Shtator 1, 2025 | Monday

Më shumë gjithëpërfshirje: Tregimi i Qendrës për Jetë të Pavarur

Përmes aktiviteteve si piknik, punë dore dhe ekspozita arti, Qendra për Jetë të Pavarur, me mbështetje bujare nga Bashkimi Evropian në Kosovë, po e ridefinon mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara të shëndetit mendor. Duke vepruar në Pejë, qendra i ofron shërbimet e veta për anëtarë nga mbarë rajoni i Dukagjinit.

Qendra për Jetë të Pavarur u themelua në vitin 2005, edhe pse shërbimet për personat me aftësi të kufizuara ishin ofruar prej vitit 1999 në kampet për refugjatët në Shqipëri. QJP-ja u krijua si përgjigje ndaj nevojave urgjente të komunitetit të personave me aftësi të kufizuara të shëndetit mendor, të cilët në atë kohë përballeshin me mungesën e plotë të shërbimeve mbështetëse.

“Prej themelimit, misioni ynë ka qenë të kontribuojmë në përfshirjen e plotë sociale dhe zhvillimin personal të personave me aftësi të kufizuara duke siguruar qasje në edukim cilësor të përshtatur për secilin individ, duke ofruar shërbime terapeutike profesionale që mbështesin zhvillimin fizik, kognitiv dhe emocional, duke inkurajuar pavarësinë dhe autonominë në jetën e përditshme, duke mbrojtur të drejtat e tyre dhe duke zvogëluar stigmatizimin në shoqëri, si dhe duke i përfshirë në mënyrë aktive familjet në procesin e zhvillimit si të fëmijëve ashtu edhe të të rriturve”, thotë Fitore Haxhiislami nga Qendra për Jetë të Pavarur.

Mbështetja nga Bashkimi Evropian ka qenë vendimtare për zhvillimin e qëndrueshëm të qendrës. Së pari, mbështetja e BE-së krijoi stabilitet financiar dhe qëndrueshmëri në ofrimin e shërbimeve cilësore për personat me aftësi të kufizuara të shëndetit mendor. Për më tepër, u zhvilluan programe trajnimi për stafin profesional, duke i mundësuar qendrës ta pajisë më mirë ekipin e vet me shkathtësitë e nevojshme për t’u shërbyer anëtarëve të vet. Bashkëpunimi më i fortë me institucionet lokale në Pejë ka qenë gjithashtu krucial për cilësinë e punës së qendrës, i bërë i mundur falë mbështetjes së Bashkimit Evropian. “Për fundi, mbështetja e BE-së na ka ndihmuar të forcojmë bashkëpunimin me prindërit dhe familjet e personave me aftësi të kufizuara intelektuale”, shton Haxhiislami.

Me kalimin e viteve, Qendra është rritur me kapacitete, infrastrukturë dhe ekspertizë, duke u bërë një nga qendrat kryesore në rajonin e Pejës për këtë grup. Në Qendrën për Jetë të Pavarur, secilit fëmijë i ofrohet një qasje e personalizuar, bazuar në nevojat dhe aftësitë e veta. Disa nga aktivitetet specifike të kryera përfshijnë; sesione edukative individuale dhe në grup: zhvillimi i shkathtësive bazë në lexim, shkrim, matematikë, komunikim dhe përdorim të teknologjisë; aktivitete pune dore dhe kreative: përmes punës me duar, vizatimit, pikturës dhe shprehjes artistike, duke i ndihmuar fëmijët të ndërtojnë vetëbesim dhe të shprehen lirshëm; aktivitete sociale dhe integruese: si ekskursione, organizimi i festave, pjesëmarrja në evente komunitare dhe kulturore; shkathtësi për jetesë të pavarur: kurse gatimi, siguria në trafik, përdorimi i transportit publik, menaxhimi i parave dhe blerjet e pavarura; mbështetje dhe këshillim familjar: sesione trajnimi dhe këshillimi për prindërit.

Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara është një e drejtë themelore e njeriut dhe tregues kyç i një shoqërie demokratike dhe të barabartë. Përfshirja nënkupton eliminimin e barrierave sociale, infrastrukturore dhe kulturore, krijimin e mundësive reale për pjesëmarrje aktive në edukim, punësim dhe jetë sociale. Mbështetja nënkupton sigurimin e shërbimeve dhe resurseve të nevojshme, ndërsa fuqizimi përfshin ndërtimin e kapaciteteve personale, vetëbesimit dhe autonomisë për të marrë vendime të pavarura, për të jetuar sa më të pavarur dhe për të qenë kontribues aktivë në komunitet.

Gjatë viteve të funksionimit të vet, QJP-ja i ka përgatitur fëmijët edhe për shkollimin e rregullt, me një ish-përfitues që aktualisht ndjek studimet masteri dhe dy të tjerë që tani janë të punësuar në kompaninë e mirëmbajtjes së qytetit të Pejës.

Sa i përket të ardhmes, Qendra për Jetë të Pavarur mbetet e përkushtuar për të zgjeruar shtrirjen dhe për të thelluar ndikimin e vet, përkundër sfidave me të cilat është përballur gjatë viteve duke luftuar paragjykimet sociale dhe mungesën e profesionistëve të trajnuar.  Duke vazhduar jo vetëm të ofrojë shërbime të drejtpërdrejta për personat me aftësi të kufizuara të shëndetit mendor përmes aktiviteteve të përditshme, por edhe të avokojë për ndryshime sistemike, QJP-ja synon të ndërtojë një të ardhme më gjithëpërfshirëse, një të ardhme ku personat me aftësi të kufizuara të njihen si anëtarë të barabartë të shoqërisë, të fuqizuar për të formësuar jetën e tyre dhe të vlerësohen për kontributet e tyre në komunitet.