Dhjetor 22, 2023 | Friday

16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore

Aktivitetet e Fushatës së UN Women

16 Ditët e Aktivizmit shpërfaqën fuqinë e përpjekjeve të përbashkëta për adresimin e çështjeve urgjente, dhe lufta jonë për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave do të vazhdojë pasi që heqja dorë nga përkushtimi ynë nuk do të mund të shfajësohej. Është një përkushtim që shkon përtej kohës dhe është përgjegjësia jonë kolektive të sigurojmë vazhdimësinë e tij deri kur barazia të kumbojë në çdo cep të komunitetit tonë global. 

Blogu i mëposhtëm është shkruar nga ekipi i UN Women në Kosovë dhe thekson disa nga aktivitetet kyçe që u zhvilluan në kuadër të fushatës në Kosovë, duke theksuar partneritetin e UN Women Kosova me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë për luftimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë dhe sigurimin e avancimit të të drejtave të grave në Kosovë.

16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore është fushatë vjetore globale që fillon më 25 nëntor, Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe përfundon më 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut. Kjo fushatë përdoret si strategji organizuese nga individë dhe organizata në mbarë botën për të bërë thirrje për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave (DhKGV), duke treguar se dhuna ndaj grave është shkelja më e përhapur e të drejtave të njeriut në mbarë botën.

Çdo vit, fushata zhvillohet nën një temë globale. Tema globale e fushatës për vitin 2023 ishte Investimi për Parandalimin e Dhunës Kundër Grave dhe Vajzave dhe u fokusua në rëndësinë e financimit të strategjive të ndryshme parandaluese për t’i dhënë fund shfaqjes së dhunës në radhë të parë. 

Si çdo vit, ngjyra zyrtare e fushatës, portokallia, e cila është edhe tema unifikuese në të gjitha aktivitetet, simbolizon një të ardhme më të ndritshme, pa dhunë, për gratë dhe vajzat në shkallë globale.

Fushata 16 Ditët e Aktivizmit është shënuar në Kosovë prej vitit 2010. UN Women ka koordinuar aktivitetet përmes Grupit të OKB-së për Sigurinë dhe Gjininë (SGG), të përbërë nga palët e shumta të interesit dhe të kryesuar nga vetë UN Women, për të siguruar që agjencitë e OKB-së, organizatat ndërkombëtare, institucionet lokale dhe organizatat e shoqërisë civile që punojnë për çështjet gjinore dhe të sigurisë, të jenë të bashkuara në shënimin e 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore (DhBGj). Këtë vit, UN Women ka koordinuar kalendarin e përbashkët të aktiviteteve me SGG-në. 

Në vitin 2023, UN Women organizoi disa aktivitete për të përkujtuar 16 Ditët e Aktivizmit duke bashkuar forcat me palë të ndryshme të interesit, duke filluar nga institucionet, sektori privat, media, organizatat e shoqërisë civile dhe bota akademike. 

Duke theksuar partneritetin e suksesshëm afatgjatë me Bashkimin Evropian, UN Women dhe Zyra e BE-së në Kosovë organizuan ngjarjen përmbyllëse të Programit Rajonal të UN Women për dhënien fund Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave “Zbatimi i normave, ndryshimi i mendjeve”, i cili u financua nga Bashkimi Evropian. Në ngjarje u paraqitën rezultatet kyçe të programit përmes reflektimeve nga përfituesit e programit, dhe u diskutuan rrugët përpara. U theksua ndikimi i Programit në Kosovë dhe rajon për promovimin e normave ndërkombëtare si CEDAW dhe Konventa e Stambollit e KiE-së, përmirësimi i shërbimeve mbështetëse, përmirësimi i mbledhjes së të dhënave, si dhe adresimi i stereotipeve gjinore. Për më tepër, përpjekjet e programit kontribuuan në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Në këtë ngjarje të rëndësishme, ku morën pjesë Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, Udhëheqësi i Zyrës së BE-së Tomáš Szunyog, ambasadorë dhe partnerë, rezultatet e programit u shtjelluan sipas temës globale të 16 Ditëve, duke nënvizuar rëndësinë e sigurimit të financimit të mjaftueshëm për strategji të ndryshme parandaluese që synojnë t’i japin fund shfaqjes së dhunës në radhë të parë. 

Për më tepër, me mbështetjen e Bashkimit Evropian në Kosovë, UN Women mbështeti Ministrinë e Drejtësisë në lansimin e “Tri moduleve të reja të integruara në bazën e të dhënave për identifikimin e rasteve të dhunës në familje”. Në vitin 2019, UN Women lansoi bazën e të dhënave të integruara për rastet e dhunës në familje dhe që atëherë ka punuar për përmirësimin e kësaj baze të dhënash, duke pranuar nevojën urgjente për të dhëna gjithëpërfshirëse dhe për përmirësim të koordinimit ndërmjet palëve të interesit. Iniciativa u nxit nga Konventa e Stambollit, duke theksuar domosdoshmërinë për të adresuar mungesën e të dhënave dhe bashkëpunimin e pamjaftueshëm. UN Women ndërmori detyrën e zhvillimit të bazës së të dhënave, trajnimit të akterëve relevantë dhe përsosjes së sistemit gjatë viteve. Baza e të dhënave merret si shembull i mirë për rajonin dhe më gjerë. Ajo mundëson monitorimin dhe ndjekjen penale të rasteve të dhunës në familje në Kosovë, dhe siguron llogaridhënie, duke i obliguar institucionet relevante që ta furnizojnë bazën e të dhënave me informacionin e nevojshëm nga niveli qendror dhe lokal.

UN Women, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, e ndriçuan ndërtesën e Rektoratit në ngjyrë portokalli duke bërë thirrje për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, duke simbolizuar njëkohësisht rëndësinë e botës akademike drejt këtij qëllimi.  UN Women gjithashtu mbështeti hartimin e Planit të Parë të Veprimit për Barazi Gjinore për vitet 2023/4 – 2025/6 të Universitetit të Prishtinës, me qëllim të krijimit të një mjedisi të barabartë dhe gjithëpërfshirës. Ky dokument u lansua në fund të fushatës me mbështetje nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe UN Women përmes programit rajonal “Financimi transformues për barazi gjinore drejt qeverisjes më transparente, gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse në Ballkanin Perëndimor” të financuar nga Sida. Ai shërben si kornizë gjithëpërfshirëse e politikave për tri vitet e ardhshme, gjatë të cilave Universiteti i Prishtinës është i përkushtuar për zbatimin e iniciativave dhe projekteve që synojnë zbutjen e pabarazive gjinore. Me katër objektiva që përfshijnë kultivimin e një kulture që nxit barazinë gjinore, arritjen e barazisë gjinore në pozitat vendimmarrëse, integrimin e perspektivës gjinore në ligjërata dhe hulumtime, si dhe parandalimin e ngacmimit seksual dhe mbrojtjen prej tij në universitet, Plani synon të krijojë një mjedis akademik në të cilin stafi dhe studentët mund të lulëzojnë.

Më tej, duke qenë një strukturë që është e përkushtuar në mënyrë aktive për promovimin e barazisë gjinore dhe luftimin e dhunës në baza gjinore, Bashkimi Evropian në Kosovë iu bashkua fushatës duke marrë pjesë në ngjarjet e organizuara si pjesë e fushatës. Për më tepër, u zhvillua një fushatë me ndikim në rrjete sociale, duke shpërndarë mesazhe nëpër kanalet e veta me synimin për të rritur vetëdijesimin dhe për të mbajtur qëndrim kundër dhunës në baza gjinore në mesin e audiencës së vet. 

UN Women mbështeti aktivitetet e Ministrisë së Drejtësisë gjatë 16 Ditëve të Aktivizmit. Gjatë konferencës rajonale “Të bashkuar kundër dhunës – mjaft” organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Presidenca. Në konferencë, UN Women koordinoi një sesion që trajtonte Dhunën Digjitale dhe Paragjykimet Gjinore në IA, me pjesëmarrjen e Teuta Sahatqija, Ambasadorja e Grave në Teknologji për Kosovën. Sahatqija theksoi domosdoshmërinë e eliminimit të dhunës kibernetike dhe paragjykimeve gjinore në IA për të çrrënjosur dhunën ndaj grave dhe vajzave. Sipas raportit të fundit të UN Women, i titulluar “Ana e errët e digjitalizimit: Dhuna ndaj Grave e Lehtësuar nga Teknologjia në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore”, 43.3% e grave në Kosovë kanë përjetuar të paktën një formë të dhunës së lehtësuar nga teknologjia. UN Women gjithashtu mbështeti ngjarjen hapëse të fushatës së organizuar nga Ministria e Drejtësisë, si dhe ofroi mbështetje logjistike për ngjarjet tjera të fushatës të organizuara nga Ministria.

Përveç komunikimit në rrjete sociale të UN Women, është bërë avokim për rritjen e mbështetjes për lëvizjet për të drejtat e grave, duke i fuqizuar ato që të vazhdojnë rolin e tyre vendimtar në parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Organizatat për të drejtat e grave janë kampione të vijës së frontit në luftën drejt një bote më të barabartë dhe pa dhunë. Financimi i projekteve për gratë ka potencialin për t’i reduktuar deri në 50% rastet e dhunës nga partneri intim.

Zyra e UN Women në Kosovë mbetet shumë e përkushtuar në luftimin e dhunës në baza gjinore duke punuar nga afër me institucionet dhe komunitetet, si dhe duke zbatuar Instrumentin për Barazi Gjinore, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian. Ky projekt shfrytëzon një qasje shumëplanëshe, duke përfshirë angazhimin e komunitetit, fushatat për vetëdijesim, ngritjen e kapaciteteve dhe avokimin për politika. Projekti e konsideron ndërlidhjen e dhunës në baza gjinore me strukturat më të gjera shoqërore dhe punon për transformimin e këtyre strukturave duke avokuar për ndryshime legjislative dhe duke përafruar ligjet kombëtare me standardet e BE-së, duke promovuar politika me ndjeshmëri gjinore dhe duke nxitur një mjedis institucional mbështetës. 

Për fundi, teksa 16 Ditët e Aktivizmit shpërfaqën fuqinë e përpjekjeve të përbashkëta për adresimin e çështjeve të ngutshme, lufta jonë për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave do të vazhdojë pasi që heqja dorë nga përkushtimi ynë nuk do të mund të shfajësohej. Është një përkushtim që shkon përtej kohës dhe është përgjegjësia jonë kolektive të sigurojmë vazhdimësinë e tij deri kur barazia të kumbojë në çdo cep të komunitetit tonë global.