjet e tyre për hyrje në tregje ndërkombëtare. Për më tepër, përmes bashkëpunimit me partnerë të tjerë, institucione ndërmjetësuese dhe rrjete biznesi, ne mundësojmë qasje më të lehtë në tregjet ndërkombëtare për kompanitë e reja.

Sfidë e madhe mbetet qasja e plotë e Kosovës në organizatat ndërkombëtare pasi që kjo i pengon kompanitë e reja në qasjen e tyre në tregjet ndërkombëtare, ndërkohë që ato rrisin shkallën e operacioneve.

EH: A mund të flisni për ndikimin tuaj në ekonominë lokale dhe kombëtare të Kosovës deri më tani?

FA: Qendra jonë i ka shërbyer komunitetit të Gjakovës dhe Kosovës për më shumë se 9 vjet. Përveç ndihmës për kompanitë e reja dhe individët lokalë, ne kemi ndihmuar gjithashtu në krijimin dhe ruajtjen e një imazhi të mbështetjes së biznesit, zhvillimit dhe bashkëpunimit. Deri më sot, Jakova Innovation ka ndihmuar më shumë se 120 kompani të reja në rajonin e Gjakovës. Më shumë se 3500 individë kanë përfituar nga programet tona të trajnimit.

EH: Si ka ndikuar projekti i fundit “STEP UP” i Jakova Innovation Center në punësueshmërinë dhe shkathtësitë e të rinjve dhe grave nga komunat e Gjakovës, Deçanit dhe Junikut, gjatë periudhës nga nëntori 2022 deri në qershor 2023?

FA: Projekti ka qenë i suksesshëm, duke i arritur të gjitha caqet dhe duke kontribuar dukshëm në fuqizimin dhe ndërmarrësinë e të rinjve në komunat e Gjakovës, Deçanit dhe Junikut. Projekti ka demonstruar efektshmërinë e qasjes gjithëpërfshirëse në pajisjen e të rinjve me shkathtësitë dhe mundësitë që u nevojiten për të pasur sukses.

Gjatë periudhës së zbatimit të projektit, gjithsej 91 të rinj të moshës 18-29 vjeç përfituan drejtpërdrejt nga iniciativat e projektit. Ky grup përfshinte 62 femra nga komuna e Gjakovës, duke demonstruar përkushtimin e projektit për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.