Janar 28, 2026 | Wednesday
Raport për testimin e situatave lidhur me diskriminimin në procesin e punësimit
Në dhjetor të vitit 2025, QKSGJ-ja (Qendra Kosovare për Studime Gjinore) dhe IKS-ja (Iniciativa Kosovare për Stabilitet) i lansuan gjetjet e hulumtimit të financuar nga BE-ja me titullin “Paragjykimi në derë: Zbulimi i diskriminimit përmes testimit të situatave në tregun e punës”, një studim që hedh dritë mbi fazat më të hershme dhe më pak të dukshme të rekrutimit, në të cilat diskriminimi dhe përjashtimi fillojnë më së shpeshti.

Në këtë studim të financuar nga BE-ja, testimi i situatave është përdorur për të shqyrtuar se si kandidatët për punë me kualifikime të barabarta trajtohen ndryshe vetëm në bazë të disa karakteristikave, siç janë gjinia, etnia apo orientimi seksual dhe identiteti gjinor. Duke u përqendruar në shqyrtimin e aplikimeve, telefonatat e përsëritura dhe intervistimet – hapa të procesit të punësimit këta që rrallë lënë gjurmë zyrtare apo çojnë në ankesa, ky studim e ekspozon mënyrën se si diskriminimi vepron heshturazi në “prag” të punësimit, duke përcaktuar se si disa kategori hyjnë në tregun e punës shumë kohë para se të nënshkruhet ndonjë kontratë e punësimit.
Për dallim nga monitorimi i bazuar në ankesa, i cili e kap vetëm një fraksion të vogël të rasteve që eskalojnë në konteste formale, testimi i situatave shpërfaq atë që rëndom mbetet e padukshme: vendimet, sjelljet dhe mikro-ndërveprimet e përditshme që i japin trajtë qasjes në punë shumë kohë para se të krijohet ndonjë marrëdhënie e punësimit.
I zhvilluar midis 13 dhe 30 nëntorit të vitit 2025, ky hulumtim ka përfshirë 18 kompani dhe 25 pozita të punës në fusha të ndryshme, siç janë hoteleria, logjistika, administrata dhe shërbimi i pastrimit, për ta ekspozuar paragjykimin në rekrutim dhe në tregun e punës. Profile të kandidatëve të ngjashëm janë dorëzuar për konkurset për vende të lira të punës që janë shpallur publikisht, duke përdorur procese të aplikimit të kontrolluar. Për ta ruajtur integritetin metodologjik, rolet profesionale të nivelit të lartë nuk janë marrë parasysh, duke u siguruar që refuzimet të mos u atribuoheshin kritereve të paqarta për ekspertizë, por trajtimit të diferencuar. Profilet kanë ndryshuar vetëm në një karakteristikë të mbrojtur, duke e mundësuar një krahasim të drejtpërdrejtë të përgjigjeve të punëdhënësve.

Edhe brenda fushëveprimit të kufizuar të këtij pilot projekti, gjetjet shpërfaqin modele konsistente të trajtimit të pabarabartë. Gratë rome të Kosovës janë përballur me disa nga barrierat më të dukshme gjatë intervistimit, duke përfshirë pyetjet e përsëritura lidhur me shkollimin e tyre, shqetësimin më të madh për transport dhe ofertat me paga më të ulëta. Në një rast ilustrues, një gruaje rome me kualifikime më të larta nuk i është ofruar pozita, ndërsa ajo është ridrejtuar në një vend të punës jashtë Prishtinës. Si rast i kundërt, një kandidati jo-rom më pak të kualifikuar për të njëjtin rol i është ofruar punësim menjëherë në qendër të qytetit, pa u ngritur shqetësime logjistike.
Diskriminimi i bazuar në orientimin seksual ka dalë në pah më së qarti në mesin e kandidatëve meshkuj. Meshkujt heteroseksualë kanë marrë përgjigje më të shpejta dhe oferta pune më konkrete, ndërsa meshkujt homoseksualë shpesh kanë përjetuar intervista më të gjata që nuk janë kthyer në mundësi të barasvlershme. Në mesin e grave, trajtimi i diferencuar ka qenë më pak i hapur dhe është dukur se ka qenë i lidhur më ngushtë me shprehjen e gjinisë sesa vetëm me orientimin seksual, duke sugjeruar që konformiteti me normat gjinore stereotipike mund të ndikojë në perceptimet e punëdhënësve.

Pabarazitë gjinore kanë qenë evidente edhe në të gjithë sektorët. Kandidatët meshkuj kanë qenë më të orientuar kah rolet me paga më të larta apo me më shumë përgjegjësi, ndërsa gratë kanë qenë të orientuara kah pozitat e statusit më të ulët. Në disa raste, kandidateve femra u janë bërë pyetje ndërhyrëse që nuk kanë pasur të bëjnë me kapacitetin profesional, si për shembull nëse familja e tyre do t’ua “lejonte” që të punonin. Kandidatëve meshkuj nuk u janë bërë këto pyetje kurrë.
Përtej rasteve individuale, gjatë studimit janë zbuluar dobësi strukturore në praktikat e rekrutimit. Shumë kompani nuk u janë përgjigjur aplikimeve fare, ndërsa ato që u janë përgjigjur shpesh i kanë anashkaluar kanalet zyrtare të aplikimit, duke u mbështetur, në vend të tyre, në telefonata apo aplikacione për mesazhe. Këto praktika jozyrtare e ulin transparencën, e amplifikojnë vendimmarrjen subjektive dhe krijojnë terren pjellor për filtrim diskriminues.
Përmes mbështetjes së nismave siç ka qenë ky studim, BE-ja e tregon përkushtimin e saj për të mbetur avokate e fortë e të drejtave të barabarta në tregun e punës. Gjetjet e “Paragjykimit në derë” u janë adresuar institucioneve qeveritare, Institucionit të Avokatit të Popullit, Inspektoratit të Punës, organizatave të shoqërisë civile dhe sektorit privat. Duke sqaruar se çfarë ndodh në portën e parë për në punë, ky studim synon t’i kontribuojë një tregu të punës më transparent, më të përgjegjshëm dhe më përfshirës në Kosovë.