Nëntor 12, 2025 | Wednesday
Në një ditë të zakontë, ai hyri në një kafene të qytetit. Teksa Xhemail Sllovinja porositi të zakonshmen, pas banakut pa shokun e tij të lagjes nga fëmijëria. Kur e pyeti kamerierin: “Çka po bën Besniku këtu?”, Sllovinja kuptoi se kishte kohë që fqinji i tij punonte si barist dhe ishte vërtet i zoti në këtë punë.

“Sigurisht, u emocionova shumë, sepse më rizgjoi kujtimet e fëmijërisë”, tregon Sllovinja për këtë takim të rastit që u kthye në një vizitë nëpër kujtime me shokun e tij Besnikun. Ata u ulën dhe biseduan për pak kohë. Çdo takim me shokët e fëmijërisë është i veçantë, por ky ishte veçanërisht domethënës për Xhemailin. Ai shënoi fillimin e rrugëtimit të tij për ta dokumentuar me fotografi jetën e përditshme të personave me sindromë Down në Kosovë, përfshirë shokun e tij nga Ulpiana, Besnikun.

Xhemail Sllovinja është fotograf profesionist që prej 25 vjetësh punon për media dhe institucione të ndryshme në mbarë Kosovën. Megjithatë, deri në atë pikë, ai kishte qenë në kërkim të një tematike të rëndësishme për ekspozitën e tij të parë. Ai donte që kjo ekspozitë jo vetëm të përfaqësonte veprën e tij, por edhe të përcillte një mesazh të rëndësishëm për shoqërinë.
Pasi u takua me Besnikun, ai vendosi që kjo do të ishte një ekspozitë që përshkruante jetën e përditshme të personave me sindromë Down në Kosovë. Ai u lidh menjëherë me përfaqësuesit e Down Syndrome Kosova, një organizatë lokale e shoqërisë civile që punon për rritjen e ndërgjegjësimit dhe ofrimin e shërbimeve për personat me sindromë Down në Kosovë. Së bashku me Olimpiadën Speciale të Kosovës, Down Syndrome Kosova e ndihmoi Xhemailin të lidhej me më shumë persona me sindromë Down dhe të dokumentonte jetën e tyre të përditshme.

“Duhet ta pranoj se para se të ndërmerrja këtë rrugëtim, dija shumë pak për jetën e përditshme të personave me sindromën Down”, tregon Sllovinja. Megjithatë, ai zbuloi një botë krejt të re kur filloi t’i fotografonte, një botë njerëzish në Kosovë që ndjekin ëndrrat, hobit dhe karrierat e tyre kur ofrohen mundësitë dhe kushtet e duhura. Duke folur për ekspozitën e tij “Një Botë për të Gjithë”, Sllovinja tregon se kjo punë e ka përmbushur jo vetëm profesionalisht, por edhe shpirtërisht.
“Një Botë për të Gjithë” është ekspozita e parë fotografike e Sllovinjës e hapur në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë nga 14 tetori deri më 31 tetor për nder të Muajit të Ndërgjegjësimit për Sindromën Down. Ajo pati shumë vizitorë dhe u prit shumë mirë nga publiku.

Kjo ekspozitë ka një rëndësi të veçantë për Sllovinjën, pasi që u kushtohet personave me sindromë Down në Kosovë dhe kremton kontributin e tyre në shoqëri. Ekspozita përcjell mesazhe të mirëkuptimit, vlerësimit dhe avokimit për kushte më të mira dhe mundësi të barabarta për këta individë në Kosovë.