Qershor 1, 2021 | Tuesday
Pandemia zbuloi se sistemet arsimore të shumicës së shteteve ishin kryesisht të papërgatitura për ta siguruar vazhdimësinë e arsimit gjithëpërfshirës për të gjithë. Edhe para pandemisë COVID-19, bota po përballej me vështirësi në sigurimin e arsimit, si një e drejtë themelore e njeriut, për të gjithë fëmijët (KB, 2020). Pandemia çoi në probleme më të thella për arsimin global, duke i larguar rreth “1.53 miliardë nxënës nga shkolla”, gjë që preku 87.6 për qind të nxënësve në tërë botën (Arsimi nuk mund të presë, 2020). Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASHT, 2020), në fillim të izolimit në mars 2020, rreth 32 mijë nxënës para-universitarë, ose afërsisht 11 për qind e totalit të nxënësve para-universitarë, nuk kishin fare qasje në arsimin në distancë në Kosovë. Katërmbëdhjetë mijë të tjerë u raportuan se kishin humbur arsimin kryesisht për shkak të mungesës së pajisjeve digjitale ose infrastrukturës së internetit. Humbja e arsimit ka pasoja serioze, si në nivelin personal, ashtu edhe në atë kolektiv.
Për më tepër, pandemia Covid-19 ka shtyrë shumë shtete që të kërkojnë zgjidhje për të siguruar arsimim të shtuar nga distanca për të gjithë nxënësit. Disa përdorën mediat tradicionale, si TV dhe radio, ndërsa të tjerët përdorën metoda më bashkëkohore, si dhoma mësimore në internet dhe platforma të tjera online. Ky ndryshim në qasje e theksoi ndarjen për qasjen në arsim në mes të shteteve. Ndërsa disa shtete ishin në gjendje që të ofrojnë arsim duke përdorur teknologji të sofistikuar, fëmijët po i përjetojnë rezultatet e ndarjes masive digjitale nga të tjerët.
Për të nxitur ndryshime pozitive në shoqëri, posaçërisht në sektorin e arsimit, në vitin 2016, me një grup të të rinjve të apasionuar pas arsimit dhe teknologjisë, ne nisëm një iniciativë për mësimnxënie online në Kosovë – të quajtur Mëso Online, aktualisht e njohur si Qendra e Kosovës për Arsim në Distancë, qëllimi i së cilës ishte diversifikimi i mjeteve dhe alternativave të mësimdhënies dhe mësimnxënies nga mësimi tradicional në atë të përzier. Ne absolutisht nuk e parashikuam ardhjen e pandemisë, por e dinim me siguri se epoka digjitale është ajo që kërkon zgjidhje digjitale. Si një grup i pavarur i aktivistëve në vitin 2016/17, organizuam takime të komunitetit dhe të nxënësve, anketa, dhe zhvilluam tutoriale online që do të bëheshin shtylla e ekzistencës sonë më vonë. Zgjidhjet digjitale kishin pak ose fare përdorim në mjediset e arsimit publik të Kosovës para pandemisë, dhe për këtë arsye, ne besuam fuqimisht se është një çështje që duhet ta trajtojmë dhe ta rrisim vetëdijen.
Meqenëse digjitalizimi i sektorit të arsimit mbetet një enigmë për shumicën e hisedarëve në arsim në Kosovë, ne synojmë që ta sigurojmë bazën në kontekstin e politikave dhe zgjidhjeve praktike për shtetin. Qasja jonë ndaj çështjes konsiston në kontekstualizimin e praktikave të mësimnxënies virtuale në shtetet udhëheqëse. Gjithmonë duhet të fillojmë diku, dhe ndërsa po i kuptojmë barrierat dhe skepticizmin e transformimeve në sektorin e arsimit, ne gjithashtu shërbejmë si një qendër që e informon arsimin, si dhe komunitetin në përgjithësi, se ku duhet të shkojmë, ashtu që sektori ta marrë hovin.
Trajtimi i ndarjes digjitale është parakushti i parë për ta mundësuar një mjedis të barabartë të mësimnxënies virtuale për të gjithë. Prandaj, KCDE u kthye me fuqi të plotë me një program të quajtur ConnectEd (Connect Education) i cili synon që ta evidentojë dhe ta kapërcejë ndarjen digjitale. Puna jonë për ta mundësuar një mjedis të tillë është gur-themel drejt integrimit të zgjidhjeve digjitale dhe virtuale në sektorin e arsimit publik.
Antigona Uka – Drejtore Ekzekutive, Qendra e Kosovës për Arsim në Distancë