Korrik 4, 2025 | Friday
Intervistë me Avokatin e Popullit Naim Qelaj
Europe House Kosovo: Të qenit Avokat i Popullit, ndër të tjera është edhe mision fisnik. Çka i ka paraprirë si mision, si bindje, ambicies suaj për të qenë Avokat i Popullit?
Naim Qelaj: Nganjëherë e kaluara e përcakton të ardhmen. E kaluara ime ka qenë e tillë që në vazhdimësi jam ballafaquar me shkelje të të drejtave të njeriut, fillimisht si fëmijë për shkak të vetë kohës… Unë i takoj gjeneratës së viteve të ‘70-ta, jam lindur në vitin 1971.
Po flas këtu për sfidat me të cilat jam ballafaquar në shkollim, deri në situatën ku më është mohuar e drejta e shkollimit dhe të gjitha peripecitë që i ka vuajtur secili qytetar i Republikës së Kosovës.
Puna e parë që e kam bërë ka qenë në kuadër të një projekti që në atë kohë është financuar nga Komisioni Evropian për Rindërtim. Ky projekt është realizuar nga Këshilli t për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut dhe përmes tij kemi ofruar ndihmë juridike falas.
Gjatë kohës sime në këtë mision, kam arritur të kuptoj se sa e rëndësishme është që qytetarët t’i dijnë dhe njohin të drejtat që u takojnë, sepse ky është parakusht që ata të mund të kërkojnë mbrojtjen kur këto të drejta u cenohen. Njëkohësisht, e kam kuptuar se sa e rëndësishme është që njerëzit të kenë një autoritet të pavarur i cili u del në mbështetje dhe i orienton drejt realizimit të të drejtave që ata i gëzojnë e që për shumë arsye mund t’u cenohen nga vetë autoritetet që kanë përgjegjësi ligjore t’i mbrojnë ato.
Pastaj nga viti 2006-2007 deri në vitin 2017 kam punuar në cilësinë e avokatit. Si avokat kam trajtuar shumë raste të ndjeshme të cilat vërtet të bëjnë të kuptosh se sa e rëndësishme dhe çfarë misioni fisnik është mbrojtja e njerëzve në nevojë.
Kur është shpallur konkursi për Avokat të Popullit, kanë qenë shokët dhe njerëzit që më kanë njohur që më kanë shtyrë të aplikoj. Për mua ky ka qenë një moment kur kam besuar tek puna që unë e kam bërë, tek misioni që unë e kam marrë përsipër për të qenë autoritet i pavarur, i pandikuar politikisht, i pandikuar nga çdo ndërhyrje në punën dhe misionin tim dhe në vitin 2020 në tetor vetëm më është besuar pozita e Avokatit të Popullit, rol të cilin e ushtroj edhe sot.
Natyrisht nuk ka qenë e lehtë. Kam menduar që situata do të jetë më e qartë dhe se punët mund të kryhen më lehtë se që kam hasur në praktikë. Periudha ka qenë shumë sfiduese. Në momentin kur unë u zgjodha dhe fillova mandatin e Avokatit të Popullit, ka qenë periudhë e pandemisë. Në atë periudhë janë cenuar më së shumti të drejtat e njeriut sepse është kufizuar lëvizja e lirë dhe shumë aspekte të tjera të cilat ndërlidhen me të drejtat e njeriut. Pastaj filloi kriza ekonomike globale si pasojë e pandemisë. Filloi lufta në Ukrainë, kriza energjetike, kriza politike globale. Natyrisht këto nuk kanë qenë të lehta, kanë qenë sfiduese. Mirëpo unë i kam besuar përvojës së institucionit, i kam besuar kujtesës institucionale, kam vazhduar t’ju besoj njerëzve në institucion duke mos sjellur njerëz të ri vetëm sa për të plotësuar numra e pozita por gjithmonë duke i shtyrë njerëzit brenda ashtu që të nxjerrim më të mirën prej tyre dhe natyrisht duke vepruar gjithmonë në përputhje me atë që është edhe parim i avokatit të popullit, në profesionalizëm, në epërsinë e të drejtave të njeriut, në transparencën me publikun dhe në ruajtjen e konfidencialitetit me palë sepse është shumë e rëndësishme që secili qytetar që i drejtohet avokatit të popullit të jetë i sigurt që privatësia e tij ruhet.
Europe House Kosovo: Institucioni i Avokatit të Popullit duhet të ketë komunikim të vazhdueshëm edhe me institucione të tjera gjyqësore. Cili është komunikimi që e keni dhe si ndikon stabiliteti apo mosstabiliteti politik në këtë kanalin e komunikimit që e keni me institucionet?
Naim Qelaj: Është krijuar një praktikë e mirë e komunikimit institucional sepse edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton qartë që të gjitha autoritetet kanë obligim kushtetues t’u përgjigjen kërkesave të Avokatit të Popullit. Pra, në çdo rast kur një autoritet nuk kthen përgjigje në kërkesat që ne parashtrojmë, kjo paraqet shkelje të Kushtetutës. Edhe nëse nuk e konfirmon një autoritet tjetër, megjithatë shkelja qëndron. Unë mendoj që shkelja më e rëndë e një ligji është kur shkelet Kushtetuta dhe detyrimet që dalin prej saj. Kështu që, në përgjithësi autoritetet e ruajnë një respekt të komunikimit institucional me institucionin e Avokatit të Popullit, por që kjo nuk është e mjaftueshme ngase shpeshherë mungon koordinimi dhe komunikimi përtej asaj që është kthim përgjigjesh në raport me rekomandimet dhe kërkesat që ne ju drejtojmë autoriteteve tjera.
Ky komunikim mund të bëhet në format që vendet e zhvilluara demokratike e aplikojnë ku merret vendimi i Avokatit të Popullit për çështje që janë me interes për të drejtat e njeriut dhe çdo veprim që autoritetet publike e marrin në kufizim të të drejtave dhe lirive të njeriut ose kur ka implikime dhe mund të ndikojë në të drejtat e njeriut, natyrisht paraprakisht merret një qëndrim dhe një opinion i Avokatit të Popullit. Kjo tek ne nuk bëhet në të gjitha rastet. Ka edhe raste kur ndodh dhe kjo padyshim e shton pasaj vlerën e punës që e bëjnë autoritetet tjera dhe i garantojmë dhe sigurojmë që me veprimet që po i ndërmarrin, nuk po i kërcënojnë të drejtat e njeriut.
Ndryshimet politike që ndodhin në strukturën qeverisëse nuk janë në vete problem, sepse ai është proces i natyrshëm, process demokratik. Por në Kosovë, për Avokatin e Popullit sfiduese janë pasojat që vijnë nga rezultati i situatave të pazgjidhura politike. Kryesisht zgjidhja e raporteve me Serbinë, statusi i padefinuar i shtetësisë ose jo i plotësuar në njohjen e përgjithshme dhe në organizatat ndërkombëtare që janë të rëndësishme si Kombet e Bashkuara, Këshilli i Evropës e organizata të tjera por edhe vetë krizat që prodhojnë këto procese të pazgjidhura politike.
Jeni dëshmitarë të krizës që u krijua në fund të vitit 2022 kur pati fillimisht bllokadë të rrugëve, pengesa të këtilla që ndikonin në kufizimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve por edhe të institucioneve, pra ishin pengesë edhe për kryerjen e punëve të institucioneve. Pastaj trazirat me protesta deri tek bojkoti i plotë ose lëshimi i vendeve të punës nga komuniteti serb në katër komunat e veriut. Krejt kjo prodhoi situatë të vështirë, të komplikuar dhe një lloj krize që cenonte qytetarët që jetonin në atë pjesë të Kosovës. Në këtë periudhë mua më është dashur të shtrij komunikimin e institucionit në nivel të qytetarit, në nivel të organizatave të shoqërisë civile sepse qytetarët e komunitetit serb mbetën pa përfaqësim politik në institucione, pra pa përfaqësim institucional dhe krejt çka unë kam kërkuar gjatë kësaj periudhe është që institucionet edhe në ndërmarrjen e veprimeve legjitime, duhet të kenë kujdes dhe të ndërmarrin masa që garantojnë se po respektohen të drejtat e qytetarëve dhe në asnjë moment nuk duhet që në emër të shtrirjes së legjitimitetit ose në emër të veprimeve legjitime të cenohen dhe kufizohen të drejtat që këta qytetarë i gëzojnë. Akoma edhe sot ne ballafaqohemi me situata të vështira në raport me situatën që ndodhet në këto katër komuna. Pa dashur të hyj në analizë të faktorëve që kanë sjellur deri tek kjo situatë, kjo e bën të vështirë punën e Avokatit të Popullit sepse duhet gjithmonë të jetë i kujdesshëm të ketë qëndrime të balancuara që garantojnë respektimin e të drejtave të njeriut mirëpo edhe të mos shkojnë në cenim të veprimeve të ligjshme të autoriteteve.
Europe House Kosovo: Si ndikojnë ngjarje të këtilla në punën tuaj? A e zbehin ato besimin e komuniteteve të caktuara në institucionin e Avokatit të Popullit?
Naim Qelaj: Në këto situata është shumë e vështirë ta ruash besimin sepse humbja e besimit të qytetarëve në institucione shkon në pako, shkon në të gjitha institucionet dhe është shumë e rëndësishme që në këtë fazë të ruhet komunikimi. Unë besoj se kam gjetur formën më të mire të komunikimit përmes vizitave që ju bëj vetë lokaliteteve ku jetojnë komunitetet; takime me grupe të qytetarëve, me grupe të organizatave të shoqërisë civile dhe bisedave shumë të hapura duke i vendosur në theks problemet që ata i kanë, por duke i vënë në theks edhe problemet që nuk janë krejt në dorë të Kosovës.
Natyrisht tentoj që nëpërmjet këtyre komunikimeve, këtyre kontakteve, të tregoj që Avokati i Popullit vepron në interes të të drejtave të njeriut, pavarësisht nacionalitetit dhe pavarësisht cilit grup etnik i takojnë këta qytetarë. Por problemet janë të shumta, jo vetëm te komuniteti serb, por në përgjithësi ankesat që ne pranojmë gjatë vitit na bëjnë të kuptojmë sa shumë probleme ekzistojnë në Kosovë, përkundër të arriturave që Kosova ka bërë ndër vite falë edhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë dhe bashkësisë ndërkombëtare por edhe punës së palodhshme që në vazhdimësi kanë kryer zyrtarë, njerëz e aktivistë të të drejtave të njeriut që veprojnë sot në Kosovë.
Europe House Kosovo: Cilat janë kapacitetet e institucionit për menaxhim të këtij fluksi të ankesave? Si dhe cilët janë mekanizmat përmes të cilëve po ua bëni të qartë qytetarëve që e kanë derën hapur tek Institucioni i Avokatit të Popullit?
Naim Qelaj: Ne funksionojmë me këto kapacitete që i kemi dhe provojmë t’u dalim në ndihmë qytetarëve sa herë që ata na drejtohen, por natyrisht që kemi nevojë për shtim të kapaciteteve ngase edhe kompetencat dhe përgjegjësitë e avokatit të popullit janë shtuar me ligjet e aprovuara rishtazi. Pra, çdoherë kur një ligj aprovohet në Republikën e Kosovës diku në një pjesë e përfshin një punë dhe një obligim me përgjegjësi që e ka Avokati i Popullit dhe kjo bën që ne të kemi nevojë për rritje të stafit dhe fakti që ne luajmë disa role, jemi edhe mbrojtës të të drejtave të njeriut, luajmë edhe rolin e organit të barazisë, kemi edhe mekanizëm për parandalim torture, jemi edhe avokat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, luajmë një rol të veçantë edhe në raport me komunitetet.
Pra, është një punë shumë e madhe, shqyrtimi i ankesave, pjesa e edukimit që e bëjmë me të rinjtë për të drejtat e njeriut dhe rolin e Avokatit të Popullit. Kështu që kapacitetet janë të pamjaftueshme mirëpo ne po mundohemi maksimalisht ta përmbushim atë boshllëk, ndoshta me punë shtesë, me angazhim të ekspertëve nga jashtë por edhe me mbështetje të organizatave të shoqërisë civile me të cilët ne kemi bashkëpunim të shkëlqyer që mund të them se janë ndër partnerët tanë kryesorë që na dalin në ndihmë kurdo që kemi nevojë, qoftë me ofrim të kapaciteteve profesionale, qoftë në forma të tjera dhe sikur e përmbushim njëra-tjetrën.
Ne kemi krijuar lehtësira të shumëfishta për mënyrën se si një qytetar mund t’i adresohet Avokatit të Popullit. Mund ta bëjë nëpërmjet rrjeteve sociale e cila është forma më e përhapur e komunikimit masiv sot në botë. Mund të adresohen nëpërmjet linkut të krijuar në uebfaqen e institucionit ku është një formular i ankesës dhe mund ta dërgojë në mënyrë elektronike ankesën, përmes postës së rregullt, përmes kontaktit me zyrat e avokatit të popullit. I kemi tetë zyra rajonale, përfshirë zyrën në Prishtinë kemi në Mitrovicën e Veriut, në Mitrovicën e Jugut, Graçanicë, Gjilan, Gjakovë, Prizren, Ferizaj. Pra i gjithë territori i Republikës së Kosovës është i mbuluar me zyra ku punojnë këshilltarët e Avokatit të Popullit të cilët pranojnë ankesa, pranojnë në takim qytetarë, marrin shqetësimet e tyre dhe i adresojnë pastaj ankesat për zgjidhje. Edhe përmes linjës falas telefonike, gjë që çdo qytetari i mundëson në çdo formë të komunikimit të shtrojë ankesë.
Forma e ankesës është shumë e lehtë, mjafton të paraqitet shqetësimi dhe pastaj zyrtari vetë do të marrë informata nga ankuesi. Diçka tjetër që duhet të ketë të qartë secili qytetar e që është parim shumë i rëndësishëm është që kërkesat dhe ankesat tek Avokati i Popullit nuk dëmtojnë palën. Pra, e para pala nuk humb asgjë nëse i drejtohet Avokatit të Popullit edhe nëse i pranohet ankesa edhe nëse i refuzohet ankesa. Në fakt nëse i aprovohet ai fiton sepse fiton mbrojtje, por nëse i refuzohet ankesa ai nuk humbet asgjë, nuk dëmtohet dhe gjithmonë fiton këshillë nëse është drejtuar gabimisht tek Avokati i Popullit. Pra, qytetarët duhet ta dijnë që në çdo rast mund t’i drejtohen Avokatit të Popullit pa asnjë rrezik.
Europe House Kosovo: Ju keni qenë dhe vazhdoni të jeni shumë i zëshëm për çështjet e personave LGBTIQ+ në Kosovë. Kisha dashur të bisedojmë për këtë dhe për komunikimin e institucionit të Avokatit të Popullit me organizatat LGBTIQ+ në Kosovë.
Naim Qelaj: Institucioni i Avokatit të Popullit ka punuar që vetë zyrtarët të përgatiten me aftësi të komunikimit neutral, përdorimit të një gjuhe neutral ku asnjëherë nuk cenohet apo dëmtohet pala tjetër dhe gjithmonë shqetësimet e qytetarëve pranohen mbi premisën e parimit të epërsisë së të drejtave të njeriut.
Avokati i Popullit përdor gjuhë të balancuar, të kujdesshme dhe të thjeshtë ashtu që të kuptohet më lehtë nga qytetarët. Në tri situata kemi krijuar protokole të veçanta të komunikimit, e para është komunikimi me kategoritë e ndishme siç janë viktimat e dhunës seksuale, viktimat e dhunës në familje, gratë viktima, fëmijët viktima, për të cilat ne kemi krijuar një hapësirë të veçantë komunikimi e cila është hapësirë e përshtatshme, miqësore. Në të njëjtën kohë, kemi trajnuar stafin për mënyrën e duhur të komunikimit me këta qytetarë të Republikës së Kosovës. I dyti është udhëzuesi për rastet e gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes ku përfshihen edhe incidentet me motive etnike dhe incidente me motive të tjera që mund të jenë të cenueshme, pra është një udhëzues praktik se si duhet zyrtarët t’i trajtojnë këto raste si dhe i treti është një udhëzues për qasjen në trajtim të ankesave që vijnë nga personat LGBTQI+.
Krejt këta udhëzues janë hartuar bashkë me stafin e institucionit të Avokatit të Popullit si dhe me ekspertë të angazhuar edhe nga shoqnia civile. Mund të them se në këtë pjesë institucioni ka ndërtu kapacitete të mjaftueshme për një qasje të duhur dhe të bazuar edhe në standarde që aplikohen në vende të zhvilluara.
Europe House Kosovo: Cilat janë mekanizmat që i keni për të komunikuar me institucione të ngjashme në vendet e Bashkimit Evropian, për shkëmbim të praktikave, përvojave dhe përafrim të praktikave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Naim Qelaj: E para janë zyrat që funksionojnë në Kosovë, agjencitë që funksionojnë në Kosovë janë shumë bashkëpunuese edhe e kanë mbështetur për 25 vite institucionin e Avokatit të Popullit. Avokati i Popullit ka qenë përfitues direkt i shumë projekteve por edhe si përfitues i tërthortë përmes projekteve të tjera dhe kjo i ka ndihmuar shumë me të rrisë kapacitetet dhe të jetë në nivel të njëjtë jo vetëm me institucionet përreth vetes, por ndoshta edhe në nivel evropian. Këtë mund ta them me garanci të plotë sepse nga pjesëmarrja ime në takime ndërkombëtare del që në shumë standarde ne jemi goxha larg edhe prej disa vendeve evropiane, Këtë e thonë edhe vetë homologët e mi, avokatët e popullit të vendeve të tjera sepse gjatë bisedave që zhvillojmë me ta ata e kuptojnë që Kosova e ka një legjislacion të ndërtuar shumë mirë që garanton pavarësinë e institucionit të Avokatit të Popullit, jemi të vendosur në Kushtetutë si institucion kushtetues që është një prej kërkesave për funksionimin e institucionit të Avokatit të Popullit.
E dyta kemi pavarësi funksionale, organizative dhe buxhetore që shumë vende nuk e kanë. Kemi buxhet të garantuar. Nuk guxon të ulet buxheti pa aprovimin e Avokatit të Popullit. Mënyrën e organizimit të brendshëm e bëjmë nëpërmjet akteve nënligjore të brendshme të cilat natyrisht duhet të jenë në harmoni me legjislacionin sepse edhe ne jemi organizatë që funksionojmë brenda shtetit, mirëpo megjithatë kjo të krijon mundësi të veprimit të pavarur.
Poashtu ne jemi anëtar të pothuajse të gjitha rrjeteve rajonale dhe shumë rrjeteve ndërkombëtare siç GANHRI [Global Alliance of National Human Rights Intitutions], ENNHRI [European Network of National Human Rights Institutions], Equinet [European Network of Equality Bodies].
Kjo na mundëson që ne të kemi shumë informata për zhvillimet në botë. Ndoshta shpeshherë na ka krijuar mundësi të veprojmë e të parandalojmë situata që mund të vijnë tek ne që paraprakisht kanë ekzistuar në vendet tjera dhe na ka mundësuar marrjen e përvojave shumë të vlefshme në mënyrën e organizimit, qasjen në raport me komunikimin me publikun, zgjidhjen e problemeve të shumta.
Në anën tjetër kohëve të fundit ne kemi pasur një vizitë në Austri, ku jemi takuar me udhëheqësen e FRA [The European Union Agency for Fundamental Rights]. Takimi ka qenë shumë me rëndësi. Konsideroj një prej takimeve më të rëndësishme që kam pasur prej se jam në mandat, sepse kemi gjetë një mundësi bashkëpunimi me këtë Agjenci dhe besoj që qysh këtë vit do të fillojmë me një vizitë studimore ku stafi i Avokatit të Popullit do të shkojë në një vizitë në këtë agjenci. Kjo ka qenë kërkesë e vetë agjencisë dhe natyrisht do të informohemi për të gjitha aktivitetet që do t’i ndërmarrë FRA në procesin e trajnimit, në nxjerrjen e rezolutave dhe direktivave të ndryshme dhe për rrjedhën e të gjitha proceseve tjera.
Ndërsa në raport me agjencitë tjera të Bashkimit Evropian, zyra e BE-së ka qenë një prej mbështetëseve kryesore të Avokatit të Popullit viteve të fundit. Kemi qenë përfitues të projektit IPA të vitit 2019 dhe mbështetja ka qenë direkte, ka qenë program i veçantë vetëm për Avokatin e Popullit, i ndarë në katër shtylla. Rezultatet e këtij projekti janë të prekshme. Ne kemi arritur të kemi një sistem të ri të menaxhimit të rasteve. Kjo database e re na ka mundësuar që përveç rritjes së kapaciteteve që ofron ky sistem teknologjik, të avancojmë shumë në gjenerimin e të dhënave, statistikave dhe menaxhimin e rasteve.
Përmes kësaj mbështetjeje, ne kemi digjithalizuar procesin e ankesave si dhe shumë trajnime me angazhim të ekspetëve eminentë edhe ndërkombëtarë edhe vendorë në fusha të ndryshme që kanë qenë me interes për Avokatin e Popullit. Përmes këtij projekti kemi arritur të angazhojmë ekspertë që na kanë ndihmuar në hartimin e raporteve të veçanta, siç është raporti për drejtësinë tranzicionale që për herë të parë e ka bërë avokati i popullit e që besoj se ka qenë një punë e jashtëzakonshme.
Këshilli i Evropës është një prej partnerëve të rëndësishëm për Avokatin e Popullit. Çdo pesë vite Kosova vizitohet nga Komiteti për Parandalimin e Torturës, ata vijnë e vizitojnë edhe Avokatin e Popullit dhe mund të them që në përgjithësi qëndrimet dhe konstatimet që i nxjerr ky Komitet në raportet e tyre përputhen plotësisht me konstatimet që i nxjerr Avokati i Popullit gjatë monitorimit të gjendjes nëpër burgje dhe hapësinr të tjera. Pra, jemi në një linjë, në një standard dhe besoj kemi arritur të ndërtojmë kapacitete që janë në standard të njëjtë me atë të Bashkimit Evropian.
Kohëve të fundit Këshilli i Evropës bashkë me Zyrën e Bashkimit Evropian është duke na mbështetur në fuqizimin e kapaciteteve si organ i barazisë. Vitin e kaluar kemi dalë me raport për herë të parë për zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi. Ky është një detyrim ligjor të cilin Avokati i Popullit në mungesë të kapaciteteve nuk ka arritur ta bëjë në të kaluarën. Por besoj që është një nismë e mirë dhe besoj se do të vazhdojmë ta plotësojmë këtë detyrim ligjor sepse kemi parë që është në interes të respektimit të barazisë para ligjit, mosdiskriminimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Natyrisht e përmenda edhe më herët bashkëpunimin me agjencitë tjera, por dua ta vendos theksin tek shoqëria civile. BE përmes projektit IPA ka ndihmuar në themelimin e një mekanizmi të veçantë, një platforme të komunikimit të Avokatit të Popullit me shoqërinë civile. Platforma ka dokumentet e hartuara, ka plan të veprimit dhe funksionon në mënyrë të rregullt përmes takimeve të rregullta periodike dhe përmes komunikimit të vazhdueshëm të Avokatit të Popullit me shoqërinë civile.
Europe House Kosovo: Ju falemnderit shumë për kohën!