Janar 28, 2026 | Wednesday

Rrugëtimi i “Dhomës së Qelqtë – Edicionit të Ekspozitës për Keqinformimin” në Kosovë 

Në tërë Ballkanin, si në shumë pjesë të botës, teknologjitë digjitale dhe të drejtuara nga inteligjenca artificiale kanë ndikuar në ekosistemet e informimit në mënyrë dramatike, duke i lënë shoqëritë dhe demokracitë të cenueshme ndaj keqinformimit dhe polarizimit politik. Bashkimi Evropian dhe Shtëpitë e Evropës në tërë Ballkanin Perëndimor kanë luajtur rol vendimtar në krijimin e hapësirave që i fuqizojnë njerëzit, vendimmarrësit, mediat dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile për t’iu kundërvënë këtyre efekteve. 

“Në mbarë Evropën dhe në mbarë botën, ne të gjithë përballemi me një sfidë të përbashkët: Si t’i mbrojmë shoqëritë tona nga keqinformimi, dezinformimi dhe manipulimi i informatave”, tha Airo Orav, Ambasadori i BE-së në Kosovë, në ngjarjen e lansimit të “Dhomës së Qelqtë: Ekspozitës së Edicionit për Keqinformimin” në Prishtinë. Fjalët e tij e pasqyruan zotimin afatgjatë të BE-së për t’i mbështetur nismat që i pajisin qytetarët me mjetet për ta identifikuar dhe luftuar keqinformimin. 

Mbështetja e turneut të “Dhomës së Qelqtë – Edicionit të Ekspozitës për Keqinformimin” nëpër Kosovë ishte një hap konkret në kthimin e këtij zotimi në veprim. 

Nga bibliotekat, shkollat dhe organizatat e shoqërisë civile në më shumë se shtatëdhjetë vende në mbarë botën, “Dhoma e Qelqtë – Edicioni i Ekspozitës për Keqinformimin”, me mbështetjen e BE-së, bëri rrugë deri në Kosovë, duke u ndalur në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë të Veriut, Graçanicë dhe Gjakovë nga tetori deri në dhjetor të vitit 2025. 

Përmes një vargu posterësh, aplikacionesh interaktive dhe animacionesh të kuruara me kujdes, vizitorët u ftuan që të shqyrtonin se çka është keqinformimi, si përhapet dhe pse është aq bindës. Ekspozita tregoi se si përmbajtjet mashtruese mund t’i formësojnë opinionet dhe të ndikojnë në emocionet e vendimet tona. Ajo po ashtu e nxori në pah një të vërtetë më pak të dukshme: se veprimet e përditshme në internet, siç janë klikimet, pëlqimet dhe shpërndarjet, e luajnë një rol të fuqishëm në amplifikimin e informatave të rreme apo të shtrembëruara. 

Turneu i ekspozitës u shoqërua me punëtori interaktive për ndërtimin e kapaciteteve, të cilat u mbajtën në secilin qytet nikoqir dhe u udhëhoqën nga Kreshnik Gashi dhe Darko Dimitrijević. Një seminar i tillë, “Demistifikimi i të dhënave tuaja – faktet kundrejt ndjenjave: Ruajeni qetësinë dhe vërejeni trukun e dizajnit”, që u udhëhoq nga eksperti i edukimit medial në Kosovë, Kreshnik Gashi, në Europe House në Prishtinë, i shqyrtoi temat siç janë rreziqet nga deepfakes, paragjykimet algoritmike dhe ndikimi i dizajnit digjital në opinionin publik. Pjesëmarrësit gjithashtu morën udhëzime të veçanta për verifikimin e burimeve dhe mbrojtjen e privatësisë personale online. Seanca të ngjashme u mbajtën në të gjitha qytetet në të cilat ekspozita u shfaq gjatë një turneu në mbarë Kosovën. 

“Dhoma e Qelqtë” u projektua nga Tactical Tech, një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse kreative me më shumë se dy dekada përvojë në shqyrtimin e ndikimeve sociale, politike dhe mjedisore të teknologjisë. Përmes nismave kreative, bashkëpunuese dhe me ndikim, siç janë ekspozitat, pakot e mjeteve dhe programet e trajnimit, të hartuara qëllimisht për të qenë të përsëritshme, të shkallëzueshme dhe të adaptueshme në kontekste të ndryshme. 

Në Kosovë, turneu i “Dhomës së Qelqtë” u mbështet nga BE-ja dhe u zbatua në partneritet me Purple Consulting. Lansimi koincidoi me “Javën Globale të Edukimit për Mediat dhe Informimin”, duke e përforcuar qasjen thelbësore të Tactical Tech: “Ndryshimi kuptimplotë ndodh përmes partneriteteve të forta lokale”. Partnerët lokalë sigurojnë që materialet e Tactical Tech jo vetëm të shfaqen, por të shndërrohen në realitete gjuhësore, kulturore dhe sociale të secilit komunitet. 

Duke reflektuar për rëndësinë e bashkëpunimit lokal, Sheila Njeri nga Tactical Tech për Europe House Kosova tha: “Mbështetja e BE-së është thelbësore për të arritur si tek komunitetet lokale, ashtu edhe tek vendimmarrësit kryesorë, meqë ndihmon në krijimin e hapësirës për diskutim rreth njohurive për mediat, dezinformimin, demokracinë dhe aktivizmit qytetar, si dhe rolit të mediave sot.” 

Duke u bazuar në përvojën dhe ndikimin e Edicionit të Ekspozitës për Keqinformimin, kjo nismë do të vazhdojë në Kosovë me “Dhoma e Qelqtë: Bota digjitale – Kurthi i të dhënave tuaja personale”. Ekspozita e radhës do t’ua hapë dyert komuniteteve përsëri, duke i ftuar ato që ta eksplorojnë një dimension tjetër tejet të rëndësishëm të botës digjitale dhe t’i thellojnë njohuritë e tyre për mënyrën se si ndërveprimi i përditshëm online u jep trajtë të dhënave personale dhe privatësisë. 

Së bashku, dy edicionet e ekspozitës së “Dhomës së Qelqtë” e formojnë një rrugëtim të lidhur, duke i ndërlidhur keqinformimin, të dhënat personale dhe fuqinë digjitale. Duke i kombinuar ekspozitat, partneritetet lokale dhe të mësuarit praktik, kjo nismë e mbështetur nga BE-ja vazhdon ta forcojë aftësinë e komuniteteve për t’u marrë me mjedisin digjital të sotëm në mënyrë kritike dhe të përgjegjshme.