Shtator 10, 2025 | Wednesday
“Mesazhet e rezistencës në forma të ndryshme dhe kundër padrejtësive të shumta janë në thelb të aktivizmit dhe angazhimit të DokuFest – si përmes temave të zgjedhura të festivalit, ashtu edhe përmes përzgjedhjes së filmave dhe debateve të shumta. Ky edicion, përveç performancës së DakhaBrakha, solli edhe disa filma të rëndësishëm nga Ukraina, duke hedhur dritë mbi situatën komplekse atje”, thotë themeluesi dhe drejtori artistik i DokuFest Veton Nurkollari, duke reflektuar mbi edicionin e këtij viti të festivalit dhe pjesëmarrjen e DakhaBrakha, kuartet i muzikës folklorike nga Ukraina, me financimin e BE-së. .
LAKMI, PAFUND ÇMENDI, BOSHLLËK ishte tema nën të cilën u zhvillua DokuFest i këtij viti – Festivali Ndërkombëtar i Dokumentarëve dhe Filmave të Shkurtër nga 1 gusht deri më 9 gusht në Prizren, Kosovë.
Nga 3,500 aplikime në FilmFreeway, kuratorët e kategorive përkatëse përzgjodhën gjithsej 100 filma për shtatë seksione të konkurrimit dhe 116 të tjerë për 12 programe të kuruara. Shumë prej tyre u paraqitën si premierë botërore, ndërkombëtare dhe evropiane, duke e vendosur më tej DokuFest si një hapësirë për zëra të rinj dhe tregime të fuqishme.
Në përputhje me temën e këtij viti të DokuFest, Bashkimi Evropian në Kosovë ishte krenar të paraqiste Kuartetin e Muzikës Folklorike nga Ukraina DakhaBrakha në DokuNights më 4 gusht 2025. Të njohur gjerësisht si Ambasadorët e Ukrainës së Lirë, në kontekstin e pushtimit të Rusisë në Ukrainë dhe luftës së vazhdueshme për çlirim, performanca e tyre në DokuFest në vetvete përfaqëson një simbol dhe mesazh të fuqishëm politik. Grupi e përcjell këtë jo vetëm përmes muzikës së tyre, por edhe me thirrjet e tyre të vazhdueshme për rezistencë.

Marko Halanevych, Iryna Kovalenko, Olena Tsybulska dhe Nina Garenetska, të katër anëtarët e DakhaBrakha, u ngjitën në skenën Sonar të DokuNights për të përcjellë mesazhe solidariteti përmes një game të instrumenteve të larmishëm, nga violonçeli tek daullet, nga sinti regëtues dhe dajret tek një instrument që imiton cicërimat e zogjve. Publiku u DokuFest vallëzuan si nën ritmin e një kitare elektrike ashtu edhe të një fizarmonikë, duke u bërë pjesë e përcjelljes kolektive të mesazheve të paqes dhe rezistencës.
Simbolika e DakhaBrakha në DokuNights merr edhe më shumë rëndësi në dritën e festimit të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës më 24 gusht. BE-ja në Kosovë është krenare që e ka kremtuar kulturën e Ukrainës gjatë gjithë muajit duke i bërë bashkë miliona njerëz në mbarë Evropën për të kërkuar paqe në këto kohë të trazuara.

Në DokuFest të këtij viti, duke e ditur rëndësinë e bashkimit të njerëzve dhe rrjetëzimit në kulturë në përgjithësi dhe në industrinë e filmit në veçanti, BE-ja në Kosovë ishte gjithashtu nikoqire e një pritje. Në një atmosferë të relaksuar, pritja mblodhi një numër të konsiderueshëm të profesionistëve nga industria e filmit, partnerë dhe miq, duke e përforcuar rëndësinë e eventeve si DokuFest për rrjetëzim dhe shkëmbim të përvojave.

Tema e DokuFest për vitin 2025, LAKMI, PAFUND ÇMENDI, BOSHLLËK, pasqyroi realitetin e sotëm të mbushur me luftëra, padrejtësi dhe dhunë të normalizuar, duke e ftuar publikun të rezistojë ndaj apatisë dhe duke rizgjuar përgjegjësinë për të dëgjuar, mbajtur dëshmi dhe vepruar, thotë producentja e festivalit Alba Çakalli.
DokuFest 2025 mirëpriti mbi 15 mijë vizitorë, të mbështetur nga mbi 100 anëtarë të stafit dhe 70 vullnetarë dhe ne jemi krenarë që kemi qenë pjesë e këtij kolektivi të njerëzve që dërgojnë mesazhe uniteti dhe solidariteti.