Janar 26, 2017 | Thursday

A ka pak ajër në këtë ndotje?

Luan Shllaku

(Drejtor Ekzekutiv I Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur)

 

A ka pak ajër në këtë ndotje?

E kemi një paradoks: ka më shumë se tri dekada që qytetarëve të kryeqendrës së Kosovës iu thuhet se ajri të cilin e thithin është shumë i ndotur, por vetëm para një muaji ata filluan të ndjehen në panik për këtë fakt! Çka ndodhi?

Janë dy zhvillime që e bënë tërë gazetarinë Kosovare ta gjejë një temë të re me të cilën do t’i mbushin faqet e portaleve, gazetave dhe TV-ve: Ambasada Amerikane filloi ta matë koncentrimin e grimcave 2.5 mikronësh, dhe t’i fusë këto të dhëna në rrjetin ndërkombëtar të monitorimit të këtij ndotësi. Dhe, një aplikacion me emër AirVisual, që është shumë lehtë të shkarkohet në telefonat mobil, që secili prej nesh i kemi, i pasqyron rezultatet e matjeve të këtij ndotësi në pothuaj të gjitha vendet e mëdha anë e mban globit. Pra, secili prej nesh, në çdo çast, mund të shoh se cili është niveli i ndotjes që aktualisht e kemi në Prishtinë. Këtë e zbuluan edhe një pjesë e gazetarëve, të cilët tashmë ndotjen e ajrit e kanë futur në radarët e tyre.

Po cila është situata aktuale? Në muajt e fundit ka qenë shumë e keqe! Nëse e marrim si të qenë faktin se në 3-4 dekadat e fundit në Kosovë nuk është shtuar ndonjë burim i ri i ndotjes së ajrit me grimca 2.5 mikronësh, atëherë i vetmi konstatim real është se niveli i ndotjes është përafërsisht i njëjtë me atë që e kemi pas edhe në 30-40 vjetët e fundit! Duhet thënë se mund të ketë lëvizje të vogla në nivelin e ndotjes në vitet e fundit për shkak të rritjes së numrit të makinave, sidomos atyre të vjetra, në qarkullim në Prishtinë dhe gjithandej. Por kjo rritje assesi nuk mund të jetë substanciale, apo shkaktar i niveleve të larta të regjistruara muajve të fundit. Kush pra e shkakton këtë ndotje?

Do t’i përmend katër faktor që na kanë bërë që me arsye t’i druhemi daljes jashtë shtëpive, renditja e të cilëve shpreh edhe nivelin e ndikimit në cilësi të ajrit, duke filluar me atë që është ndikuesi dominant: (1) termocentralet (TC) Kosova A dhe Kosova B, (2) kushtet klimatike që kanë dominuar në 2 muajt e fundit, (3) trafiku dhe (4) ngrohja me qymyr dhe dru në amvisni. Më duhet të them se TC-të djegin më shumë qymyr për një ditë se të gjithë shporetat dhe kaldajat e Prishtinës që djegin për një sezon! Por kohëve të fundit, shumë “analistë” të gjendjes aktuale të ajrit, e vendosën në vend të parë këtë ndotës, që mendoj se është e gabuar, por jo edhe pa ndikim.

Nëse e ekstrahojmë për një moment rolin dominant të TC-ve në cilësinë e ajrit të Prishtinës, atëherë duhet të gjejmë shpjegim për pyetjen: meqenëse TC-të punojnë tërë vitin pa ndal, pse nuk e kemi një situatë të njëjtë me ndotjen edhe muajve të tjerë? Nuk e kemi, sepse faktori i dytë i shënuar më lartë, gjendja klimatike, ishte ajo që e bëri që të ngritët dukshëm koncentrimi i grimcave që dalin nga tymtarët e termocentraleve, duke e ndjekur këtë fenomen klimatik: ajri i ftohtë si më i rëndë që është i ka kapur të gjitha emetimet e pluhurit nga TC-të, trafiku dhe oxhaqet e shtëpive, dhe i mban aty poshtë, afër nesh, duke mos e lejuar që duke u ngritur lartë (fenomen që është në kohë më të nxehta) të përzihet me rrymat e ajrit (erërat) që do ta shpërndanin gjithandej, duke e zvogëluar dukshëm koncentrimin. Krejt rastësisht, para disa ditëve isha në pozicion për të parë tymtarët e termocentraleve, dhe e vërejta se shllunga e tymit që dilte nga tymtarët shkonte diku në drejtim të kundërt me Prishtinën. Isha i sigurtë se në ato çaste koncentrimi i grimcave 2.5 mikronëshe ishte shumë më i vogël se ato ditë. E pashë AirVisual në telefonin tim dhe kisha te drejtë – ishte vetëm diku 30-40 mikrogram për një metër kub, shumëfish më pak se një ditë më par. Pra s’ka dyshim se 2 faktor dominant të krizave mjedisore që patëm ishin të shkaktuara nga TC-të dhe kushtet klimatike. Trafiku dhe djegia e karburantëve në amvisni janë gjithmonë faktor me ndikim, por në ditët e fundit ndikuan shumë më pak se dy të parat!

Çka po ndodh me termocentrale? E kemi përsëri një situatë paradoksale. TC Kosova A, e cila gjithmonë ka qenë larg ndotësi më i madh i ajrit te ne, aktualisht liron më pak grimca se TC Kosova B. Kjo ndodh për shkak të një investim që është bërë në rekonstruktimin e elektro-filterave ekzistues,  3 vjet më parë, që e zvogëluan disa herë emisioni e pluhurave (dhe jo edhe gazrave helmues, sepse gazrat nuk filtrohen në këtë mënyrë). Dhe, TC Kosova B është bërë ndotës dominues, dhe aktualisht liron në ajër deri në katërfish më shumë se termocentrali i vjetër A. Por, që të dyja bashkë, e parë nga perspektiva e jonë që jemi vetëm 4-5 kilometra larg, lirojnë në ajër sasi enorme të pluhurit, i cili do të vazhdojë një kohë të gjatë të jetë faktori më i shquar i rrënimit të shëndetit publik të qytetarëve të Prishtinës dhe rrethinës.

Pa u futur në këtë shkrim më në detaje për të elaboruar se çka duhet bërë, le të themi se në këtë moment autoritetet kompetente kanë shumë zgjidhje ligjore dhe praktike për ta përmirësuar ose zbutur këtë situatë, sepse Ligji i Mjedisit mban në vete mekanizma ligjor të mjaftueshëm, të cilët nëse aplikohen, do ta përmirësonin situatën dukshëm. Pra, krejt çka duhet bërë është të implementohet Ligji – për çka na duhet të kemi një shtet ligjorë – për fillim. Qeveria të paktën mund ta ndërmerr një hap, shumë lehtë të realizueshëm, për të na tregu se është  e shqetësuar për këtë situatë të rëndë shëndetësore: ta merr vendimin, menjëherë, me të cilin e qet jashtë përdorimit vendimin paraprak për import të makinave pa kufizim “moshe” dhe ta adapton obligimin për automjetet që qarkullojnë t’i përmbushin normat që janë të caktuara nga BE si Euro 3-6. Cilëndo nga këto ta marrin, do të jetë një përparim në teren dhe mesazh i mirë për qytetarin e kryeqendrës dhe gjithë të tjerët.