Prill 15, 2024 | Monday
Aktivitetet informuese në shkolla janë pjesë e fushatës #PërEnergjitëMirë. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve synohet ndërgjegjësimi për mbrojtjen e mjedisit, të ardhmen e gjelbër dhe energjinë e rinovueshme duke u angazhuar në aktivitete argëtuese dhe informuese me nxënësit e klasave të treta të shkollave fillore. Ligjëratat e shkurtra mbi energjinë e gjelbër nga ekspertët e fushës pasohen nga një lojë e quajtur ‘Green Energy Bingo’, që synon t’u mësojë atyre parimet e energjisë së gjelbër duke u argëtuar.
Gjatë periudhës afro dyvjeçare, u realizuan aktivitete informuese në shkollat fillore dhe në qendrat në Prishtinë (shkolla “Naim Frashëri”), Fushë Kosovë (Balkan SunFlowers); Obiliq (shkolla “Ibrahim Rugova”); Novobërdë (shkolla “Minatori”); fshati Gllamnik në Podujevë (shkolla “Kongresi i Manastirit”) dhe në shkollën “Finlandeze” në Prishtinë.
Secilit prej këtyre aktiviteteve iu bashkuan përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë, ndërsa në Novobërdë, fëmijët diskutuan për parimet e energjisë së gjelbër në bisedë me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Në fund të secilit prej këtyre aktiviteteve informuese, të cilat do të vazhdojnë edhe në muajt e ardhshëm, fëmijët marrin dhurata me temë energjinë e gjelbër si fletore, shishe uji dhe komplet të ngjyrave, ku secili prej këtyre artikujve janë të prodhuar nga materiale të ricikluara, si dëshmi e përkushtimit të tyre për t’u bërë superheronj të mbrojtjes së mjedisit.