Nëntor 12, 2025 | Wednesday

Një intervenim shumëdimensional për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor 

Në vazhdën e shënimit të Ditës së BE-së Kundër Trafikimit në tetor, duam të theksojmë një nga iniciativat përmes të cilave Bashkimi Evropian riafirmon përkushtimin e vet ndaj luftimit të trafikimit të qenieve njerëzore dhe mbrojtjes së viktimave.

Përmes veprimit EU4FAST, Bashkimi Evropian po punon me institucione në mbarë Ballkanin Perëndimor për forcimin e sistemeve të drejtësisë, mbështetjen e zbatimit të ligjit dhe përmirësimin e identifikimit dhe mbrojtjes së viktimave, duke punuar kështu për komunitete më të sigurta, institucione më të forta dhe më shumë drejtësi për të gjithë.

Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), Ministria e Brendshme e Austrisë, Policia Federale e Gjermanisë (Bundespolizei), Qendra për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (CILC), CIVIPOL, Ministria e Brendshme e Kroacisë, Ministria e Brendshme e Italisë dhe Ministria e Brendshme e Sllovenisë janë bashkuar në veprimin “Mbështetja e BE-së për Forcim të Luftës Kundër Kontrabandës së Migrantëve dhe Trafikimit të Qenieve Njerëzore në Ballkanin Perëndimor”, i njohur edhe si EU4FAST, që nga qershori 2023.

Sipas të dhënave nga partnerët e projektit, nga fundi i vitit 2021 është rritur shumë migrimi i parregullt drejt BE-së, i cili përfshin rrezikun që migrantët e cenueshëm të kthehen në viktima të trafikimit të qenieve njerëzore (TQNj). Në vitin 2022, mbi 300,000 hyrje të parregullta u regjistruan në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian (BE), duke përfaqësuar një rritje prej 64% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pothuajse gjysma e këtyre mbërritjeve u regjistruan në rrugën e Ballkanit Perëndimor, duke e bërë rajonin një nga rrugët kryesore për kontrabandimin e migrantëve në BE.

Përballë këtij fluksi masiv, autoritetet gjyqësore dhe ligjzbatuese, si të BE-së ashtu edhe të Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për më shumë kapacitete dhe, në disa raste, ekspertizë shtesë për parandalimin dhe luftimin efektiv dhe efiçient të kontrabandës dhe trafikimit të migrantëve në Ballkanin Perëndimor. Kjo është veçanërisht e dukshme në çështjet gjyqësore komplekse dhe të gjata.

Qëllimi i projektit ka qenë të ofrojë një qasje të përshtatur në përputhje me nevojat specifike të institucioneve dhe palëve të interesit relevante për të siguruar identifikimin dhe mbrojtjen efiçiente të viktimave të mundshme të trafikimit të qenieve njerëzore.

Gjatë gjithë rrjedhës së projektit, autoritetet në vendet e Ballkanit Perëndimor ku zbatohet projekti – që punojnë në fushat e zbatimit të ligjit, menaxhimit të kufijve dhe luftës kundër krimit të organizuar – janë ndihmuar dhe do të vazhdojnë të ndihmohen për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandës së migrantëve në përputhje me standardet e BE-së dhe të drejtat e njeriut. Kjo është bërë përmes ofrimit të përmirësimit adekuat dhe efiçient të shkathtësive të tyre teknike, duke përfshirë prokurimin dhe zhvillimin e zgjidhjeve digjitale inovative që përputhen me nevojat bashkëkohore të parandalimit dhe hetimit të krimit.

Qasja 4-P e Projektit

Në fillim të zbatimit të tij, ekipi i projektit ka zhvilluar një qasje që siguron një intervenim të qëndrueshëm dhe shumëdimensional për arritjen e synimeve të projektit. Qasja bazohet në katër parime: parandalimi, mbrojtja, ndjekja penale dhe partneriteti dhe njihet si Qasja 4-P. 

Ndjekja penale përfaqëson përmirësimin e kushteve për hetimin dhe ndjekjen penale efektive të kriminelëve dhe rrjeteve duke forcuar kapacitetet përkatëse të autoriteteve ligjzbatuese dhe gjyqësore të Ballkanit Perëndimor në përputhje me standardet e BE-së.

Parandalimi përfaqëson forcimin e sistemeve për menaxhim të integruar të kufijve, rritjen e reziliencës së grupeve në risk dhe përmirësimin e bazës së tyre të njohurive për kontrabandën dhe risqet që lidhen me trafikimin e qenieve njerëzore, çka do të rezultojë në frenimin e rrjeteve kriminale dhe prishjen e tentativave të tyre për të gjetur viktima të mundshme.

Duke forcuar institucionet dhe OJQ-të për identifikimin dhe referimin e viktimave të trafikimit, si dhe sistemet për ofrimin e strehimoreve dhe shërbimeve, veprimi kontribuon për vendosjen e një sistemi për Mbrojtje gjithëpërfshirëse.

Forcimi i ndërlidhjeve mes sistemeve të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes do të kontribuojë në ndjekjen penale efektive të kriminelëve dhe rrjeteve të tyre. Lehtësimi i Partneriteteve efektive luan rol kyç në të gjithë projektin, duke synuar forcimin e strukturave lokale, rajonale dhe të bashkëpunimit BE-Ballkani Perëndimor.

Adresimi i të gjithë elementëve kyç për të përmirësuar kushtet për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës së migrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor do të kontribuojë në forcimin e sundimit të ligjit në rajon. Kjo, nga ana tjetër, do t’i mbështesë të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor në avancimin në rrugën e tyre drejt zgjerimit.