Dhjetor 3, 2025 | Wednesday
Vjollca Çavolli është një ndër zërat më me ndikim në sektorin e teknologjisë në Kosovë. Me një përvojë të gjatë në promovimin e grave në ICT, ajo ka qenë dëshmitare e transformimit të kësaj fushe – nga dominimi i burrave në një hapësirë gjithnjë e më të hapur për vajzat dhe gratë. Që nga viti 2009 Çavolli drejton STIKK – Shoqatën e Kosovës për Teknologji Inovative dhe Komunikim. Ajo gjithashtu është anëtare e Bordit Këshillues për Udhëheqje Transformative si dhe është drejtuese e bordit të Innovation Centre Kosovo. Çavolli ka mbaruar studimet per ekonomi në Universitetin e Prishtinës në periudhën 1981-1985.
Në këtë intervistë, ajo ndan rrugëtimin e saj, sfidat, përparimet dhe mesazhet për brezat e rinj që synojnë një të ardhme në teknologji.
Kjo intervistë është pjesë e publikimit të Europe House “Nga vizioni tek inovacioni: Udhët frymëzuese të grave në teknologji”.
Europe House Kosovo: Si ka nisur rrugëtimi juaj në fushën e IT-së dhe cilat kanë qenë sfidat e para?
Vjollca Çavolli: Rrugëtimi im në fushën e teknologjisë ka filluar në një kohë kur ky sektor ishte shumë më pak i zhvilluar në Kosovë dhe prezenca e grave ishte minimale. Sfida e parë ka qenë kapërcimi i paragjykimit se teknologjia është profesion për burra.
Mungonin mundësitë e strukturuara për zhvillim profesional dhe trajnime cilësore – hyrja dhe avancimi në këtë fushë kërkonin përkushtim të jashtëzakonshëm personal. Por dëshira për të qenë pjesë e një sektori që transformon shoqërinë më motivoi të ec përpara.
Europe House Kosovo: Si e shihni rolin e grave në teknologji sot krahasuar me para 10–15 viteve?
Vjollca Çavolli: Ka ndodhur një ndryshim i madh pozitiv. Para 10–15 viteve, gratë në teknologji ishin të pakta dhe kryesisht në role administrative. Sot kemi shumë vajza dhe gra që janë programere, inxhiniere softueri, menaxhere projektesh, apo themeluese të start-up-eve.
Pjesëmarrja e tyre është në rritje falë punës së organizatave, projekteve dhe iniciativave që kanë synuar fuqizimin e grave në këtë sektor. Sot, prezenca e grave nuk është më përjashtim – po bëhet pjesë natyrale e zhvillimit teknologjik në vend.
Europe House Kosovo: Cilat janë barrierat më të mëdha me të cilat përballen vajzat që hyjnë në këtë fushë?
Vjollca Çavolli: Ende ekziston stereotipi shoqëror që teknologjia nuk është për vajza. Kjo është një nga pengesat kryesore që i dekurajon shumë prej tyre që në fillim.
Mungesa e modeleve frymëzuese në rrethin e tyre të afërt dhe vështirësitë për të balancuar pritjet familjare me angazhimin profesional janë gjithashtu sfida reale. Për më tepër, qasja e kufizuar në rrjete profesionale, praktika dhe mundësi zhvillimi mbetet një pengesë e madhe.
Europe House Kosovo: Çfarë duhet bërë për të pasur më shumë vajza dhe gra në profesione të lidhura me teknologjinë?
Vjollca Çavolli: Gjithçka fillon nga arsimi fillor, me promovimin e shkencave dhe teknologjisë si diçka e arritshme për vajzat. Nevojiten më shumë bursa, mentorim dhe programe të dedikuara për zhvillimin e tyre profesional.
Është po aq e rëndësishme që prindërit dhe mësuesit të vetëdijësohen për të mbështetur vajzat në zgjedhjen e karrierës.
Po ashtu, kompanitë duhet të kenë politika të qarta të barazisë gjinore, të krijojnë kushte fleksibile pune dhe një kulturë që i mirëpret gratë në ekipet teknologjike.
Europe House Kosovo: Cili është mesazhi juaj për vajzat që ëndërrojnë të bëhen pjesë e botës së IT-së?
Vjollca Çavolli: Mos u dekurajoni nga paragjykimet apo sfidat! Teknologjia është një fushë e hapur për të gjithë ata që kanë pasion, kreativitet dhe këmbëngulje. Ky sektor ofron mundësi të jashtëzakonshme për zhvillim profesional, ndikim shoqëror dhe rritje personale. Vajzat duhet të besojnë në aftësitë e tyre, të ndërtojnë rrjete mbështetëse dhe të ndjekin ëndrrat me vendosmëri.
Bota e teknologjisë ka nevojë për perspektivën, talentin dhe përkushtimin e tyre.