Nëntor 12, 2025 | Wednesday
Në moshën 11 vjeçare – si fëmijë i viteve të ‘90-ta, në mes të trazirave politike dhe protestave masive të profesorëve dhe studentëve që thirrnin për rikthimin e arsimit në gjuhën shqipe nën një regjim gjithnjë e më shtypës – Ervina Halili shkroi poezinë e parë “Turma 97”. Në vitin 2015, libri i saj i tretë i titulluar “Amuletë” (2015) – që erdhi pas librave “Vinidra (2008) dhe “Trëndafili i heshtjes” (2004) – u nderua me çmimin kombëtar për poezi.
Halili është themeluese e muzeut/arkivit digjital “Rilindja”, ku reflektohen kontributet e gazetarëve kosovarë në gazetën nën të njëjtin emër (1945-1991). Libri i saj “Gjumi i Oktapodit” është përkthyer në gjermanisht në një edicion dygjuhësh, ndërsa romani i saj i parë “Mali i Qumështit” u botua në vitin 2025 nga Onfuri në Tiranë. Në vitin 2021, ajo u nderua me çmimin për demokraci nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, për punën e saj konservuese të arkivit te Rilindjes.
Ajo ka udhëhequr tri punëtori për shkrim kreativ në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë. Kemi biseduar me të për të kuptuar më shumë për praktikën e saj të shkrimit si dhe ndërthurjen komplekse të shkrimit kreativ si një rrugëtim i brendshëm e individual, që mëton të komunikojë universalisht. Në këtë intervistë, Halili ndan përvoja të veta si dhe mënyrën se si ka ndarë dije dhe shkathtësi – duke u bazuar në to – me pjesëmarrësit/et e punëtorive kreative në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë.

Europe House Kosovo: Përgjatë tri punëtorive të shkrimit kreativ në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, ke udhëhequr pjesëmarrësit/et në një rrugëtim të eksplorimit të praktikave të shkrimit. Ky eksplorim sigurisht nuk ka të bëjë vetëm me praktikat dhe teknikat e shkrimit, por më shumë me gjetjen e çështjeve dhe impulseve që e bëjnë të nevojshëm artikulimin kreativ. Si ka qenë ky proces për ty?
Ervina Halili: Tre sesionet e punëtorisë për shkrimin kreativ me fokus në zhanrin e tregimit të cilat janë zhvilluar në Shtëpinë e Evropës, kanë qenë punëtori të dizenjuara veçanërisht në atë formë që të jenë unike dhe të përshtatshme për grupmosha të ndryshme dhe kontekst të veçantë kulturor ku jetojmë, sepse fundja shkrimi duhet edhe të ketë aftësi komunikuese duke u nisur nga një burim kontekstual e prezent për t’u univerzalizuar siç i ka hije edhe vetë letërssë e cila nuk e duron kufirin lokal as personal. Po, sesionet kanë qenë të shtresëzuara duke mos u ndalur vetëm në disa teknika bazë që i nevojiten tregimit për t’u zhvilluar por paralelisiht të krijojmë një vetëdije për procesin përmbajtësor dhe si ta krijojmë në atë formë që të jetë kompakt për lexuesin, por njëkohësisht të komunikojmë edhe me brezat e tjerë.
Si një njeri që jam formuar përmes shkrimit, ka qenë kënqësi e përveçme ta ndaj me të tjerët edhe përvojën time, edhe gabimet e mia përmes të cilave kam mësuar shumë por edhe guxmin që duhet ta ketë çdokush që ka vendosur ta manifestojë imagjinatën e vet përmes shkrimit. Imagjinata e njeriut nuk ka kufi, ne si emetues e kufizojmë përmes kufijve tanë mendor e kulturor, përmes kufijve tanë gjykues, prandaj, punëtoria nuk ishte e lidhur vetëm me aspektin teknik të shkrimit por edhe një trajnim se si të guxojmë ta rrjedhim imagjinatën tonë sa më natyrshëm e sa më lehtë.

Europe House Kosovo: Ti je vetë shkrimtare dhe aktiviste, a e sheh ndarjen e dijes nga përvoja jote si pjesë të të njëjtit mision si dhe çka është një mësim që pjesëmarrësit/et tua dëshiron ta marrin me vete?
Ervina Halili: Shkrimi letrar në përgjithësi është aktivizëm, por për dallimi nga aktivizmi shoqëror, ai është aktivizëm simbolik dhe personal, sepse niset, ka shtëpinë te imagjinata jonë personale. Gjithsesi, në një kontekst filozofik, shkrimi është akt i rezistencës personale. Ne brumosemi e zhvillohemi duke tentuar të ambientohemi në rrethanat që gatshëm na servohen, qoftë ato psikologjike, kulturore e të çfarëdo lloji. Si qenie politike që jemi, ne zhytemi pa dashur, ndaj një sistemi të gatshëm që ndonjehërë nuk na dëmton në formë direkte, por shpesh na mbyt vetat tonë të çmuara, na tehuajëson, na invalidon vlerat dhe lirinë.
Unë gjithmonë tentoj t’ua rrëfej të tjerëve se si përmes shkrimit, ata mund të krijojnë një ambient, që do të ishte ambient i përshtatshëm për ta për të jetuar mendërisht të lirë, dhe kur nisin e jetojnë mendërisht dhe emocionalisht të lirë, ata gradualisht nisin të krijojnë një vetëdije edhe për qenien e tyre sociale, edhe për rëndësine e tyre sociale dhe vetëcenzurën në të cilën jetojnë, prandaj, për të mos i mbetur borxh pyetjes suaj mund të them se po, shkrimi nuk dallon shume nga aktivizmi social, por ka një peshë shumë më të ngarkuar personale, ku vetë individi bëhet një zë simbolik i qenies që flet nga burimi i lirisë, nga një botë se si do të duhej të ishte dhe nga disa rrethana se si do të qe mirë të përfundonin qoftë edhe duke përfunduar keq. Shkrimi flet përmes kontrastit e shpesh përmes të kundërtave. Ndonjëherë duke e treguar një rrethanë të vështirë por duke pasur aftësine letrare ta manifestojmë emocionalisht në atë formë që t’i flasim ndërgjegjes së të tjerëve, ne e arrijmë një pikë shumë inteligjente letrare për të parashtruar pyetje të heshtura dhe të përmbytura.
Europe House Kosovo: A je përpjekur që edhe me pjesëmarrësit/et e punëtorive të kultivosh mendimin aktivist, angazhimin për çështje që lidhen me dokumentimin dhe kujtesën kolektive – duke u nisur nga përpjekja jote e vazhdueshme për të mbajtur të hapur diskutimin për Rilindjen?
Ervina Halili: Siç e potencova më lart, shkrimin e shoh si aktivizëm simbolik, ndërsa aktivizmi social ka një natyrë krejt tjetër, edhe pse nuk e mohoj që mund të gjejmë pika të përbashkëta. Për shembull shkrimi që mund të lexohet nga një pikëpamje feministe, i ka që të dyja, varet nga konteksti i lexuesit edhe periudhës në të cilën jetojmë. I njejti shkrim, nuk ju flet as të gjithë individëvë as të gjitha kulturave njësoj. Kjo është e bukura e shkrimit, që nuk komunikohet vetëm nga ai ose ajo që e shkruan, por edhe nga ai ose ajo që lexon. Shkrimi është dhënësi dhe marrësi bashkë. Kjo liri e bën magjike, dhe jo vetëm në rrafshin e përjetimit por edhe në rrafshin e kuptimit. Aktivizmi social ka një semantikë më direkte. Në botën time prej një aktivisteje të dokumentimit e arkivimit, mendoj që gjithsecili nga ne që jetojmë një jetë të përbashkët sociale, do të duhej të kishte shpirtin e aktivistit. Kjo botë do të ishte shumë më e bukur po të kishte më shumë mbrojtës, dhe zëra aktivë që arrijnë ta shndërrojnë në praktikë konkrete zërin e tyre.
Europe House Kosovo: Nëse po, si e informojnë këto praktika të angazhimit social shkrimin tënd? A bëhet shkrimi kreativ mjet për të adresuar çështje sociale, apo e anasjellta, a e ngacmojnë impulsin tënd kreativ përpjekjet sociale jo vetëm tuat por të komuniteteve në të cilat jeton?
Ervina Halili: Po, gjithmonë, por siç e potencova më lart, në një rrafsh simbolik. Nuk besoj që mund të ketë letërsi pa ngacmime të jashtme. Por letërsia është transformuese. E merr një gjë të jashme dhe nuk e kthen si një gjë të jashme. E futë nëpër një filtër të pakufishëm e gati krejt arketipor të individit, brenda zërit të tij, përjetimit të tij personal, ëndrrave të tij, traumave të tij, komplekseve, dijeve, njohjeve, përvojave, dhe e nxjerr si diçka krejt unike, me thellësi shumë më të shtresëzuara se ngjarja që e ka nxitur. Ajo ngjarje e jashtme, te secili individ prek pika të ndryshme që individi mban në ndërdije dhe në kujtesën e tij. Shoqëria është më e unisuar, është më grupore, ka vlera më të përbashkëta etike. Në letërsi çfarëdo gjëje e jashme që hyn në botën letrare bëhet përvojë unike edhe intelektuale edhe emocionale, krijon etikë personale.
Europe House Kosovo: Si e transmeton impulsin tënd personal, cilido qoftë ai, emocional apo social, në formë të shkrimit kreativ – qoftë ajo poezi, apo formë tjetër e shkrimit? Si është për ty personalisht transformimi i diçkaje krejt personale në diçka politike, të përbashkët në mënyrë kreative?
Ervina Halili: Si proces kam guxmin edhe ta shoh anasjelltas. Si e shndërrojmë veten tonë sociale e politike në një qenie burimore dhe të zhveshur nga çdo vlerë sintetike, si zhvishemi?- këtë me kalimin e kohës, kur shkrimi bëhet formë e jetës, e arrin vetë shkrimi pa provuar ti ta bësh. Pas një përvoje (nuk e them se e kam arritur plotësisht) shkrimi bëhët njëfar udhërrëfyesi se si t’i zhveshim gradualisht të gjitha petkat identitare që nuk janë tonat, që na janë imponuar si format më të duhuara të mbijetesës. E bukura është të jesh zë politik, pa gjuhën politike. Të jesh zë social pa gjuhë aktiviste, vetë shkrimi të jetë gjuha unike e cila flet përmes thellësive ku nuk ka arritur të depërtojë as njeriu politik e as ai social.