Qershor 5, 2025 | Thursday

Festimet e Ditës së Evropës 2025 – Foto Reportazh

Këtë vit, Festuam Evropën në nëntë qytete anembanë Kosovës dhe përgjatë disa javëve mblodhëm qytetarë, të rinj, përfaqësues institucionalë dhe përfaqësues të BE-së për të reflektuar rreth vlerave evropiane përmes artit, kulturës, edukimit dhe argëtimit me aktivitete të ndryshme. Përmes fotografive të mëposhtme kemi kënaqësinë t’ju përcjellim disa nga momentet më të paharrueshme.

Vizitat në shkolla (25–30 prill)

Fëmijë të shkollave fillore në Vushtrri, Kamenicë, Malishevë dhe Prishtinë patën mundësinë të mësojnë rreth vlerave të BE-së përmes diskutimeve interaktive me ambasadorë të shteteve anëtare të BE-së dhe përfaqësues të EULEX-it. Nxënësit morën pjesë në lojëra edukative dhe morën kopje të librit Mbrojtësit e Planetit nga Arben Kllokoqi.



Gjatë muajit maj, sfida në Instagram #Gjej Flamurin e BE-së i nxiti qytetarët që të fotografojnë dhe ndajnë projekte të financuara nga BE-ja në Kosovë. Fituesi, që do të shpallet më 3 qershor, do të fitojë një udhëtim për dy persona në Berlin!

Masterklasë (6 maj): Udhëtari endacak

Udhëhequr nga artisti i muraleve Vuk Gjuriq, masterklasa u mbajt në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicën e Veriut dhe kulmoi me inaugurimin e muralit më 9 maj në Mitrovicën e Veriut, duke përcjellë mesazhe uniteti dhe bashkëpunimi.

Festivali i Filmit Evropian – EFF (6-8 maj, Teatri i Qytetit Gjilan)

Përmes shfaqjes së filmave nga Italia, Kroacia, Austria, Sllovenia, Holanda, Greqia dhe vende të tjera, festivali solli histori prekëse, frymëzuese dhe përafruese mes njerëzve. Në ngjarjet e mbrëmjeve morën pjesë edhe përfaqësues diplomatikë nga vendet pjesëmarrëse.

Chopin Piano Fest 

Në bashkëpunimin tonë tashmë tradicional me Chopin Piano Fest, koncerti hapës u mbajt më 7 maj me pianisten Maria Gabrys-Heyke nga Polonia – një homazh për trashëgiminë klasike evropiane.

Karvani i Fëmijëve për Ditën e Evropës (7–9 maj)

Me pjesëmarrjen e qindra fëmijëve në Fushë Kosovë, Pejë dhe Prishtinë, karvani ofroi aktivitete kreative, lojëra, këngë dhe punëtori që promovuan vlerat e BE-së.

Pritja për Ditën e Evropës (7 maj, Tech Park Prishtina)

Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve diplomatikë dhe komunitetit të startup-eve, ky aktivitet shërbeu si një urë lidhëse për bashkëpunim dhe dialog institucional.

Ekspozita Evropa në miniaturë (9 maj, Shtëpia e Evropës, Prishtinë)

Në bashkëpunim me BONEVET, fëmijët prezantuan miniatura të monumenteve evropiane të modeluara në 3D, të krijuara me përdorimin e teknologjisë.

Panairi Team Europe

Me stenda nga shtetet anëtare, aktivitete për fëmijë, ushqime tradicionale dhe një atmosferë festive, Prishtina kremtoi me mijëra qytetarë në zemër të qytetit në Panairin tradicional Team Europe. 



Programi për fëmijë (9 maj, Sheshi Zahir Pajaziti)

Karvani i Fëmijëve, shfaqje nga Kori i Fëmijëve Okarina dhe Shkolla e Muzikës “Faik Sylka” e Rahovecit

Koncerti i Madh (9 maj, Sheshi Zahir Pajaziti)

Yll Matoshi, Diana Mehmetaj & Band, Majlinda Cikaqi & Band, dhe Capital T na sollën një mbrëmje muzikore të paharrueshme.

Në Mitrovicën e Veriut, koncerti me pjesëmarrjen e The Bad Week solli një atmosferë roku dhe energji rinore në Pub-in e Mitrovica Rock School.


Aktivitetet përfunduan me Javën Evropiane të Startup-eve 2025, në partneritet me Qendrën e Inovacionit të Kosovës. Një javë e mbushur me sesione mentorimi, rrjetëzim, trajnime për inteligjencën artificiale dhe sigurinë kibernetike, si dhe storje suksesi nga themelues vendas që e kanë frymëzuar dhe fuqizuar ekosistemin e startup-eve të Kosovës.