Dhjetor 3, 2025 | Wednesday

Diversifikimi i turizmit përmes trashëgimisë kulturore dhe traditave në Pejë

Mëngjeseve në Pejë, shumica e udhëtarëve ende hedhin shikimin nga majat e maleve të Rugovës, ku shtigjet çajnë përmes kanioneve dramatike dhe bjeshkatarët testojnë forcën e tyre në shkëmbinj të thepisur. 

Kohëve të fundit vizitorët po ndalen edhe në objekte si mulliri i vjetër i “Haxhi Zekës”, Muzeu i Pejës, apo edhe në fermat e vogla familjare përgjatë shtigjeve të reja të çiklizmit, duke zbuluar diçka tjetër, historitë e traditës, ushqimit dhe trashëgimisë që e bëjnë Pejën më shumë se portë drejt maleve. E gjithë kjo falë projektit për Diversifikimit të Turizmit në Pejë përmes trashëgimisë kulturore, një projekt i zbatuar nga Komuna e Pejës me mbështetjen e Grantit të Performancës Komunale, një stimul prej projektit DEMOS i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Suedia, dhe zbatuar nga Helvetas Swiss Intercooperation. 

“Ky projekt synonte ekuilibrin”, shpjegon Virtyt Morina, Udhëheqës për Turizëm në Komunën e Pejës.  “Aventura ka qenë gjithmonë pika jonë e fortë. Por Peja ka edhe një trashëgimi të thellë kulturore, nga bujtinat osmane deri te zejet artizanale. Ne donim t’i tregonim të dyja”, shtoi ai. 

Një nga institucionet më të vjetra të qytetit, Muzeu i Pejës, ka ruajtur prej kohësh historinë e Rrafshit të Dukagjinit, nga artefaktet parahistorike deri te fustanet e qëndisura të shekullit të 19-të. Megjithatë, për vite me radhë, vizitorët ishin të paktë.

“Përshtypja e parë nuk ishte e mirë”, e pranon Besa Berisha, U.d. drejtore e muzeut.  “Oborri ishte i errët; hyrja nuk ishte mirëpritëse. Njerëzit vazhdonin rrugën”.

Me mbështetjen e Grantit të Performancës Komunale, muzeu u pajis me një portë të re prej druri, ndriçim dhe eksterier të përmirësuar. Ndryshimi, thotë Berisha, ishte i menjëhershëm. 

“Vizitorët pothuajse u dyfishuan brenda gjashtë muajve. Edhe natën, me dritat, njerëzit ndalojnë dhe thonë: ‘Pa shiko, këtu paska një muze’”. Për të, ndryshimi shkon përtej numrave. 

“Muzeu nuk duhet të jetë vetëm një vend për objekte, por për njerëzit”, shpjegon ajo.  “Kur oborri është plot gjallëri me nxënës të shkollave, me koncerte, me eventin tonë ‘Nata në Muze’, atëherë historia bëhet pjesë e jetës së përditshme”.

Jeta përgjatë shtigjeve 

Diversifikimi i turizmit ka arritur edhe në komunitetet rurale të Pejës.  Projekti investoi në shtigje biçiklizmi që kalojnë nëpër fshatra dhe toka bujqësore, duke e lidhur aventurën me jetën e përditshme.

Nën hijen e Bjeshkëve të Nemuna, Peja ka qenë prej kohësh një portë drejt peizazheve më të mahnitshme të Kosovës. I njohur për shtigjet e ecjes, ujëvarat dhe trashëgiminë kulturore, qyteti tani po përqafon një mënyrë të re për ta lidhur natyrën, turizmin dhe komunitetin përmes çiklizmit. 

Raif Gjikolli, nënkryetar i Shoqatës Bjeshkatare “Gjeravica”, e cila i ka rrënjët në vitin 1928, duke e bërë atë një nga më të vjetrat e këtij lloji në rajon, thotë se falë përpjekjeve të fundit, ata po arrijnë ta angazhojnë komunitetin dhe të rinjtë, të ofrojnë trajnime dhe të kontribuojnë në Pejë përmes projekteve për edukim, sport dhe, mbi të gjitha, në fushën e turizmit. 

Si shtigjet e biçiklizmit, ashtu edhe intervenimet në mullirin e “Haxhi Zekës”, e kanë ndihmuar këtë organizatë lokale të ofrojë shërbime të ndryshme për komunitetin lokal dhe turistët në Pejë. 

Një nga nxitjet më të mëdha për turizmin në natyrë në Pejë ka qenë ndërtimi i shtigjeve të reja të biçiklizmit. Para këtij intervenimi, biçiklistëve iu ofroheshin shtigje të kufizuara dhe pa shenjëzim. Tani, përmes projektit janë vendosur shenja përgjatë shtigjeve dhe Peja ka tri shtigje plotësisht të digjitalizuara dhe të shenjuara që shtrihen nga 29 deri në 39 kilometra.

“Të tri shtigjet fillojnë pikërisht nga sheshi kryesor i Pejës”, shpjegon Raifi. “Njëri shkon drejt perëndimit, tjetri drejt jug për kah Lubeniqi, Shtërla dhe Logja, dhe i treti drejt veriut. Shtigjet kanë shenja, harta, madje edhe tabela që nxjerrin në pah bujtinat lokale, ndalesat ushqimore dhe pikat kulturore”.

Ky dizajn ishte i qëllimshëm, për ta bërë biçiklizmin jo vetëm sport, por mënyrë për të nxitur turizmin rural. 

“Ideja ishte gjithmonë të lidhnim shtigjet me fshatrat, në mënyrë që vizitorët të mund të ndalen për ushqim apo edhe të qëndrojnë gjatë natës. Shtegu është më i sigurt se rrugët kryesore të ngarkuara me trafik dhe krijon të hyra për banorët lokalë”.

Për Mujo Kalaq, një fermer nga komuniteti boshnjak, shtegu e transformoi fermën e tij të dhive.  “Ishte gjithmonë vetëm një pikë për shitje”, thotë ai. “Por tani, vizitorët ndalen, qëndrojnë, shijojnë ushqimin tonë dhe mësojnë për traditat tona”.

Aty pranë, Metë (Rustem) Isufi, nga komuniteti egjiptian, ka ndjerë të njëjtin ndryshim.  “Mendonim se ferma ishte vetëm për bagëti”, pranon ai.  “Por shtegu na e hapi horizontin. Familjet tani vijnë për përvoja edukative, fëmijët mësojnë për jetën rurale.  Na dha një këndvështrim të ri dhe një të ardhme të re për familjen tonë”.

Shtigjet e reja u bënë shpejt shtylla kurrizore e Peja Outdoor Festival, i cili brenda dy edicioneve të para ka bërë emër të madh. Eventi mbledh qindra vizitorë nga Kosova dhe më gjerë për dy ditë të mbushura me shëtitje, paragliding, biçiklizëm, peshkim dhe gati 40 aktivitete në natyrë.

“Në festivalin e fundit, erdhën më shumë se 200 biçiklistë nga i gjithë rajoni”, shprehet Raifi me krenari. “Është festivali i parë i këtij lloji në Kosovë dhe po e vendos Pejën në hartën e turizmit të aventurës”.

Një identitet i ri për Pejën

Përmes mbështetjes nga Granti i Performancës Komunale, u rigjallëruan 14 lokacione të ndryshme, duke përfshirë monumente kulturore, punëtori artizanale, ferma, shtigje dhe muzeu, duke përforcuar vizionin e Pejës për t’u njohur më shumë se “qyteti i maleve”. Meqenëse granti shpërblen komunat që performojnë mirë, rezultatet e forta të Pejës i kanë mundësuar të përfitojë nga sistemi, duke krijuar përmirësime të dukshme që qytetarët tani i gëzojnë.

“Tani, një vizitor mund të ecë në Rugovë në mëngjes, pastaj pasdite të vizitojë një muze, një mulli tradicional ose një fermë”, shpjegon ai.  “Është përvojë më e plotë. Nuk është vetëm adrenalina, është kultura, është ushqimi, janë njerëzit”.

Eksperimenti i Pejës veç ka frymëzuar komunat e tjera të mendojnë ndryshe për turizmin. 

Për Gjikollin, çelësi është vazhdimësia. “Nuk mjafton restaurimi”, paralajmëron ai. “Nëse nuk i përdorim këto hapësira, nëse nuk i mbajmë gjallë me kulturë, ato do të bien përsëri në harresë”.