Mars 19, 2016 | Saturday

Blog mysafirja e EUICC-së: Perspektiva në aspektin e barazisë gjinore nga shteti më i ri i BE-së, Kroacia

Po krijojmë një mjedis më të mirë

 

Barazia gjinore është njëra prej vlerave fundamentale të rendit kushtetues të Republikës së Kroacisë.

Më propozimin e Qeverisë kroate, Parlamenti kroat miratoi për herë të parë Aktin e Barazisë Gjinore në vitin 2003. Sipas këtij Akti, u emëruan dy institucione: Avokati i Popullit për Barazi Gjinore si organ i pavarur përgjegjës për luftimin e diskriminimit në fushën e barazisë gjinore dhe Zyra Qeveritare për Barazi Gjinore.

Avokatja e Popullit për Barazi Gjinore vepron në mënyrë të pavarur, monitoron zbatimin e Aktit për Barazi Gjinore dhe rregulloret e tjera për barazinë gjinore dhe i paraqet Parlamentit Kroat raportin vjetor së paku një herë në vit. Sipas Aktit për barazi gjinore e ndalon diskriminimin në baza gjinore, statusit martesor dhe familjar dhe orientimit seksual. Gjithashtu, ky akt ndalon diskriminimin sa i përket trajtimin të pafavorshëm të grave për shkak të shtatzanisë dhe lehonisë së tyre.

Më 28 tetor 2011, Parlamenti Kroat më emëroi Avokate të Popullit për Barazi Gjinore. Gjatë procesit të anëtarësimit të Kroacisë në BE, kam qenë pjesë e delegacionit kroat në konferencat dhe grupet punuese të Komisionit Evropian, OSBE-së, OKB-së, ECRI-së, TAIEX-it, si dhe kam qenë përgjegjëse për Protokollin mbi Procedurat në raste të krimit të urrejtjes në kuadër të plotësimit të masave në vazhdën e Kapitullit 23. Gjithashtu kam qenë koordinatore dhe ligjëruese në takimet e vlerësimit bilateral mes Qeverisë kroate dhe Komisionit Evropian për fushat “Kundër diskriminimit” dhe “Barazisë Gjinore” në vazhdën e Kapitullit 19 – politika sociale dhe punësimi. Gjithashtu kam qenë koordinatore e grupit punues për hartimin e raportit VI, VII dhe VIII të Republikës së Kroacisë mbi zbatimin e Konventës së OKB-së për Eliminimin e të gjitha formave të Diskriminimit Racor / CERD-it.

Në vitin 2008, parlamenti kroat miratoi një akt të ri për Barazi Gjinore me anë të të cilit, ky institucion filloi të njohë rëndësinë e barazisë gjinore dhe problemin e pabarazisë gjinore në vendimmarrjet ekonomike. Para kësaj, fokusi qendror ishte vetëm në pjesëmarrjen e grave në politikë.

Në këtë drejtim, gjatë vitit 2013 arritëm të fitojmë një grant në vlerë prej 250.000 Euro nga Programi i BE-së për progres, për realizimin e projektit që trajtonte vendimmarrjen ekonomike “Shpërbërja e Labirintit të Xhamit – Qasje me Mundësi në të barabarta në vendimmarrjen ekonomike në Kroaci“. Dy vite më vonë, gjegjësisht në vitin 2015 si pjesë e Programit të BE-së për  të drejta, barazi dhe shtetësi” na është ndarë një grant i ri në vlerë prej 350.000 EURO për projektin për pavarësinë e barabartë ekonomike të grave dhe burrave “Në kërkim të  barazisë së plotë mes burrave dhe grave: bashkërendimi i jetës private dhe familjare“.

Projekti ynë i parë, “Shpërbërja e Labirintit të Xhamit – Qasja me mundësi të barabarta në vendim-marrjen ekonomike në Kroaci” ishte një reagim ndaj kontekstit social që ishte i pafavorshëm ndaj pjesëmarrjes së grave në vendim-marrjen ekonomike në Kroaci. Njëra nga detyrat më të rëndësishme ishte krijimi i Bazës së të dhënave për Gratë Afariste në Kroaci – një bazë e të dhënave për gratë e kualifikuara për pozitat vendimmarrëse në nivel të lartë, e para e këtij lloji në rajon. Kemi pasur reagim të lartë nga një numër i bizneseve, ndërsa baza e të dhënave me anëtarët e parë do të prezantohet publikisht në mars të vitit 2016. Nëpërmjet kësaj bazë të të dhënave, kemi krijuar një burim të madh të informatave për punëdhënësit kroatë dhe punëdhënësit nga rajoni në kërkim të grave kandidate për pozita të nivelit të lartë.

Gjatë dy dekadave të fundit, Kroacia ka zhvilluar një kornizë ligjore adekuate që ofron mbrojtje kundër diskriminimit gjinor në vendin e punës, e bazua në acquis-in e BE-së për barazi gjinore. Supozimi që gratë janë kryesisht përgjegjëse për familjen, veçanërisht për kujdesin ndaj fëmijëve, dhe se karriera e tyre profesionale duhet t’i “përshtatet” këtij roli, është shembulli më dominues i diskriminimit në shoqërinë kroate.

Prandaj, projekti ynë i ri përfshin një gamë të aktiviteteve të rritjes së ndërgjegjësimit dhe trajnimit të projektuara për të ngritur kapacitetin e pushteteve lokale në planifikim, buxhetim dhe promovim të politikave që rrisin mbështetjen për gratë dhe burrat në kërkim të një ekuilibër më efektiv mes jetës së tyre profesionale dhe private. Jemi shumë krenarë për cakun e ri –nxënësit, veçanërisht nxënësit e shkollave të mesme. Si një tjetër tipar inovativ, projekti shfrytëzon artin si një formë efektive të komunikimit me këtë grup të veçantë shoqëror. Projekti do të zhvillojë përmbajtje dramaturgjike që trajton kryesisht stereotipet gjinore, që prekin pabarazinë brenda familjes, veçanërisht çështjen e mungesës së burrave në detyrën shoqërore, atë të kujdesit ndaj fëmijëve, dhe t’i shfaqin këto përmbajtje në të gjithë shkollat e mesme në Kroaci. Dy nga institucionet më shquara të artit do të kenë një detyrë aktive për zhvillimin e përmbajtjes dramaturgjike që trajton çështjen e stereotipeve shoqërore që prek rolin e grave dhe burrave brenda një familjeje. Ky projekt ngërthen në vete disa dobi afatgjata të tilla si: 1) praktikat e auditimit të zhvilluara për punësim në sektorin publik mund të përdoren në të gjithë tregun e BE-së dhe në rajonin e Ballkanit; 2) shfaqja  interaktive e prodhuar në kuadër të projektit mund të përkthehet dhe të realizohet në çdo gjuhë, dhe përvojat e fituara gjatë procesit të prodhimit të kësaj forme artistike të ngritjes së ndërgjegjësimit mund të transferohet në vendet e tjera evropiane; 3) të gjitha aktivitetet e zhvilluara në kuadër të projektit mund të përdoren në vendet e rajonit të Ballkanit për shkak që këto vende ndajnë një histori të përbashkët dhe rregullimit të ngjashëm shoqëror në jetën familjare.

Sot, jemi shumë të kënaqur me vizibilitetin, aktivitetet e realizuara dhe arritjet e projektit të parë. Prandaj, mund të konkludojmë se kemi bërë përparim domethënës në adresimin e diskriminimit të grave në vendin e punës falë rëndësisë së njohur të këtyre projekteve nga ana e BE-së dhe falë mjeteve financiare për realizimin e këtyre aktiviteteve. Me projektin e ri që përbëhet nga një numër i konsiderueshëm i aktiviteteve të reja, publikimeve të shumëta dhe video materialeve, jemi të bindur se rezultatet e këtij projekti do të kenë ndikim të dobishëm afatgjatë.

 

Ombudspersoni i Kroacisë, Višnja Ljubičić

 

Për më shume informata në:

Videoja promovuese e projektit të parë u transmetua çdo ditë në televizionin kroat publik kombëtar (HRT) dhe televizionin RTL. Videoja me titra në anglisht mund të gjendet këtu.

 

Faqet e internetit:

Avokati i Popullit për Barazi Gjinore: www.prs.hr dhe www.staklenilabirint.prs.hr.

 

Autorja është Avokate e Popullit për Barazi Gjinore në Republikën e Kroacisë