Dhjetor 23, 2025 | Tuesday
Çmimet e Vullnetarizmit të Vitit të ndara nga TOKA
Në fillim të dhjetorit, TOKA organizoi konferencën e financuar nga BE-ja, “Ndërtimi i Kulturës së Vullnetarizmit nga Individët tek Institucionet 2025”. Në qendër të konferencës ishin çmimet e Vullnetarizmit të Vitit.
Në hapjen e ceremonisë për ndarjen e çmimeve, Udhëheqësi i Misionit të BE-së, Aivo Orav, si një nga folësit kryesorë të konferencës, potencoi rolin thelbësor që vullnetarizmi ka në fuqizimin e komuniteteve, thellimin e demokracisë dhe fuqizimin e të rinjve të Kosovës. SH.T.Z. Orav gjithashtu vuri në pah mbështetjen e gjatë të Bashkimit Evropian për ndërtimin e strukturave të qëndrueshme të vullnetarizmit në Kosovë dhe lavdëroi angazhimin në rritje të shkollave, komunave, bizneseve dhe shoqërisë civile, duke bërë thirrje njëkohësisht për një përkushtim edhe më të fortë institucional që vullnetarizmi të bëhet një kulturë e qëndrueshme kombëtare
Këtë vit, vullnetarizmi u njoh dhe çmua në tri kategori: Të Rinjtë, Përkrahësit e Vullnetarizmit, Vullnetarizmi Edukativ, me dhjetë çmime të ndara për individë, institucione dhe biznese të shquara nga gjithsej 114 të nominuar.

Nga një grup prej 114 të nominuarish, 70 në kategorinë e të rinjve dhe 44 në kategoritë e Mundësuesve të Vullnetarizmit dhe Vullnetarizmit Edukativ, Sara Çeshko u vlerësua si Vullnetarja Guximtare e vitit në Kosovë. Çeshko ka kryer më shumë se 100 orë punë vullnetare, duke hapur dyer për dialog, duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe duke krijuar hapësira për zërat e rinj në proceset kyçe demokratike përmes BE-ja dhe UNË – Platforma për Vizionin e Kosovës. Për më tepër, si pjesë e Task Forcës së Rinisë së Bashkuar, ajo ndihmoi në organizimin e Asamblesë Rinore të OKB-së, ku morën pjesë mbi 200 pjesëmarrës nga Kosova. Si Ambasadore e Re Evropiane, ajo udhëhoqi fushata vetëdijësimi për pjesëmarrjen e të rinjve dhe bashkëpunimin rajonal, duke arritur tek qindra të rinj online dhe offline.

Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve, mbrojtja e mjedisit dhe krijimi i hapësirave gjithëpërfshirëse për të rinjtë në mbarë Kosovën kanë qenë në qendër të punës vullnetare të Diar Bekteshit në vitin 2025, duke i dhënë atij çmimin “Vullnetari në Ngritje i Vitit” në Kosovë. Si Zëvendës Kryesues i grupit Respektoni të Drejtat Tona (ROR) dhe anëtar i Asamblesë Mjedisore, ai ka përfaqësuar fëmijët dhe të rinjtë/rejat në platforma vendimmarrëse të nivelit të lartë. Ka marrë pjesë në Komitetin Ndërministror për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ku inputet e tij, ndër të tjera, kontribuan në lansimin e platformës së qeverisë kundër diskriminimit.

Puna e Bekteshit në fushën e aktivizmit mjedisor dhe gjithëpërfshirjes ka treguar ndikim të prekshëm në disa raste, duke përfshirë instalimin e ulëseve gjithëpërfshirëse për personat me aftësi të kufizuara në Parkun Karagaç në Pejë; rivitalizimin e Parkut Omni Sport në Mitrovicën e Jugut, duke promovuar bashkëpunimin ndëretnik; dhe dhurimin e rubinetave të aktivizuara me sensorë për shkollën Bedri Gjinaj në Mitrovicë të Jugut.
Edesa Ibrahimi fitoi çmimin Vullnetarja e Vitit në Kosovë me më shumë se 800 orë punë vullnetare gjatë viteve 2024-2025, duke kontribuar në evente kombëtare dhe ndërkombëtare, programe edukative, projekte STEM, iniciativa komunitare dhe mentorim të të rinjve. Ajo ka kryer 800 orë punë vullnetare me organizata të ndryshme si Olimpiada Matematikore Evropiane e Vajzave dhe Këshilli Rinor i Ambasadës së SHBA. Puna e saj më me ndikim është platforma për fuqizimin e vajzave në shkencë dhe teknologji, e titulluar CTRL+Her, të cilën Ibrahimi e themeloi vetë.

Në këtë ceremoni ku u kremtua dhe u vlerësua vullnetarizmi dhe puna në komunitet, çmimi Komuna më Përkrahëse e Vitit iu nda Komunës së Istogut; Biznesi më Përkrahës i vitit iu nda AnchorzUP; Përfaqësuesi i Diasporës më Përkrahës i Vitit, Egzon Morinës; Figura Publike më Përkrahëse e Vitit në Kosovë, Pranvera Hysenit; Vullnetari me Kontribut Jetësor i Vitit i Kosovës, Leman Kamberi-Muriqit; vendi i parë i Çmimit të Mësimnxënies të Shërbimit Kombëtar, Klubit Solidar të Shkollës së Mesme Bedri Pejani në Pejë; dhe vendi i 2-të, Super Klubit Vullnetar “Yjet” të shkollës Rexhep Akllapi në Lipjan.